2018-04-19 07:30:00

Papa në Pulje, në gjurmët e don Tonino Bello-s


“Vizita e Papës Françesku në Kishën e Ugento-Santa Maria di Leuca dhe ndalesa e tij për t’u lutur mbi varrin e Shërbëtorit të Zotit, don Tonino Bello, është dhuratë e papritur dhe e veçantë”, tribut për një dëshmitar besnik ndaj Ungjillit, një “figurë emblematike”, që e ka afruar Kishën me njerëzit. Me këto fjalë, rektori i Seminarit ipeshkvnor të Ugento-s, don Beniamino Nuzzo, komenton atmosferën e pritjes së Papës, që të premten do të shkojë në Alessano, vendlindja e imzot Tonino Bello-s, do të lutet mbi varrin e tij, do të takohet me besimtarët e pastaj, do të shkojë në Molfetta, kryeqendra e dioqezës, ku ka qenë ipeshkëv Shërbëtori i Zotit. Aty do të kremtojë meshën.

Don Tonino edukonte me entuziazëm

Zv.rektor nga viti 1958 deri në vitin 1976, vetë don Tonino Bello qe në krye të Seminarit ipeshkvnor të Ugento-s, në vite të rëndësishme, që vunë në pah aftësitë e tij edukative dhe baritore, impenjimin e tij të palodhur, kulturën e pamasë. Për shumë të rinj e adoleshentë, kujton don Beniamino Nuzzo, “vitet e kaluara në seminar ishin përvojë e veçantë, mund të themi, revolucionare”, gjatë së cilës “objekti kryesor i mësimdhënies ishte stili i jetesës”, “edukimi me entuziazëm”, që është “fryt i çmuar i ekzistencës së jetuar plotësisht në Zotin”. Nga don Tonino, kujton më tej rektori aktual i Seminarit të Ugento-s, mësuam se “besimtari i vërtetë është njeri dorëhapur, sepse nuk mban asgjë e askënd për vete; është njeri me duar të shtrira, sepse ka sy për të parë e dëshirë për të ndihmuar çdo njeri në vështirësi, në nevojë e në vuajtje”.

Të jemi protagonistë në jetë. Feja ka sfida

“Don Tonino ishte njeri, i krishterë, meshtar dhe ipeshkëv i veçantë – nënvizon rektori – sepse e veçantë ishte dashuria e tij për Krishtin, për Kishën, për njeriun, sidomos për të varfërin, të mënjanuarin, të fundmin, për atë, që nuk ka zë, dinjitet, të drejta, për gurët e hedhur, që s’i duhen kujt”. “Don Tonino – shton – na ka mësuar gjithnjë të largohemi nga një fe pa sfida”, si edhe nga tundimet e logjikës së botës së vjetër, nga të cilat duhet të ketë kujdes meshtari. “Na e kujton shpesh e me guxim edhe Papa Françesku: pasuria e kotësia janë dy tundime, nga të cilat duhet të kenë kujdes ipeshkvijtë e meshtarët”.

I binte fizarmonikës e fliste për bukurinë e Krijimit

 Don Beniamino Nuzzo e njohu don Tonino Bello-n nga përvoja verore e para-seminarit në Tricase Porto, në vitin 1971. Mbeti i habitur me mënyrën e tij të gëzuar, por edhe të rezervuar, kur lutej në mëngjes. “Na mallëngjente – kujton në intervistë – kur fliste për Krijimin e Zotit”, në mbrëmje, pas Rruzares, ose kur na merrte me barkë e i binte fizarmonikës, duke na ftuar të kundronim hënën. Për arsye familjare, don Nuzzo e vonoi hyrjen në seminar, por i mbajti kontaktet me don Toninon. “Tani, planet e Zotit – përfundon – më bënë rektor të Seminarit të Ugento-s, tashmë që prej 6 vjetësh. E këtu, akoma sot, gjithçka flet për gjeninë njerëzore të don Tonino Bello-s”.








All the contents on this site are copyrighted ©.