2018-03-30 19:11:00

Mundimet e Zotit. Cantalamessa: të rinj, shkoni drejt Jezusit Shëlbues


Në vitin, në të cilin Kisha kremton Sinodin kushtuar të rinjve e dëshiron të vërë në qendër shqetësimin e saj baritor, prania mbi Kalvar e Shën Gjonit, dishepullit, që Jezusi e donte, mbart një mesazh  të veçantë për të gjithë, posaçërisht për të rinjtë - kujtoi predikatari i Shtëpisë Papnore. - Ai pa! Kemi, pra një dëshmitar, që e pa me sytë e tij mrekullinë e Kalvarit! Në reflektimin e së Premtes së Madhe të predikatarit të Shtëpisë papnore, atë Raniero Cantalamessa, shqiptuar në praninë e Papës, në Bazilikën e Shën Pjetrit, u ndje fort horizonti i vëmendjes, që i kushton Kisha të rinjve  e që lidhet me figurën e ungjilltarit Gjon, Shën Gjonit, dishepullit - kujtoi predikatari i Shtëpisë Papnore. - Dëshmitarit, që e pa me sytë e tij mrekullinë e Kalvarit!

Gjoni, i ri i dashuruar me Jezusin

Rregulltari kapuçin kujtoi se Gjoni e deshi Jezusin kur ishte shumë i ri. Ishte dashuri e vërtetë, të cilës iu kushtua aq, sa përnjëherësh e ndjeu se  gjithçka tjetër kalonte në plan të dytë. Duke u nisur nga ky përkushtim i Gjonit, atë Cantalamessa filloi të arsyetojë për rrugën e nisur nga të rinjtë lidhur me Sinodin e tetorit 2018:

“Me të drejtë do të përpiqet, në këtë vit, të zbulojë, së bashku me ta, çfarë pret Krishti nga të rinjtë e ç’mund t’i japin ata Kishës e shoqërisë. Por gjëja më e rëndësishme është një tjetër; t’i bëjë të rinjtë të mësojnë ç’mund t’u japë atyre Jezusi. Gjoni e zbuloi këtë, duke ndenjur me Krishtin: mund t’u japë ‘gëzim të plotë e jetë me begati’”.

E këtë – kujtoi atë Cantalamessa - mund ta provojnë të gjithë, “sepse Zoti u ngjall, është i gjallë, jo personazh. Gjithçka është e mundur pas këtij takimi personal e s’ka gjë në botë që mund ta shndërrojë jetën, pa Të.

Guximi për të shkuar kundër rrymës

Përveç shembullit të jetës së vet - vijoi prediktari - Gjoni la edhe një mesazh drejtuar të rinjve. Në Letrën e tij të Parë lexojmë këto fjalë prekëse, drejtuar nga një i moshuar, të rinjve të kishave të themeluara prej tij:

“Ju shkruaj ju, të rinj, sepse jeni të fortë e fjala e Zotit mbetet në ju e ju e mundët Djallin e mallkuar. Mos e duani botën, as sendet e botës”.

E bota, që nuk duhet ta duam e së cilës nuk duhet t’i përkasim, nuk është, e dimë, bota e krijuar nga Zoti, të cilën Zoti e do. Nuk janë njerëzit, të cilët duhet t’i duam e t’i ndihmojmë. Eshtë parimi, që sundon botën: “egoizmi”. Shpirti i kohëve. Konformizmi. Bota, të cilën nuk duhet ta duam, është ajo që u  bë nën sundimin e Shejtanit e të mëkatit. Të veprosh a të mendosh kundër saj, sot shikohet si gjë pa kuptim, si padrejtësi, madje si krim. Një poet i madh besimtar i shekullit të kaluar, T.S, Eliot, pati shkruar tre vargje, që thonë më shumë se një bibliotekë e tërë: “Në një botë dezertorësh, njeriu që merr drejtim të kundërt, duket dezertor”.

E, pas këtyre vargjeve, thirrja e predikatarit kapuçin:

“Të dashur të rinj të krishterë, merrni drejtim të kundërt! Kini guxim të shkoni kundër rrymës”. E drejtimi i kundërt për ne nuk është vend, është Vetje: është Jezusi, miku e shëlbuesi ynë!

Dashuria e Krishtit është dhuratë e plotë deri në fund të fundit

Atë Cantalamessa kujtoi edhe kategoritë e eros e të agapes, për të shpjeguar dashurinë e Zotit, që na dhurohet e na kërkon. “Zoti nuk bën vetëm bamirësi duke na dashur, ai na dëshiron! Në të gjithë Biblën paraqitet si i dashuruar e xheloz. Një dhurim i plotë, që arrin kulmin me Mundimet: “Krishti mbi Kryq ishte tempulli i ri i Hyjit. E nga kraharori i tij, siç kish paralajmëruar Izaia Profet, gurronte uji i jetës, e shpirti, të cilin Ai e jepte në çastin e vdekjes, ishte fillesë e krijimit të ri, që shndërroi gjithçka”. Ai ujë e ai gjak, që gurruan nga kraharori i Tij, arrijnë sot në Sakramentet e Kishës e në Fjalën, edhe duke ia ngulur sytë plot me fe Krishtit të Kryqëzuar!








All the contents on this site are copyrighted ©.