2018-04-20 17:29:00

Don Tonino Bello dhe gomonet me shqiptarë, në vitet nëntëdhjetë…


Don Tonino fliste e shkruante si njeri i lirë, pa pikën e frikës!

Një nga dhantitë e tij të rralla, ishte edhe aftësia për t’i shprehur me një gjuhë  moderne, antikonvencionale, vlerat e Ungjillit e të vërtetat e përditshme, edhe kur ishin tejet të hidhura e të padëshirueshme për shumëkënd. Për politikanët, për shembull…

Politikanë, kujt i shërbeni - popullit apo stemës?  

“Partitë janë dehur - pohon, duke folur për politikanët. - Kujt i shërbeni? – i pyet - së mirës së përbashkët, apo karrierës personale? Popullit, apo kështjellave, që nuk keni turp t’i ndërtoni për vete, nësa populli vijon ta braktisë vendin, që e katandisët në mjerim? Kujt? Njeriut apo stemës suaj? Flamurit të Kombit, apo atij të partisë?". Mos harroni se një ditë Zoti do t’ju kërkojë llogari. Duke ju pyetur: “Me ç’frymë e kryet detyrën tuaj politike? Me frymën e shërbimit? Apo të self-service!". E nuk është nevoja ta përkthejmë këtë shprehje, sepse politikanët kanë në fjalorin e tyre më shumë fjalë të gjuhëve të huaja, sesa të së vetes. Me një fjalë, i flasin popullit të vet - në gjuhë të huaj!

Shqiptarët në vorbullën e ferrit dantesk

Vitet ’90  - kujton në një shkrim tjetër Don Tonino - nisin me Luftën e Gjirit. E, sidomos, me vërshimin e mijëra shqiptarëve të hipur mbi gomone, në sulm drejt brigjeve të Italisë. Zhyt-mbyt mbi valë, duken si të dënuar në ndonjë nga rrathët e Ferrit dantesk. E rrathë të tjerë Ferri duken në Sarajevën e bërë shoshë nga plumbat e snajperve - vijon - në sa bën ç’është e mundur për emigrantët, me forcat e fundit që i lë kanceri, nësa ia grin stomakun.

Ekonomi që vret!

Kohë pa paqe! - shkruan diku tjetër. - Sepse paqja nuk është më një fjalë e vetme, por fjalor. E lufta jo vetëm “bubullimë topash a shpërthim armësh atomike, por thjesht vijim i këtij sistemi të dhunshëm ekonomik. Ekonomi, që vret! Sepse nuk mund të ketë kurrë paqe, derisa pasuritë e tokës do të vijojnë të rrëmbehen e jo të ndahen drejtësisht. Paqe do të thotë e vërtetë. Kush e do paqen, nuk ka frikë t’i tregojë gjërat ashtu si janë, edhe kur fjalët e tij ia rrënojnë njerëzve të pushtetshëm mullzën e mbushur jashtë mase”.








All the contents on this site are copyrighted ©.