2018-04-10 12:04:00

Ҫështja shoqërore është çështje morale: kuvend në Camillianum


Nga enciklika “Populorum progressio” e të Lumit Pali VI e nga analiza e tij mbi botën e sëmurë, për shkak të “mungesës së vëllazërimit ndërmjet njerëzve e popujve”, frymëzohet konferenca e organizuar nga Instituti Camillianum rreth temës së të mirës së përbashkët, kuptuar jo aq si vlerë shoqërore, se sa si vlerë shpirtërore. “Ҫështja shoqërore është çështje morale”: ky është titulli i kuvendit, i cili filloi dje e do të përfundojë më 13 prill.

E mira e përbashkët është relacionale

“Koncepti i së mirës së përbashkët po bëhet sërish qendror. Ndjehemi të tharë shpirtërisht nga morsa e individualizmit dhe e një demokracie, e cila, nganjëherë, është më tepër formale e proceduriale, se sa e orientuar kah e mira e përbashkët”, shpjegon profesoresha Palma Sgreccia, drejtoreshë e Institutit Camillianum. “Ka të mira materiale si uji; të mira institucionale si shëndetësia dhe arsimi. E ka të mira, në të cilat duket më qartë aspekti shpirtëror e relacional, si kultura”. “E mira e përbashkët – thekson prof.sha Sgreccia – nuk është thjesht pasuri materiale, që plotëson një nevojë, por është vlerë, në të cilën aspekti i marrëdhënieve bëhet themelor. Janë marrëdhëniet, që e krijojnë të mirën. Nuk është qasje utopike, duhet të nisemi nga vlera, që i pranojmë të gjithë si barazia dhe dinjiteti”.

Roli i formimit politik

Në një botë ku 1% e popullsisë zotëron të njëjtën pasuri me gjithë pjesën tjetër të botës marrë së bashku, roli i formimit është themelor, duke u nisur nga familja e deri tek protagonistët institucionalë, si universiteti. Rektori i Universitetit Papnor Lateranens, imzot Enrico Dal Covolo, shpjegon se objektivi është krijimi i një shoqërie më gjithëpërfshirëse e për të arritur në këtë pikë, duhet filluar nga formimi politik. “Shqetëson shumë fakti se të rinjtë nuk e duan politikën, pavarësisht se ka elemente objektive, që e justifikojnë këtë qëndrim”, nënvizon imzot Dal Covolo, “por, nëse nuk impenjohemi t’i kthejmë të rinjtë në përmasën politike, nuk besoj se mund të bëhen hapa serioze përpara. Janë tepër pak shkollat e formimit politik e, edhe si Kishë, ndoshta, duhet të bëjmë më shumë”.

Programi i konferencës

Ndër temat e tjera në program në konferencën e institutit Camillianum, “çështja shoqërore në magjisterin e Papës Françesku”, mbajtur nga atë Alejandro Crostwaite dhe ajo e parashikuar për nesër nga kryetari i Akademisë Papnore për Jetën, imzot Vincenzo Paglia, mbi “historinë e varfërisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.