2018-04-12 15:10:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Numrave


Libri i katërt, që gjejmë në Bibël, është Libri i Numrave. Ky emër i çuditshëm lind nga prania e dy regjistrimeve të popullsisë ndër izraelitët, në kohën e shtegtimit të tyre në shkretëtirë. Në të vërtetë, emri hebraik, që rrjedh nga fjalët e para të tekstit, është pikërisht “Në shkretëtirë”. Për këtë libër do t’ju flasim në emisionin e sotëm, në ciklin tonë kushtuar Biblës e, në përpjekjen për t’ju dhënë elemente, që ju ndihmojnë në leximin e saj. Apo më mirë, në nxitjen e dëshirës për ta lexuar, siç është qëllimi i autorit, të cilit i referohemi, meshtarit italian, Federico Tartaglia dhe vëllimit të tij, “Është ora e leximit të Biblës”.

 

         Për Librin e Numrave, mund të duket i justifikueshëm preteksti i shumë vetëve, që thonë se s’kanë aspak dëshirë të lexojnë një tekst plot emra, numra, ligje për kultin, për të mos folur për disa tekste luftrash e mallkimesh, jo aq të lehta për t’u përtypur.

         Që në shekullin III, një nga komentuesit më të mëdhenj të teksteve të shenjta, në mijëvjeçarin e parë, Origjeni, shkruan: “Kur lexon Ungjijtë, ose Veprat e Apostujve, ose Psalmet, njeriu i pranon me kënaqësi, i përqafon me qejf… Por, nëse lexon Librin e Numrave, ndokush mund të mendojë se nuk i duhet gjë, nuk i vlen si ilaç kundër gjymtimit apo sëmundjes së shpirtit të vet. Menjëherë e refuzon dhe e konsideron ushqim të rëndë e të papërshtatshëm”. Vetë Origjeni do të shkruajë një sërë predikimesh për të dëshmuar se nuk është kështu, por edhe sot, ka njerëz, që konsiderojnë të rëndë Librin e Numrave.

         E megjithatë, libri mund të na rezervojë surpriza. Struktura e tij është e thjeshtë: 36 kapituj, që përshkruajnë 40 vjetët e popullit të Izraelit në shkretëtirë. 25 kapitujt e parë merren me udhën e brezit, që doli nga Egjipti, ndërsa 11 kapitujt e fundit tregojnë afrimin me tokën e Kanaanit të pasardhësve të brezit të parë, që, për shkak të mëkatit, nuk arriti të hyjë në Tokën e Premtuar.

         Këto dy pjesë ndahen përgjysëm nga kapitulli i tmerrshëm 25, në të cilin lexojmë për tradhtinë e Izraelit, që fillon të ndjekë kultet pagane dhe hyjnitë kananease, prandaj, do të shfaroset megjithësej. Shkruhet se “ata që vdiqën arritën deri në 24 mijë vetë”.

         Duke shfletuar faqet, hasim luftra, tërbim, fatkeqësi, që sot do të na shkandullonin, pa dyshim. Mendësia jonë moderne dhe feja e krishterë, me kalimin e kohës, kanë bërë të vetat vlera, ideale, mendime, që e kundërshtojnë çdo ide dhune në emër të fesë e çdo ide të një Zoti të dhunshëm, prandaj, na lindin dyshime kur dëgjojmë Zotin, që i thotë Moisiut: “Murtajën do t’ia çoj [këtij populli] e do ta shfaros” (Num 14,12). Është Mosiu, që ndërhyn pranë Zotit për popullin e vet e kjo na krijon edhe më tepër konfuzion e na bën ta konceptojmë tekstin si të përgjakshëm, brutal.

         Por nuk është kështu. Natyrisht, në këtë Libër gjejmë një listë të gjatë me emra e numra, me ligje e norma, që herë na shtangin për keq e herë na befasojnë për mirë, si për shembull, bekimi i mrekullueshëm që mbyll kapitullin 6, por duhet të shkojmë në kapitullin 10 për të kuptuar arsyen e vërtetë të ekzistencës së këtij Libri: Izraeli për udhë.

         40 vjet, dy breza izraelitësh, udhëhequr nga Moisiu dhe i vëllai, Aroni, drama e këtij populli për udhë dhe e Zotit të tij, kaq të ngjashëm me njerëzit. Zot, që liron e pastaj, pendohet; që zemërohet e pendohet; që dënon e nuk pendohet. Popull, që i bën hapat duke mërmëritur për çdo gjë, që entuziazmohet pas çdo mrekullie e që dëshiron të kthehet mbrapsht para çdo rreziku. Popull, që vijon t’u falet zotëve të tjerë e për të cilin, Moisiut i duhet vazhdimisht të kërkojë falje. Është popull kokëfortë e, edhe Moisiu mëkaton bashkë me të. Për këtë arsye nuk do ta shohë Tokën e Premtuar. Zoti i Librit të Numrave është njëkohësisht çlirimtar e i apasionuar, përflaket si askush e ka një xhelozi plot zemërim.

         Është udhëtimi më i jashtëzakonshëm, që mund të mendohet. E atëherë, leximi i rebelimeve të atij populli, i frikës së tij, i dialogut gati surreal ndërmjet Moisiut e Zotit, është përvojë, që ia vlen të bëhet, pasi, në fund të këtij udhëtimi në shkretëtirë, secili e kupton se ajo udhë mund të përfaqësojë udhën plot devijime edhe të jetës së vet; mëkatet e Izraelit u ngjajnë atyre të njeriut të sotëm; dialogu i Moisiut me Zotin kujtojnë sa herë secili është zemëruar me Hyun dhe e ka ngritur zërin, sa herë e ka tradhtuar, por edhe sa herë është ndjerë i tradhtuar.

         Por gjithnjë ka një shpresë. Libri do t'ia vlente ta lexonim qoftë edhe vetëm për kapitujt nga 22 deri në 24, ku hasim profetin Balaam, thirrur nga mbreti Balak për ta mallkuar popullin e Izraelit. Por, në vend të mallkimit, ai shqipton një nga bekimet më të bukura të krejt Biblës e na lë kështu, shpresën:

“Tha Balaami i Beorit, tha njeriu symprehtë… Po e shoh, por jo për tani, po e vërej, por jo për së afërmi: një Yll po lind prej Jakobit, një skeptër po ngallit prej Izraelit, i pëlcet tëmthat e bijve të Moabit, butin e kresë të bijve të Setit!” (Num 24,15.17)








All the contents on this site are copyrighted ©.