2018-04-18 12:35:00

Siri, thirrje e Këshillit Ekumenik të Kishave: të ndalet dhuna


Bashkësia ndërkombëtare të gjejë mënyrën për “ta këputur ciklin e dhunës” në Siri. Kjo është thirrja e Këshillit Ekumenik të Kishave (KEK), në një notë, pas bombardimeve të SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, si raprezalje për përdorimin e armëve kimike nga ana e regjimit të presidentit Bashar al Assad.

Zgjidhje politike për paqen

 “Paqja e drejtë dhe e qëndrueshme për gjithë sirianët mund të vendoset vetëm përmes zgjidhjes politike”, lexohet në deklaratën e organizmit, ku bëjnë pjesë 349 Kisha protestante, luterane, anglikane, ortodokse dhe katolike nga 110 vende të botës. Kujtojmë se selia e Këshillit Ekumenik në Gjenevë do të vizitohet nga Papa Françesku më 21 qershor, me rastin e 70-vjetorit të themelimit.

Nuk tolerohet mizoria kundër civilëve

 “Është e patolerueshme – shkruhet në dokument – që akoma të ushtrohet mizori kundër civilëve. Këshilli i Sigurimit i OKB-së e ka shmangur disa herë përdorimin e masave mjaftueshmërisht të fuqishme dhe koherente për t’i dhënë fund këtij tmerri, për të vendosur një ‘armëpushim’ afatgjatë, për të garantuar respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe për të nxjerrë në pah përgjegjësinë e kujt ka kryer krime lufte e krime kundër njerëzimit, ndër të cilat edhe përdorimi i armëve kimike”.

KEK: armëpushim i menjëhershëm

Ndërsa konflikti ashpërsohet gjithnjë e më tepër, Këshilli Ekumenik i Kishave thekson edhe një herë kërkesat e tij të përhershme për Sirinë: armëpushimin e menjëhershëm: hyrjen pa kushte të ndihmave humanitare; impenjimin e palëve për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe për dialog; rifillimin e procesit të paqes së Gjenevës, udhëhequr nga OKB-ja, si edhe sigurinë për civilët. “Kishat anëtare të Këshillit Ekumenik në Siri e në rajon do të kenë një rol të rëndësishëm në shërimin e kujtesës së cënuar e në bashkimin e sirianëve rreth identitetit të tyre të përbashkët, për të ruajtur larminë e pasur të Sirisë e për të rikrijuar kohezionin shoqëror”, përfundon nota.  








All the contents on this site are copyrighted ©.