2018-03-31 01:57:00

Nata e Pashkëve: Krishti u Ngjall. Vërtetë u Ngjall, Aleluja!


Nata e Pashkëve: Krishti u Ngjall. Vërtetë u Ngjall, Aleluja! Për shumë Mot kjo Natë e Shenjtë e Pashkëve, kjo Natë e Shenjtë e Krishtit të Ngjallur, ju, të nderuar besimtarë e shqiptarë, kudo që jeni. Drita, bekimi e paqja e Krishtit të Gjall qofshin përherë në zemra e në familje tuaja.

E shtuna e Madhe dhe e Shenjtë është dita e cila bashkon të Premten e Madhe të Pashkëve, përkujtimin e Kryqit me ditën e Ngjalljes së Jezu Krishtit. Prandaj po përshkojmë Natën e Shenjtë të Pashkëve,  në të cilën, Kisha i kumton mbarë njerëzimit aktin vendimtar të Mësuesit Hyjnor: fitoren mbi vdekje, pra Ngjalljen e Jezu Krishtit, Shpëtimtar.

Kjo e vërtetë e fesë së krishterë është pika kulmore e tërë Vitit të Liturgjisë Kishtare dhe thelbi i fesë sonë të krishterë, e për këtë arsye solemniteti i Pashkëve quhet me të drejtë festa e të gjitha festave, e kjo Natë tejet e Shenjtë e Pashkëve, ‘nëna e të gjitha netëve, nëna e të gjitha festave’ të krishtera.

Në këtë Natë të Shenjtë, gjithçka përkon, gjithçka përmblidhet e merr kuptim të ri në Dritën Shpëtimprurëse të Jezusit të Ringjallur. Pra, në këtë Natë të Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, kremtojmë ngjarjen e madhe e vendimtare që ia ndryshoj rrjedhën historisë së njerëzimit: kremtojmë fitoren e Krishti mbi vdekje e këndej më Krishtin e në Krishtin edhe ngadhënjimin e njerëzimit mbi të keqen e vdekjen.

Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve kumtojmë fenë tonë në Krishtin e kryqëzuar, të vdekur e të Ngjallur. Kumtojmë shpresën tonë në njerëzimin e shëlbuar e të bërë “bir” të Zotit. Shpallim sot dashurinë që na shpëtoj e që bëri të lindë në ne dashuria.

Prania në Eukaristi, nata e lutjes në Gjetësemani, falja e armiqve, feja në Krishtin, të Birin e njeriu, përcaktimi mes të mirës e së keqes që çdo njëri duhet të bëj me përgjegjësi të ndërgjegjes së vet, Kryqi i Krishtit, shenjë e dashurisë dhe e lavdërimit: në këtë vështrim duhet t’i përshkojmë orët e mbramë të Jezusit, jo si një përkujtim thjesht të një riti fetar por të një afërsie të besimit e të liturgjisë pashkore, në dashurinë Ngadhënjimtare të Zotit të Jetës.

Duke u Ngjallur, Jezusi i tërheq të gjithë në dritën e Tij dhe fiton mbi çdo formë të errësirës, pohon Kisha në liturgjinë e Natës së Shenjtë të Pashkëve. Në një liturgji të pasur me rrëfime e simbole, që sintetizojnë figurativisht mrekullitë e krijimit, sipas Besëlidhjes së Vjetër e asaj të Re, Kisha na tregon kontrastin e fuqishëm, të përjetshëm, ndërmjet dritës dhe errësirës, duke shpjeguar edhe çka do të thotë ‘dritë’ e çka do të thotë ‘errësirë’.

Prej këndej, shpjegon edhe kuptimin e fjalëve “dritë” e “ndriçim”.  Kështu, në Natën pa gjumë të Pashkëve, natë e krijimit të ri, Kisha e paraqet misterin e Dritës me një simbol shumë të veçantë e krejt të përvuajtur: me një Qiri Pashke. Është drita, që jeton në sajë të flijimit. Qiriu ndriçon, duke shkrirë vetveten. Jep dritë e ngrohtësi, duke dhuruar vetveten. Deri në fund të fundit! Bëhet, kështu, simbol mahnitës i misterit të Pashkës së Krishtit, i cili, duke dhuruar vetveten, na jep Dritën e madhe. Qiriu i Pashkës pra na kujton edhe se drita e Krishtit është zjarr. Zjarri është forca që i jep trajtë botës; fuqia që shndërron.

E, të mos harrojmë, pa zjarr, nuk ka ngrohje. Edhe këtu bëhet i dukshëm misteri i Krishtit. Jezu Krishti, dritë, zjarr, flakë që djeg të keqen, duke e shndërruar, kështu, botën, e të gjithë neve. “Kush është pranë meje, është pranë zjarrit”, tingëllon fuqishëm në Natën e pagjumë të Pashkëve, kjo fjalë e Jezusit, që vjen mes nesh përmes veprës së Origjenit. E ky zjarr është njëherësh edhe ngrohtësi; nuk është dritë e akullt, por dritë në të cilën shkrihen në një ngrohtësia dhe mirësia e Zotit.

Në Vigjiljen e Pashkëve, Kisha na tregon se Krishti mbi Kryq e shkatërroi njeriun e vjetër e mendjemadh, duke bërë të rilindët si krijesë e re. Ngjallja e Krishtit është dritë e re, që ndryshon botën. Po, njeriu vazhdon të tundohet edhe nga aftësitë e veta dhe rrezikon të qëndrojë në errësirën e horizontit të tij të ngushtë. Kështu, liturgjia e Natës së Shenjtë të Pashkëve na fton të shohim përtej gjërave materiale, të besojmë në Zotin dhe të mirën. Prandaj e kemi fenë, që na tregon dritën e Zotit, ndriçimin e vërtetë të jetës. Feja është hyrje e furishme e dritës së Hyjit në botë, ajo na i hap sytë për shkëlqimin e vërtetë.

Ta lusim, prandaj Zotin, në këtë Natë të pagjumë, të na mbushë plot me gëzimin e Dritës së Tij! Ta lusim që edhe ne të bëhemi mbartës të Dritës së Krishtit të Ngjallur; e që përmes Kishës, shkëlqimi i fytyrës së Krishtit, të hyjë në jetën e botës. Krishti u Ngjall! Vërtetë u Ngjall! Aleluja! Për shumë vjet Pashkët!

E Shtuna e Madhe: 'Exultet’ - ‘Galdimi’ i Natës së Pashkëve:
O natë, më e ndritshme se dita.
Natë në të cilën dashuria
del nga terri.
Natë që çliron
Jezusin nga varri.
Natë më e bardhë se dëbora,
më e ndritshëm se drita e qirinjve,
më e kthjelltë se dita.

Nata më e ëmbël e qiellit.
Nata-roje e korpit të Krishtit,
natë kur Fryma e Zotit
tokën përshkon.
Natë që mbushet me yje,
natë e fitores,
që vdekjen e mund.
Më e ëmbla natë e qiellit.

Nata më e pasur me paqe.
Natë që fiton mbi botën e errët.
Natë e hirit që ndrit si lumnia.
Natë që josh historinë,
zemrën e përlyer që e kullon.
Nata më e pasur me paqe. 

O natë, më e fortë se koha.
Natë e të Gjallit mbi univers.
Natë e fjalës
që mbush çdo heshtim.
Natë në të cilën Kisha 
del në dritë.
Natë e ujit të gjallë,
pas ngricave dimërore.
O natë, ti më e fortë se koha”.

Natën e Pashkëve ndjehet fort atmosfera e Meshës së Mesnatës të Krishtlindjes. Edhe bashkësia është e njëjtë. E njëjtë edhe bukuria e liturgjisë që kremtohet në errësirën e natës. Janë të pranishëm të krishterët që duan të jetojnë në një hapësirë, në të cilën kremtohen të gjitha simbolet, lexohen të gjitha leximet, kryhen të gjitha gjestet e nevojshme për të rijetuar ngjarjen më të madhe të historisë së njerëzimit: Ngjalljen prej të vdekurve. Faleminderit Zotit, të krishterë të tillë nuk mungojnë. Ata sonte mbushin përplot Kishat në të katër anët e botës, për të dëgjuar, edhe një herë të parët, lajmin e madh: “Krishti u ngjall! Krishti është ndërmjet nesh! E atëherë luten:
“Jezus i kryqëzuar e i ngjallur, rri me ne! 
Rri me ne, mik besnik e mbështetje e sigurt
e njerëzimit në shtegtim nëpër rrugët e botës!
Ti, Fjalë e gjallë e Atit,
jepu shpresë e besim atyre që e kërkojnë
kuptimin e vërtetë të jetës së tyre.
Ti, Bukë e jetës së pasosur, ushqeje njeriun
e uritur për vërtetësi, për liri, për drejtësi, për paqe. 

Rri me ne, Fjalë e gjallë e Atit,
mësona fjalë e gjeste paqeje:
paqe për tokën e shuguruar nga gjaku yt;
paqe për Vendet e Lindjes së Mesme e të Afrikës,
ku vijon të rrjedhë gjaku rrëké:
paqe për mbarë njerëzimin, mbi të cilin varet përherë
rreziku i luftërave vëllavrasëse”.

Krishti kërkon drejtësi e solidaritet bujar për masat njerëzore që edhe sot vuajnë e vdesin nga mjerimi e nga uria, të dhjetuara prej epidemive vdekjeprurëse e të thyera më dysh nën peshën e katastrofave natyrore. Nëpër forcën e Ngjalljes së Zotit, qofshin edhe ata pjesëtarë të një jete të re. 

“Edhe ne, burrat e gratë e mijëvjeçarit të tretë,
kemi nevojë për ty, o Zot i ngjallur!
Rri me ne deri në fund të kohëve.
Bëj që progresi material i popujve
të mos i errësojë kurrë vlerat shpirtërore
që janë shpirti i qytetërimeve të tyre.
Na ndihmo, të lutemi, në shtegtimin tonë.
Besojmë në Ty, në Ty shpresojmë, sepse vetëm ti ke fjalët jete të pasosur…”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.