2018-04-16 11:20:00

Urime Benedikti XVI, Papë i ëmbëlsisë


Ditë feste për Papën e Nderit Benediktin XVI, i cili sot mbush  91 vjeç, në një atmosferë paqeje dhe qetësie në kuvendin "Mater Ecclesiae" në Vatikan. Papa i nderit Benedikti XVI, ka lindur më 16 prill 1927 në Marktl, Gjermani, e sot mbush 91 vjeç. I zgjedhur në fronin e Pjetrit, Papë, më 19 prill 2005, më 11 shkurt 2013 jep dorëheqjen e tij, e nga 28 shkurt 2013 është Papë nderi.

Më 17 prill të vitit të kaluar, përpara rezidencës së tij, pranë kuvendit "Mater Ecclesiae", në Vatikan, qe organizuar një festë bavareze për 90 vjetorin e lindjes së Atit të Shenjtë Joseph Ratzinger. Një ditëlindje kremtuar në një atmosferë festive me gjëra tipike të vendlindjes, Bavarisë, si birra, bretzels dhe muzikë e ekzekutuar nga një shoqatë e Schützen, me veshje e kostume popullore. Në përfundim të atij takimi festiv, para se t'u jepte bekimin të gjithë të pranishmëve, Papa Nderit Benedikti XVI falënderoi të gjithë për festimin e ditëlindjes dhe për kthimin e tij, përmes këngëve e gjërave tradicionale, në "vendlindjen e tij të bukur".

Pesë vjet më parë, gjatë Meshës së kremtuar në Kapelën Paoline, në Vatikan, më 16 prill 2012, Papa Benedikti pohoi se gjendej "përpara pjesës së fundit" të rrugës së jetës së tij. "Unë nuk e di se çfarë më pret - tha Papa Ratzinger - por unë e di se drita e Zotit ekziston, se Ai është Ngjallur, se drita e tij është më e fortë se çdo errësirë; se mirësia e Hyjit është më e fortë se çdo e keqe në këtë botë. Dhe kjo më ndihmon të vazhdoj me bindje. Kjo na ndihmon të ecim përpara, dhe në këtë orë falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që vazhdimisht më bëjnë të kuptoj po-në e Zotit nëpërmjet fesë së tyre".








All the contents on this site are copyrighted ©.