2018-04-13 12:55:00

Papa në Shën Martë: bota bërtet “liri”, por bëhet më skllave


Liturgjia e sotme propozon tre shembuj lirie: atë të fariseut Gamaliel, të apostujve Pjetër e Gjon si edhe të vetë Jezusit. Papa Françesku u la besimtarëve, që merrnin pjesë në meshën e sotme në Shtëpinë e Shën Martës, pyetjen për ta shqyrtuar veten e për të kuptuar si e përdorin lirinë. Si Gamalieli mendjeftohtë, që i dha hapësirë Zotit në jetën e vet; si shën Pjetri e shën Gjoni, të gatshëm ta ndjekin Jezusin deri në vuajtje; a si vetë Jezusi, të lirë nga ambiciet e nga moda e ditës? Apo jemi si kjo botë, pak “skicofrenike”, që bërtet gjithë ditën “liri”, por bëhet gjithnjë e më skllave. Ati i Shenjtë komentoi Leximin e parë, nga Veprat e Apostujve dhe Ungjillin e sotëm sipas Gjonit, që flet për shumëzimin e bukëve e të peshqve.

Liria e Gamalielit

         Liria, për të cilën flasim në këtë kohë Pashkësh, vërejti Papa, është liria e bijve, që na dhuroi Jezusi “me veprën e tij shëlbimprurëse”. Njeriu i parë i lirë, për të cilin na bën të reflektojmë liturgjia e sotme është Gamalieli, fariseu, dijetar i ligjit, i cili e bind Sinedrin të lirojë Pjetrin e Gjonin, në burg, sepse kishin shëruar një paraplegjik. Gamalieli, shpjegoi Ati i Shenjtë, është “njeri i lirë, mendjeftohtë, i bën të tjerët të arsyetojnë”, i bind se koha bën punën e vet:

         Njeriu i lirë nuk ka frikë nga koha: e lë Zotin të veprojë. I jep hapësirë që Zoti të veprojë në kohë. Njeriu i lirë ka durim. E ky ishte hebre – nuk ishte i krishterë, por e kishte njohur Jezusin shpëtimtar – ishte njeri i lirë. Formulon mendimin e vet, ua paraqet të tjerëve dhe pranohet. Liria ka durim.

         Edhe Pilati ishte mendjeftohtë, vijoi Françesku, dhe e kuptoi se Jezusi ishte i pafajshëm. “Por, nuk arriti ta zgjidhë problemin, sepse nuk ishte i lirë, ishte i lidhur pas karrierës, i mungonte guximi i lirisë, sepse ishte skllav i pushtetit, i ambicies, i suksesit”.

Liria e shën Pjetrit dhe e shën Gjonit

         Shembulli i dytë i lirisë janë apostujt Pjetër e Gjon, “të cilët kishin shëruar paraplegjikun e tani ndodheshin para sinedrit”. Në fund të fundit, sinedri i liron, por i dënon me kamxhik, pavarësisht se të pafajshëm. Shkrimi Shenjt thotë se ata “ikën nga sinedri, të gëzuar se ishin gjykuar të denjë të pësonin në emër të Jezusit”. “Ky është gëzimi i imitimit të Krishtit – komentoi Papa. – Është tjetër liri: më e madhe, më e gjerë, më e krishterë”. Pjetri mund të shkonte te gjykatësi e të hapte gjyq kundër sinedrit, duke kërkuar një dëmshpërblim. Por nuk e bëri këtë. Si ai, ashtu edhe Gjoni, gëzoheshin, sepse kishin vuajtur për Krishtin. Ndoshta, i kujtonin fjalët e Jezusit: “Lum ju, kur t’ju shajnë, t’ju persekutojnë, për shkakun tim. Lum ju”.

         “Ishin të lirë në vuajtje, për të ndjekur Jezusin”, shpjegoi Papa Françesku. Ky është qëndrimi i krishterë: “O Zot, ti më ke dhënë shumë, ke vuajtur shumë për mua. Ҫ’mund të bëj për ty? Merre, o Zot, jetën time, mendjen time, zemrën time, gjithçka është jotja”:

         Kjo është liria e të dashuruarit pas Jezu Krishtit. E atij, që ka vulën e Shpirtit Shenjt, me fe në Jezu Krishtin. Ti bëre këtë për mua, unë bëj këtë për ty. Edhe sot ka shumë në burg, të krishterë të torturuar, që e kanë këtë liri për të dëshmuar Krishtin.

Liria e Jezu Krishtit

         Shembulli i tretë i lirisë, që dha Papa, është vetë Jezusi, që bën mrekullinë e shumëzimit të bukëve e të peshqve. Njerëzit janë entuziastë dhe Jezusi e kupton se “po vinin ta merrnin për ta bërë mbret”. Atëherë, tërhiqet në mal. “Shkëputet nga triumfalizmi – nënvizoi Ati i Shenjtë. – Nuk u gënjye nga ky trimfalizëm. Ishte i lirë”.

         Ashtu si në shkretëtirë, kur e kundërshton djallin e tundimet e tij, “sepse ishte i lirë e liria e tij ishte bindja ndaj vullnetit të Atit”. “Përfundon në kryq, por ky është shembulli i lirisë më të madhe”. Ndoqi vullnetin e Atit për të shëlbuar bijtë e tij në shekuj, përfundoi reflektimin e tij Papa Françesku:

         Le të mendojmë sot për lirinë time, për lirinë tonë. Tre shembuj: Gamalieli; Pjetri e Gjoni; e vetë Jezusi… A është e krishterë liria ime? A jam i lirë? Apo jam skllav i pasioneve, i ambicieve, i sa e sa gjërave, i pasurisë, i modës? Duket si shaka, por sa njerëz janë skllevër të modës!... Le të mendojmë për lirinë tonë, në këtë botë pak si skicofrenike. Bërtet gjithë ditën: “Liri, liri, liri!”, por bëhet më skllave, skllave, skllave. Le të mendojmë për këtë liri, që na dhuron Zoti, në Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.