2018-04-17 14:03:00

Enzo Bianchi: “Gaudete et Exsultate” e ndihmon udhën ekumenike


Dokument, që mund të ndihmojë ekumenizmin, sepse ka në qendër pyetjen ekzistenciale për gjithë të krishterët, atë mbi shenjtërinë. Në një intervistë për Vatican News, themeluesi i Bashkësisë murgare të Bozes, në Itali, Enzo Bianchi, vë në dukje një nga meritat e Nxitjes Apostolike të Papës Françesku “Gaudete et Exsultate” (Gëzohuni dhe Galdoni). Thirrja për shenjtërimin e jetës është universale, prandaj ajo vlen për gjithë të krishterët, duke i dhënë kështu dokumentit edhe karakter ekumenik. Ta dëgjojmë vetë eprorin e Bozes:

Më duket e rëndësishme që Papa Françesku u bën të krishterëve pyetjen thelbësore: a e kanë apo jo para vetes objektivin e shenjtërisë, jo si diçka për t’u fituar, por si dhuratë, që Zoti dëshiron t’u bëjë të krishterëve përmes Pagëzimit e pastaj, përmes gjithë jetës së krishterë në gjurmët e Krishtit. Risia e kësaj Nxitjeje më duket fakti që Papa flet për “shenjtërinë e njeriut të thjeshtë”, për shenjtërinë e shumë të panjohurve, të të krishterëve, që nuk janë askush në jetën e përditshme, nuk imponohen me vepra heroike, por, duke e paguar me çmim të lartë dashurinë e tyre të krishterë, e jetojnë konkretisht Ungjillin.

Duke folur për shenjtërinë e njeriut të thjeshtë, Papa Françesku i bën jehonë edhe Koncilit II të Vatikanit, sidomos kushtetutës “Lumen gentium”, apo jo?

Sigurisht, aty e gjejmë bazën kur flitet për “thirrjen universale drejt shenjtërisë”, sepse shenjtëria nuk u rezervohet vetëm atyre, që kanonizohen e vetëm rregulltarëve, murgjërve apo klerikëve. Jo, shenjtëria është vërtet e përditshme, është diçka që gjithë të krishterët mund ta marrin nga Zoti si dhuratë, natyrisht, duke bashkëpunuar me gatishmërinë e tyre për ta ndjekur Krishtin. E Papa e kujton këtë në një mënyrë, që është e kuptueshme për të gjithë. Nuk bën ndonjë traktat për shenjtërinë! Nuk përdor fjalë të vështira për t’u kuptuar! Mund t’i kuptojë si një i krishterë i Afrikës, ashtu edhe një i krishterë i Evropës apo një campesinos. Të gjithë mund ta kuptojnë këtë thirrje për shenjtëri, këtë dhuratë, që Zoti e bën përmes punëve të përditshme, jetuar me dashuri. Papa Françesku thekson se shenjtëria pa dashuri, pa pjesëmarrjen në vuajtjet e në dhimbjet e botës, është abstrakte, s’mund të jetë e krishterë.

Lumnitë janë zemra e Nxitjes Apostolike të Papës Françesku. Si mund të mishërohen në jetën e përditshme?

Mjafton të kujtojmë se Lumnitë nuk janë veç për njerëz heroikë. Janë lumturia e atyre njerëzve, për të cilët çdo ditë është betejë që të mbeten të varfër edhe në shpirt, që të jenë të butë në marrëdhëniet me të tjerët, që të jenë njerëz të paqes brenda familjeve e në gjendje të ndryshme njerëzore. Janë ata, që persekutohen, por nuk kërcënojnë se do të hakmerren e vazhdojnë ta ruajnë frymën e vërtetë të Krishtit të varfër në jetë. Lumnitë janë ato, që shpallin se Jezu Krishti është i Lum si askush: Ai është i varfër si askush e i butë si askush! Prandaj, i krishteri, përmes Lumnive, ecën në udhën e ngjasimit me Krishtin – udhë, e cila, në faqe të tjera të Ungjillit apo të Shkrimit Shenjt, nuk është kaq e përmbledhur sa këtu.

Një dokument si ky, a mund ta ndihmojë udhën ekumenike?

 Domosdo, sepse unë jam i bindur që ekumenizmi ushqehet sigurisht nga marrëdhëniet ndërmjet Kishave, por, siç thoshte një ekumenist i madh i fillimit të shekullit të kaluar, ekumenizmi është ajo udhë, që duhet bërë brenda një rrote: nga rrethi i jashtëm drejt qendrës! Nëse të krishterët, nga Kisha të ndryshme shkojnë drejt qendrës, që është Jezu Krishti, e bëhen gjithnjë e më të ngjashëm me Të, do të ndjehen përherë e më afër, ashtu si rrezet e rrotës. Janë udhë, që i afrojnë me qendrën ata, të cilët ndodhen në skaj. E sa më shumë të afrohen, aq më shumë bashkim e unitet do të gjejnë.








All the contents on this site are copyrighted ©.