2018-03-31 10:24:00

Papa në përfundim të Udhës së Kryqit: Zot, na jep turp, pendim e shpresë


Uroj që turpi, pendimi e shpresa, me të cilat ishte plot shikimi i Hajdutit të Mirë, që “me ndershmëri vodhi Parrizin”,  t’i mbushin edhe sytë tanë. Papa e përmblodhi në këtë lutje,  fjalimin shqiptuar në Koloseum, në përfundim të 14 Stacioneve, që  shoqërojnë ngjitjen e Krishit në Golgotë. Ishte Udhë Kryqi e shkruar nga të rinjtë, për të rinjtë.

O Zot Jezus, sytë tanë drejtohen kah Ti, plot me turp, pendim e shpresë.

Përballë dashurisë sate më të lartë, na pushton turpi, pse të lamë të vuash, i vetëm, për mëkatet tona;

turpi, pse ikëm para provës, ndonëse të patëm thënë mijëra herë: “Edhe sikur të të lënë të gjithë, unë nuk do të të braktis kurrë”;

turpi, pse zgjodhëm Barabën, jo Ty, pushtetin, jo Ty; dukjen e jo Ty, zotin para e jo Ty, mendësinë e botës, e jo amshimin;

turpi, pse me gojë e me zemër, sa herë u vumë në provë, të thamë: “në se je ti Mesia, shpëto veten e ne do të të besojmë”;

turpi, sepse shumë njerëz, e edhe disa nga ministrat e tu, u mashtruan nga ambicjet e nga vetëvlerësimi, duke humbur kështu, dinjitetin e tyre e dashurinë e tyre të parë;

turpi, sepse breznitë tona po i lënë të rinjve një botë të copëzuar nga përçarjet e luftërat; një botë të brerë nga egoizmi, ku të rinjtë, të vegjlit, të sëmurët e pleqtë lihen krejt në harresë:

turpi, pse s’na vjen turp!

O Zot Jezus, na  jep përherë hirin e turpit shenjt!

Vështrimi ynë është plot pendim e, para heshtjes sate, që flet, lyp mëshirën tënde …

Pendim, që bulon nga siguria se vetëm Ti mund të na shpëtosh nga e keqja, vetëm Ti mund të na shërosh nga gërbula e urrejtjes sonë, e egoizmit,  e fodullëkut, e makutërisë, hakmarrjes, idhujtarisë, vetëm Ti mund të na përqafosh rishtas, të na rijapësh dinjitetin bijnor e të gëzohesh që hymë përsëri në shtëpi, në jetë;

pendim, që mungullon, kur e ndjejmë vogëlsisë tonë, asgjënë tonë, kotësinë tonë, që pranon të ledhatohet nga ftesa jote e ëmbël dhe e fuqishme për  kthesë;

pendimi i Davidit, që nga honi i mjerimit të tij e rigjen në Ty të vetmen forcë;

pendimi, që lind nga turpi ynë, nga siguria se zemra jonë do të jetë përherë e shqetë, derisa të gjejë në Ty  burimin  e vetëm  të përsosurisë e të prehjes;

pendimi i Pjetrit që, duke ndeshur sytë e tu, qau me hidhërim të thellë, sepse të mohoi në sy të njerëzve.

O Zot Jezus, na e jep përherë hirin e pendimit shenjt!

Para madhërisë sate më të lartë, ndizet, në errësirën e dëshpërimit tonë, shkëndija e shpresës, mbasi e dimë se masa jote e vetme e dashurisë, është të duash pa masë;

shpresa, sepse mesazhi yt vijon të frymëzojë, akoma sot, shumë njerëz e popuj e t’i bindë se vetëm e mira mund të fitojë mbi të keqen e ligësinë, vetëm falja mund ta mposhtë mllefin e hakmarrjen, vetëm rrokja vëllazërore, mund ta zhdukë armiqësinë e frikën e tjetrit;

shpresa se flijimi yt vijon akoma sot të përhapë erëmirën e dashurisë hyjnore, që i ledhaton zemrat e shumë të rinjve, të cilët vijojnë t’i kushtojnë jetët e tyre, duke u bërë shembuj të gjallë të dashurisë së krishterë e të dhurimit pa shpërblim në këtë botën tonë të brerë nga logjika e parasë dhe e fitimit pa mundim;

shpresa, sepse shumë misionarë e misionare vijojnë, akoma sot, ta sfidojnë ndërgjegjen e përgjumur të njerëzimit, duke e rrezikuar jetën për t’u shërbyer të varfërve, të flakurve, emigrantëve, të padukshëmve, të shfrytëzuarve, të uriturve e të burgosurve;

shpresa, sepse Kisha jote, e shenjtë e bërë nga mëkatarë, vijon akoma sot, pavarësisht nga përpjekjet për ta diskredituar, të jetë dritë, që ndriçon, inkurajon, larton e dëshmon dashurinë tënde të pafundme për njerëzimin, model njeridashjeje, arkë shëlbimi, burim sigurie e vërtetësie;

shpresë, sepse nga Kryqi yt, fryt i makutërisë dhe marrëzisë të shumë doktorëve të ligjit e hipokritëve, gurroi Ngjallja duke e shndërruar terrin e  varrit në shkrepje të agimit pa perëndim, e duke na mësuar se dashuria jote e pakufi për njerëzimin, model altruizmi, është shpresa jonë;

Zot Jezus, na e jep gjithnjë hirin e shpresës shenjte!

Ndihmona, o Bir i njeriut, të zhvishemi nga arroganca e hajdutit të kryqëzuar në të majtën tënde, e dritëshkurtërve dhe e të korruptuarve, që panë në Ty mundësinë për të shfrytëzuar, për të dënuar, për të kritikuar, panë një të mundur, për ta tallur, një rast të ri, për t’i shkarkuar mbi të tjerët, e deri përmbi Zotin, fajet e tyre!








All the contents on this site are copyrighted ©.