2018-04-20 12:15:00

Papa në Puglia, mbi gjurmët e don Tonino Bello-s


Vizitë prej katër orësh në Puglia: e para në vendlindjen e Don Toninos e, më pas, edhe në Molfeta, ku shërbeu si ipeshkëv. Don Tonino Bello ishte pararendës i asaj “Kishe në dalje”, në kërkim të të varfëve, aq e dashur për Papën Françesku.

Sot paradite, në orën 07.00, Papa u largua nga Vatikani me avion. U nis drejt Puglies, për të bërë një copë rrugë mbi hapat e don Tonino Bellos, ish ipeshkvit të Molfetta-Ruvo-Giovinazzo-Telizzi, ku vijon të kujtohet si bari i të fundmëve e, sidomos, si apostull  i paqes dhe i çarmatimit. Pikërisht sot, kur mbushen  25 vjet nga vdekja e “don Toninos”, që ndërroi jetë në Molfetta, më 20 prill 1993. Për të vizituar, më pas, edhe qytetin, ku shërbeu për 11 vjet, deri në vdekjen e parakoshme nga tumori. Pa harruar  Alessanon, në Lecce, ku u lind më 18 mars 1935 e ku edhe pushon në paqe. Don Bello konsiderohet si pararendës i “Kishës në dalje”, “Kishës së varfër, për të varfërit”. Më 27 nëntor 2007, Kongregata për Çështjet e Shenjtorëve hapi procesin e lumnimit të tij.

Papa Françesku në Puglia: programi i vizitës

Vizitë prej katër orësh, kjo e Papës, e vetëm në dy lokalitete pugliese, por  e ngarkuar me reflektime e takime. Pasi arriti me avion nga Ciampino,  në  aeroportin ushtarak të Galatinës, Papa vijoi shtegtimin me helikopter, për të mbërritur në orën 8.30 në Alessano, ku u ndalua në lutje pranë varrit  të don Toninos, për të përshëndetur, më pas, familjarët e tij e edhe besimtarët, të cilëve u drejtoi fjalën, në sheshin para varrezës. “Shpresoj se së shpejti do ta shohim don Toninon të lum!”. Janë fjalët që i drejtoi Papës,  imzot Vito Angiuli, në Alessano, pas meditimit pranë varrit të Shërbëtorit të Hyjit, 25 vjet pas vdekjes. Më pas Françesku u nis për në Molfetta ku, në orën 10.30, kremtoi Meshën në portin pranë katedrales. Më pas, me pak vonesë në krahasim me parashikimin, u nis drejt Vatikanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.