2018-03-30 13:30:00

“Të shikoj, Jezus": zërat e autorëve të rinj të Udhës së Kryqit në Koloseum


Sonte, duke nisur nga ora 21.15, Papa Françesku, besimtarët e mbledhur në Koloseum dhe miliona shikues, të lidhur me mondovizion, do të rijetojnë Mundimet e Krishtit, të ndihmuar nga meditimet, që shoqërojnë 14 stacionet e Udhës së Kryqit. Autorët e kësaj Udhe sivjet janë 15 nxënës e studentë të rinj, ndërmjet 16 e 26 vjetësh, të zgjedhur e të drejtuar nga profesori i tyre i besimit, Andrea Monda, gazetar e shkrimtar. Dy nga dy do të mbartin edhe Kryqin në shtatë stacione, ndërsa në Stacionin XII, Kryqin do ta mbartin Profesor Monda, bashkëshortja e tij, Elvira dhe i biri, Dante, autor i meditimeve të të njëjtit stacion.

Cecilia Nardini, që shkroi meditimet e Stacionit VI, “Veronika fshin lotët  nga fytyra e Jezusit”, e që do ta mbajë kryqin në Stacionin V, mendon se Veronika i afrohet Jezusit pa menduar fare për shpërfytyrimin e Zotit. Çka e shtyn, është dëshira për ta ndihmuar, jo fytyra e përgjakur, ndërsa në botën e sotme njeriu gjykohet kryesisht nga dukja. Sofia Russo, që meditoi takimin e Jezusit me gratë, në Stacionin VIII, e që do ta mbajë Kryqin në Stacionin VI, së bashku me Francesco Porceddu, autor i të Stacionit VII, pohon se nuk  i pëlqen qëndrimi që mbajmë sot ndaj tjetrit, i ngarkuar vetëm me gjykime, ndërsa Jezusi i qorton gratë jo për t’i gjykuar, por për t’u treguar udhën e drejtë. Pastaj flet Greta Giglio, që reflektoi për Stacionin X, në të cilin Jezusin e zhveshin, e do ta mbajë Kryqin në Stacionin VIII. Jezusi, i zhveshur nga gjithçka, edhe nga petkat - pohon - na kujton njerëzit, që vijnë këtu, tek ne, të zhveshur nga çdo e mirë, edhe nga dinjiteti”

Së fundi na flet edhe Andrea Monda, që i drejtoi 15 autorët: “Janë vetëm, në një botë, që i bombardon me mesazhe e figura - na thotë - e kanë nevojë për të rritur të besueshëm, që dinë t’i dëgjojnë e t’i lejojnë të japin edhe mendimin e tyre.

Tekstet e Udhës së Kryqit me meditimet e të rinjve, mund ta ndiqni në faqen tonë të internetit, ndërsa ne zgjodhëm për transemtimin tonë, një Udhë tjetër Kryqi…








All the contents on this site are copyrighted ©.