2018-03-29 13:43:00

Imzot Pizzaballa: gjithë jeta jonë përshkohet nga Ngjallja e Krishtit


Administratori  apostolik, Imzot Pizzaballa, që prej 20 vjetësh në Tokën Shenjte, flet për Pashkët, për vuajtjen e popullit të krishterë dhe për lidhjen me Kishat e tjera të Jeruzalemit.

Me rastin e Pashkëve, shtegtarë nga mbarë bota vijojnë të arrijnë në Tokën Shenjte për të marrë pjesë në liturgjitë e Javës së Madhe, viseve ku Jezusi lindi, jetoi, kreu misionin e Tij, vdiq dhe u ngjall. Në këto ditë regjistrohet një dyndje gjithnjë më e madhe e shtegtarëve, ardhur nga të katër anët e botës, që e jetojnë atmosferën e shtegtimit në Viset e Shenjta me besimtarë të kombeve e të konfesioneve të ndryshme të krishtera. Kremtimi i Triditshit të Pashkëve duhet të respektojë staus quo-në e imponuar para reformës liturgjike, prej këndej,  Mesha e Natës së Pashkëve në Bazilikën e Varrit Shenjt, kremtohet të shtunën paradite.

Mbi domethënien e Pashkëve në Tokën Shenjte - shenjte, por shpesh të shkurajuar nga një mori trazirash - mendimi i Administratorit apostolik të patriarkatit latin, imzot Pierbattista Pizzaballa:

Pashka është vetë Jezusi, që bëhet shok udhe me çdo njeri. E kjo do të thotë se edhe i krishteri duhet të bëhet shok udhe me çdo njeri, të rilexojë historinë e vet e ta njohë Jezusin “në të thyer të bukës”. Besoj se mesazhi i Pashkëve duhet të jetë ky: “Nuk ka asnjë vend të përvojës njerëzore, që të mos jetë takuar me përvojën e Ngjalljes dhe të jetës së Jezusit.

Jezusi mbi kryq, pikërisht mbi Kalvar, në një nga çastet e fundit, lëshoi britmën: “Elí, Elí, lemà sabactàni”! “Atë, o Atë, pse më lëshove dore? Sot, ç’kuptim ka kjo britmë e, sidomos, në Tokën Shenjte?

Toka Shenjte, si shumë tokë shenjte të botës, e edhe këto troje rreth nesh, është përvoja njerëzore e Jezusit, e braktisjes, e vetmisë, besoj, përvojë personale e çdo njeriu. Shpesh është ajo, që provojmë edhe ne, kur e shikojmë këtë tokë, prej dekadash në pritje të ringjalljes së saj, të një jete tjetër, nuk po them të re, por së paku, të ndryshme. Duhet të kujtohemi, atëherë, t’i hapim sytë e ta shikojmë këtë Jezus e t’i lutemi të na ndihmojë për ta rilexuar jetën tonë e për të shikuar se, pavarësisht nga gjithçka, edhe këtu nuk mungojnë shenjat e rilindjes.

Ju i njihni mirë të krishterët e këtushëm. Cilat janë “vdekjet”, që presin ringjallje në këto vise?

Vdekjet janë të shumta: vdekje në nivel shoqëror, politik, personal, familjar, madje edhe kishtar nganjëherë! Vdekje do të thotë të mos besosh më në tjetrin, të humbasësh entuziazmin, të mendosh se nuk mund të ndryshojë asgjë, se nuk mund të bëhet më asgjë. Gjithçka do të mbetet siç ishte. E trishtë e pa rrugëdalje. Në shekuj të shekujve… Kjo është vdekja më e keqe, sepse i hap rrugën një mori vdekjesh të tjera. Frikës, për shembull, që edhe ajo është një lloj vdekjeje. E edhe vdekjes së bashkësisë sonë, po të besojë se nuk mund të presësh më asgjë nga e ardhmja. Se nuk mund të bëhet më asgjë! Por nuk duhet menduar kështu, diçka mund të bëhet gjithnjë!

Disa nga të krishterët latinë – në Nablus e në Ramallah, për shembull, ose edhe në Jordani - i kremtojmë Pashkët me ortodoksët…

Pjesa kryesore e dioqezës i kremton Pashkët me ortodoksët. Këtu, në Jeruzalem,  mendojmë se mbarë bota është si ne, por jashtë kësaj bote punët janë ndryshe. Jordania - mbarë Jordania - ndjek kalendarin ortodoks të Pashkëve, por jo të Krishtlindjes; Izraeli, Palestina e Qipro ndjekin kalendarin ortodoks; dy të parat e ndjekin përgjysëm. Famullitë më të mëdha, që kanë marrëdhënie me botën e gjerë ndërkombëtare, ndjekin kalendarin latin; famullitë në zonat më të brendshme, ndjekin atë ortodoks. Në Jeruzalem është Varri i Shenjtë, që i detyron të gjithë t’i ndjekin atje kremtimet. Kremtimi nuk është i detyruar; detyrimi është thjesht moral. Famullitë, që janë edhe vise shenjte - duhet ta ndjekin, sepse kanë lidhje me shtegtarët, që vijnë t’i kalojnë Pashkët këtu. Për fat të keq, ndarja e kishave në Tokën Shenjte, krijon situata të pakorrigjueshme: idealisht duam të rrimë të gjithë së bashku, por teknikisht jeta praktike na shtrëngon të përballojmë situata të ndryshme.

Duke folur për Varrin Shenjt, disa e konsiderojnë  pakëz  - si ta themi - “vend shkandulli”, pikërisht në kuptimin se atje e shikojnë më qartë ndarjen ndërmjet Kishave. Ndërsa ju, që e njihni këtë vend, ç’mund të na thoni, për të na bindur se nuk është kështu?

Shkandulluese janë ndarjet, jo Varri Shenjt! Kur ndokush arrin tek Varri Shenjt, mbetet i shkandulluar, sepse atje ndarja bëhet më e dukshme, më konkrete, më e prekshme: e prek me dorë, e ndjehesh vërtet keq. Kur kalohet nga teoria në praktikë, është ndryshe. Varri Shenjt të ndihmon të jetosh përvojën konkrete të një realiteti, për fat të keq, të dhimbshëm: atij të ndarjes ndërmjet kishave. Si e thamë këtë, shtojmë edhe se shtegtari duhet shoqëruar të bëjë një hap mbrapa,  të mos e shikojë realitetin duke u nisur nga paragjykimi i vet, nga shpresat e veta, por ta shikojë këtë realitet ashtu siç është. Natyrisht është i dhimbshëm, por ka edhe aspekte mahnitëse, siç janë traditat e larmishme, shumë të ndryshme, mënyrat e lutjes, këngët, himnet, që i bashkon si fill i artë, dashuria e njëjtë për Krishtin. Pastaj  shikon edhe një mori traditash kulturore e dëgjon po aq gjuhë të ndryshme. E kjo krijon një atmosferë të veçantë, të jashtëzakonshme, që të mbetet përgjithmonë në shpirt e në kujtesë! Duke e marrë me vete kur kthehesh, ndjen se more me vete vetë Krishtin!








All the contents on this site are copyrighted ©.