2018-04-20 09:00:00

Don Tonino Bello: populli i paqes, popull i zhbimë


Ipeshkvi i Molfetës e kaloi gjithë jetën duke dëshmuar dashurinë për Krishtin. Sot, gjatë vizitës baritore të Papës Françesku në Alessano e Molfetta, po rijetojmë disa nga mësimet e tij, duke ndjekur videot e epokës. E po kujtojmë çka shkroi për një nga pasuritë më të çmuara të njeriut të të gjitha kohëve: paqen!

Paqja, si udhë për t’u ndjekur

Me thanë të vërtetën, nuk jemi mësuar shumë ta lidhim termin  PAQE me  koncepte që kanë të bëjnë me lëvizjen!

Rrallë e kurrë dëgjojmë të thuhet:

“Ky njeri përpiqet për paqen”

“Lufton për paqen”

“Ia shkëput me thonj e me dhëmbë jetës një çast paqeje”.

Shumë më shpesh dëgjojmë shprehjet:

“Është ulur e po rri në paqe”.

“Po lexon në paqe”,

“Po ha e po pi në paqe”

 “Po mediton në paqe”

E, doemos, edhe “pushoftë në paqe!”.

Paqja, siç po e shikoni vetë, na kujton më shumë rrobat që veshim nëpër shtëpi, sesa çantën e shtegtarit!

Më shumë rehatinë e dhomës së gjumit, se rreziqet e rrugës;

Më shumë oxhakun, se vorbullën gumëzhitëse të problemeve;

Më shumë heshtjen e shkretëtirës, se trafikun e metropoleve;

Më shumë gjysëmhijen e një kishe, se poteren e takimeve sindikale;

Më shumë misterin e natës, se zhurmat e mesditës;

Me sa duket, duhet një revolucion i mendësisë, për të kuptuar se paqja nuk falet, fitohet!

Nuk blihet, prodhohet me shumë djersë;

Nuk është pikënisje, por pikarritje;

Nuk e pranon tundimin e kënaqësisë;

Nuk e  lejon qëndrimin këmbëturqisht;

Nuk i zhduk ndeshjet...

Paqja nuk ka asgjë të përbashkët me “jetën paqësore”.

Është udhë që duhet bërë;

madje tejet e thepisur,

ka tabelat e ritmet e saj, ndalesat e shpejtimet

e ndoshta,  edhe pritjet durimtare.

E do të jetë i lum, sepse veprimtar i paqes

jo kush pretendon të kapet tek pikarritja, pa u pasë nisur kurrë, por kush niset

duke pasur në sy mirazhin e një ndalese gazmore të vagëlluar – edhe pse kurrë – mbi këtë tokë, kuptohet, nuk do ta arrijë plotësisht!








All the contents on this site are copyrighted ©.