2018-04-18 11:45:00

Papa: Pagëzimi kërkon përgjigje personale, që nuk mund të merret hua me metodën “kopjo e përvetëso”


Në këtë Kohë Pashkësh, Papa vijoi katekizmin kushtuar Pagëzimit, duke nisur nga kuptimi i kësaj fjale, e cila duket qartë se rrjedh nga vetë kremtimi. Në qendër të vëmendjes, në audiencën e sotme pra, ishin  gjestet dhe fjalët e liturgjisë, përmes të cilave merret hiri dhe angazhimi i këtij Sakramenti. Për to foli sot Papa në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, duke theksuar se Pagëzimi mbetet për t’u rizbuluar gjatë gjithë jetës. Na e kujton spërkatja me ujë të bekuar - shpjegoi - që mund të bëhet të diel, në fillim të meshës, ashtu edhe përsëritja e premtimeve të Pagëzimit gjatë kremtimit të Natës së Pashkëve. Ajo që ndodh në kremtimin e Pagëzimit, krijon një gjallëri shpirtërore,  që e pushton gjithë jetën e të pagëzuarve: është fillesë e një procesi, i cili të jep mundësinë të jetosh i bashkuar me Krishtin e me Kishën - kujtoi Françesku - për të shpjeguar, më pas,  të gjitha gjestet e sakramentit të parë të krishterë.

Emri tregon identitetin e njeriut

Para së gjithash, gjatë ritit, kërkohet emri i kandidatit, sepse emri tregon  identitetin e njeriut. Thuhet pra, menjëherë emri, duke dalë kështu nga anonimati:  “Pa emër - kujtoi Papa - mbetesh i panjohur, pa të drejta e pa detyra. Zoti na thërret secilin me emër, duke na dashur konkretisht, në historinë tonë”.

E Pagëzimi ndez në shpirt  thirrjen personale, që nuk mund të merret hua e as të përdoret me metodën “kopjo e përvetëso”. Jeta e krishterë – shpjegoi Françesku gjatë katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme - është një sërë thirrjesh e përgjigjesh: Zoti vijon ta shqiptojë emrin tonë në rrjedhë vitesh, duke e bërë të jehojë në njëmijë mënyra thirrjen e Tij për t’i ngjarë të Birit, Jezus. Ka shumë rëndësi emri! Prandaj prindërit mendojnë që para lindjes si do ta quajnë foshnjën, në pritje. Edhe kjo bën pjesë në atmosferën gazmore të ardhjes së krijesës së re, e cila, me një emër të përveçëm, do të ketë identitetin e origjinalitetin e vet edhe për jetën e krishterë, të lidhur me Zotin.

Të bëhesh i krishterë, është dhuratë e ardhur nga lart    

Të bëhesh i krishterë, është dhuratë e ardhur nga lart (krh Gjn 3,3-8). Feja - theksoi në vijim Papa - nuk mund të blihet. Por mund të kërkohet e të merret si dhuratë. Sepse Pagëzimi është sakrament i asaj feje, me të cilën njerëzit, të shndritur nga hiri i Shpirtit Shenjt, i përgjigjen Ungjillit të Krishtit”(Riti i Pagëzimit të Fëmijëve, Hyrje, n. 3).

Shenja e kryqit, vulë e Krishtit mbi ballin e të pagëzuarit

Nëse katekumenët e rritur ia kërkojnë vetë Kishës dhuratën e Pagëzimit, fëmijët përfaqësohen nga prindërti, përmes nunëve që, duke dialoguar me meshtarin, shprehin vullnetin e të vegjëlve për ta  marrë pagëzimin, duke i kërkuar Kishës ta kremtojë Sakramentin:

“Shprehje e gjithë kësaj është shenja e kryqit, që kremtuesi dhe prindërit e shënojnë mbi ballin e ferishtes”. Vënë, kështu vulën e Krishtit mbi ballin e atij,  që  do t’i përkasë. Vulë që ka kuptimin e hirit të ringjalljes, të cilin   Krishti na e fitoi përmes Kryqit të Tij”(Katekizmi i Kishës Katolike, 1235).

Kryqi, distinktiv, që tregon kush jemi

Kryqi është distinktiv, që tregon se kush jemi: fjala jonë, mendimi, shikimi, veprimi, të gjitha janë nën shenjën e kryqit, të dashurisë së Krishtit, deri në fund të fundit. Fëmijët shënohen në ballë - kujtoi Papa - ndërsa Katekumenët e rritur shënohen edhe mbi shqisat, me këto fjalë: “Merreni shenjën e kryqit mbi veshë, për të dëgjuar zërin e Zotit”; “Mbi sy, për të parë shkëlqimin e fytyrës së Zotit”; “mbi gojë, për t’iu gjegjur Fjalës së Zotit”; “mbi kraharor, që Krishti, përmes fesë, të banojë në zemrat tuaja”; “Mbi shpatulla, për ta mbartur zgjedhën e ëmbël të Krishtit” (Riti i fillesës së krishterë të të rriturve. N. 85).

Ç’do të thotë të bësh shenjën e kryqit?

Të bësh shenjën e kryqit kur zgjohesh, para se të hash bukë, përballë rreziqeve, për t’u mbrojtur nga e keqja; natën, para se të flesh, do të thotë  t’i kujtosh vetes, e edhe të tjerëve, kujt i përket e kush dëshiron të jesh. E, siç bëjmë kur hyjmë në Kishë, mund të bëjmë edhe kur hyjmë në shtëpi, duke ruajtur, në një vazo të posaçme, pakëz ujë të bekuar: kështu, sa herë hyjmë a dalim, duke bërë shenjën e kryqit me këtë ujë, kujtojmë se jemi të pagëzuar, se i përkasim Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.