2018-03-30 10:00:00

Udha e Krygjës 2018


Kjo Udhë Krygje u thur me fjalorin poetik dhe vargjet, krijuar nga tre Poetë shqiptarë, meshtarë e laikë, përfaqësues të tri breznive: Atë Gjergj Fishta OFM, Pashko Gjeçi dhe Atë Vinko Malaj, OFM,  e u përshtat për të Premten e Madhe 2018.

Stacioni I: Jezusi dënohet me vdekje

“Ecce Homo!” -  briti me sa zâ qi kishte

romaku. Krahve të shprishun hjellë nji mbloje;

me ‘i kunorë ferrash n’krye,  kambzdathë po vite

 

nji nieri. Populli briti: “Kryqzoje!”.

“Po ky s’ka faj” tha kah për tê dhimë ndite!

Ndrejtë në kambë, me ‘i kallam n’dorë

                                    pa qitë fjalë goje

Krishti Mbret, e gjak prej kresë n’për mjekërr bite

 

“Ka fye Çezarin” zane ushtuen, të droje

Filloi zyrtari atbotë: “S’due me u përzí

n’gjak t’njaj t’pafaji”. U dridhen si n’gjamë t’motit

 

shpijat: “Aj gjak raftë krejt mbi né, mbi fmí!”.

Kadalë i çoi qerpik’t e rít prej lotit

Martiri dhe i shikjoi: “Por e kanë ndí

ato mure sa i randë kje gjaku i Zotit”.1

Stacioni II: Jezusi ngarkohet me kryq2

Sa çel e mbyll sytë

mbi sup i randoi kryqi.

Jezusi ndjeu se do t’i fikej jeta.

Ai, që ishte dëshirë,

shpresë, shenj

Krishti, që ishte Krisht,

i pavdekshëm,

ndjeu se njeriu

po e dënonte me dekë

tue i hapë, kështu,

Atij e vetvetes,

udhën e Ngjalljes!

Stacioni III: Jezusi rrëxohet për herë të parë

U nis,

nën barrën e randë të kryqit.

I vlojshin mendimet

si në vorbull;

si shpresat e harrueme

nen hinin e votrës.

I vlojshin për motet e ardhshme.

Po i sotmi ishte

agim i zymtë.

Kumbonët binin vetëm

në tempull të zemrës,

 nësa rrëzohej për të parën herë…

nën barrën e randë të kryqit…

Stacioni IV: Jezusi  takohet me Nanën

Çoi kryet…

Një vaj i thektë,

ma shumë se kryqi

mbi zemër i randoi;

ma shumë se shpresat e shueme

të fëmijnisë.

Një lindje, një jetë, një vdekje

janë pak për një Zot -

e shumë për një nanë

që e ndjek në udhë t’Kalvarit

Birin e vetëm:

pa bukë

   pa ujë

       pa gjumë,

po jo  pa liri.

Thembren gur,

po jo kurrë zemrën gur.

Një nanë që qan,

e në kokërr të lotit

sheh Birin në kryq,

Birin la në gjak

Birin që shkon tue u rrëzue

kah Kalvari

në Golgotë…

Stacioni V: Jezusi ndihmohet për ta bajtë kryqin prej Cireneut

Si mund ta dinte katundari

që kthehej lodhë nga ara,

me duert regjun nga djersa

e plasë krejt nga parmenda,

çka mendon Zoti,

çka sajon Zoti,

çka andërron Zoti?

Zoti i rrahun në kamxhik,

i rreshkun e i përvluem

prej diellit e prej etjes,

ecte…

nën peshën e randë të kryqit …

Sytë e Jezusit pushuen një çast

mbi sytë e Kireneut.

E ai pa andrrën tue xixëllue

ndër ta porsi gur stralli:

për me shkrepë shkëndija,

me ndezë zjarmije,

me nxe edhe me djegë

e me i dhanë jetë njerëzimit

të kapërthyem ndër lufta

Psherëtiu një herë…

Mandej e mori

drunin përmbi shpinë

e u ba i fortë si gur:

si gur me harqe,

që lidh bregun me breg,

fisin me fis,

kombin me komb,

kulturën me kulturë!

E mori kryqin

e mbet me të mbi shpinë

ndër udhët pambarim…

Mbeti tue ecë mbas Krishtit

deri në amshim.

Stacioni VI: Shën Veronika ia fshin Jezusit fytyrën

Iu qas Veronika

Zotit të vet…

E, si në libër andrrash,

vulosi mbi peshqir

fytyrën e tij

të pikturueme përmbi pëlhurë

me djersë e gjak.

Afresk me dy ngjyra:

ngjyrat e vdekjes

e të jetës.

Ngjyra, që thonë se jeta

nuk ka veshtrim as kuptim

pa dashuni

pa vetëflijim!

Si në një libër andrrash

Zoti la fytyrën e vet mbi pëlhurë,

që e ruejti përfytyrimin

edhe mbas vdekjes,

në albumin e amshimit!

Stacioni VII: Jezusi rrëxohet për herë të dytë

Zoti-me-ne Emmanuel

Shëlbues e Mesi

ecte e rrëxohej

Në këtë shekull të zi.

Si në kryq t’ Golgotës,

e në grazhd të Betlemit

ai bahej lojë e polemit

e shkandull i mbarë botës.

Gur i flakun sot,

E gur themeli për jetë e mot!

Stacioni VIII:  Jezusi takohet me gratë e Jeruzalemit

E ndiqshin gratë tue qa.

E Ai u gjegj:

“Vdekje n’t’vërtetë nuk ka.

Ajo asht veç ekstazë,

një kurrgjasend:

ankth, trishtim, tymtajë…

Asht shkapërcim prej shtegut n’shteg.

Kalim prej shkretisë, në oazë…

Mos qani gra!

Vdekja asht urë,

tunel, galeri e nëndheshme,

udhëtim anë e kand

prej një jete së shkurtë

e të shueme

t’këtij shekulli të zi,

në tjetrën jetë:

ma të mirë,

ma të bukur,

ma të lirë.

Fatlume n’lumni.

Vdekja asht motra jonë,

ardhtë e bardhë gjithmonë!

Stacioni IX: Jezusi rrëzohet për herë të tretë

Lëngonte për vdekje prej plagësh,

prej peshës së kryqit;

e ra përsëri përdhe.

S’i dhimbej vetja, por njerëzit

që s’prajshin tue e pështy.

Ndër ta shikonte njeriun,

e kapërthyem ndër lufta 

të randa, sa pesha e Kryqit

nën të cilin ra përsëri…

E  pa mbi vedi

emblema t’frikshme motesh.

Pa zjarm mbas zjarmi,

sa hyjt njeni mbas tjetrit

ndezun për me ba dhunë

prej mendjesh të këqija.

Desht me ulë kryet…

Po ndjeu se s’ishte vetëm.

Dikush po e veshtronte

andej kufijve  të botës.

Një Frymë e ngrohtë

i rrinte pezull

përmbi vetminë e Kryqit.

Dielli i depërtoi ndër dej..

Një rreze i shkjeu retë

e i priu përpara

kah Mali i Rrashtës.

Stacioni X: Jezusit ia zhdeshin petkat

Lehtë-lehtë koha fluturonte

e Zoti mbërriti mbi Golgotë.

Koha rridhte

rrëmbyeshëm si rrjedh uji.

Hyjtë prej nalt

mbi diell e përmbi hanë

soditshin Zotin e tyne

la në gjak.

Zotin, të zhdeshun picak.

E Ai çoi sytë

e hyjt i pa kah lulëzojnë

në kopshtin e qiellës

për bukuri.

Po poshtë shikonte veç dhimbje,

ndigjonte veç dënesë

Prej syve të Tij vetima

u shkëputën të stuhishme.

Prej gojës - gjamë u ndigjuen t’ furishme

E prej qerpikëve ranë pika djerse e gjaku.

E bindi qiellën me një britmë

që e trandi krejt gjithësinë

e zemrën e Atit.

Stacioni XI: Jezusin e mbërthejnë mbi kryq

Kryqëzuesit shpejtonin

frigueshëm

               pa pushue.

Muzika e vetme

n’atë pejzazh morti

ishte goditja e gozhdave

e zhurma e thekët çekiçit

përmbi mish të gjallë,

prej kah gurronte

Gjaku i paçmueshëm…

Stacioni XI:  Jezusi vdes mbi Kryq3

Qiella âsht muzgë e shkimë âsht dielli;

Dridhet toka tue gjimue;

Rruzullimit trandet shtielli;

Gjâmen t’dekunt kanë vezhgue;

Shkamijt tmera po i pershkon.

Tisi i tempullit âsht shkye,

Rrebtë ka shekullin trandë thellimi,

A natyra âsht tue shperthye

E rroposet rruzullimi

Ase Zoti dikû pson.

Jo! Pson Zoti ! T’Izraelit

Bijt e prûjtun n’mal të Golgotit

Mbi nji t’ashper drû zabelit

Kryqëzue paskan t’Bir’n e Zotit:

Krejt e paskan lá me gjak.

N’atë shëmtim, n’atë mizori

Kqyrë i Ati nalt prej qiellet;

E, kah sheh atë kob të zí

Idhshem mnija xên e i pshtiellet

Edhe mshirës i vên ai cak

Stacioni XIII:  Jezusin e zbresin nga kryqi

E u ndi ma mbramja rrahje e zemrës

E e para frymë e amshimit.

Shkëndi, zjarm, ngrohtësi

që i jep çdo çasti përjetësi.

Mbarimi ish fillim

lumni edhe qindresë

se Krishti ishte Zot,

nuk kishte lindë të vdesë!

Stacioni XIV: Trupin e Jezusin e vendosin në vorr

U zgjue në vorr.

E i la mbas rrasës

gjithë andrrat e këqija;

jashtë rrasës,

t’gjitha pranverat e njerëzimit.

Zemra drejt amshimit fluturoi me vrull

pa e humbë kurrë rrugën e kthimit!

E mati thellësinë,

e kuptimit të rrezeve hyjnore.

E u ba dhuratë

për të tjerë, bujarisht

Dhuroi amshimin

që njeriu

t’i besonte thellësisht.

Epilog-Lutje

O Ti Gjaku i Flís s’hyjnueshme,

Fise e popuj qi vllaznove,

Deh! ‘dhe n’dritë të jetës s’lumnueshme,

Me çmim t’And qi na fitove,

Fise e popuj Ti bashkoi! 3

 

1 Nga Zani i Shna Ndout, nr. 4, 1937, fq 105-106

2 Atë Vinko Malaj, nga “Papërdhokë e gurë faqokë”, Tuz, 2010

“Vallja e Parrizit”, Shkodër, 1940, P.Gjergj Fishta,  Të Kryqzuemit, fq 7-11








All the contents on this site are copyrighted ©.