2018-04-02 16:33:00

E Hëna e Engjëllit


E Hëna e Engjëllit (që quhet edhe Pashkëza, apo Pashka e vogël) në Kalendarin liturgjik katolik shënohet si e Hëna e Tetëditshit të Pashkëve, dita pas Pashkëve. Quhet kështu, sepse të kujton takimin e Engjëllit me gratë, që kishin shkuar tek varri i Krishtit.

Ungjilli rrëfen…

Ungjilli rrëfen se Maria nga Magdala; Maria, Nëna e Jakobit dhe e Jozefit si dhe Salomeja shkuan tek vendi, ku u varros Krishti. Kishin me vete vajra e aroma për ta balsamosur trupin e vdekur të Zotit. Iu afruan grykës së varrit e…mbetën shtang. Guri, që e mbyllte, qe flakur tutje. Gratë nuk po kuptonin më asgjë! Ishin krejt të trullosura, kur para tyre u duk Engjëlli e u tha: “Mos kini frikë! Ju kërkoni Jezus Nazarenin, të kryqëzuarin. U ngjall. Nuk është më këtu. Ja, shikojeni vendin ku qe varrosur”(Mk 16,1-7). E shtoi: “Tani shkoni e kumtojani këtë lajm apostujve”. E ato u lëshuan në pika të vrapit, duke mbartur me vete lajmin më të pazakontë në botë. Që asnjë gojë njerëzore nuk do të kish marrë guximin ta shqiptojë. Shkuan të japin lajmin se “Njeriu-Zot”, që ishte shuar mbi kryq, qe ngjallur prej të vdekurve.

Tradita i zhvendosi këto fakte të mëngjesit të Pashkëve, në ditën e mëpasme, të hënën.

Shprehja “E Hëna e Engjëllit”  është tradicionale. Në kalendar e gjejmë me emrin “ E Hëna e Tetëditëshit të Pashkëve”. Nuk është festë e urdhëruar ndër katolikët, me përjashtim të atyre gjermanë e të viseve gjermanofolëse. Por gjithsesi e feston pothuajse mbarë Evropa, banorët e së cilës e kalojnë  këtë të hënë kryesisht në gjirin e natyrës, rrethuar nga fresku e blerimi i ditës së dytë të prillit, duke qeshur e duke kënduar së bashku me zogjtë këngën e parë të pranverës.








All the contents on this site are copyrighted ©.