2018-03-29 07:00:00

Enjtja e Shenjtë e Pashkëve: Eukaristia - falënderim ndaj Zotit!


Enjtja e Shenjtë e Pashkëve: Eukaristia - falënderim ndaj Zotit! Fjala qendrore, madje thelbi i ditës së Enjtes së Madhe të Pashkëve dhe i tërë jetës së Kishës e këndej të besimtarëve është fjala Eukaristi. Në vetvete “Eukaristi” do të thotë mirënjohje, dhënie falas, pra falënderim. Për të krishterët është falënderim ndaj Zotit. Katër tekste të Besëlidhjes së Re rrëfejnë për themelimin e Eukaristisë: Mt 26,26-29; Mk 14,22-25; Lk 22,15-20; 1Kor 11,23vv.  Po të ndalemi më hollësisht te fjala Eukaristi!

Eukaristia është mbi të gjitha mister i fesë, dhurata më çmuar e Jezusit, i cili flijon vetveten për shpëtimin tonë. Duke kremtuar Eukaristinë, ngjarja shëlbuese e vdekjes dhe e ngjalljes së Jezusit, bëhet realisht e pranishme dhe vepruese: ky flijim është aq vendimtar për shëlbimin e gjinisë njerëzore, sa Jezu Krishti e kreu dhe u kthye te Ati Qiellor vetëm pasi na la mjetin për të marrë pjesë në Të e për të gëzuar frytet shëlbuese të flijimit të Tij. Eukaristia është bukë e gjallë që na jep ditë për ditë forcë e gjallëri.

Në radhë të dytë, Eukaristia themelon Kishën. Shkrirja me Krishtin, që realizohet në Pagëzim, fuqizohet më tej në Eukaristi. Mund të themi se jo vetëm secili prej nesh e merr Krishtin, por se edhe Krishti e merr secilin prej nesh. Eukaristia ka aftësi bashkuese. Duke qenë të pranishëm në Eukaristi, besimtarët bëhen një trup i vetëm, që nga çasti kur të gjithë marrin pjesë nga njëjta bukë, siç thotë edhe Shën Pali Apostull në letrën e parë drejtuar Korintianëve. Kujtojmë këtu edhe vlerën e madhe të kultit eukaristik jashtë Meshe, me Sakramentin jashtë e me ndalesat adhuruese ose vizitat e vazhdueshme tek Jezusi eukaristik. Lidhur me këtë, kujtojmë një episod nga jeta e Edith Stein. Një nga arsyet që e shtynë të rrokte fenë e krishterë, qe pikërisht përvoja e vizitave te Jezusi Eukaristik nga ana e besimtarëve të veçantë në Kishën katolike të Gjermanisë. Vërejti se katolikët shkonin të vizitonin një të Gjallë, Jezusin, mikun e tyre besnik e shëlbues.

Në radhë të tretë vlen të theksohet, në se flasim me gjuhën e baritorisë, është lidhja ndërmjet eukaristisë dhe sakramentit të pendesës, rrëfimit. Pajtimi është rrugë e detyrueshme. Pa të nuk mund të merret pjesë plotësisht e me fryt në flijimin eukaristik. Eukaristisë duhet t'i afrohemi vetëm në se jemi në hir të Zotit. Ky bashkim i brendshëm hiri me Jezusin, duhet shprehur pastaj edhe në bashkimin kishtar: në bashkimin me Papën e me ipeshkvijtë si dhe me magjisterin e tyre baritor. Prandaj Eukaristia krijon bashkimin dhe edukon bashkimin!

Ngjarja kryesore e kremtimit të Darkës së Fundit të Enjten e Shenjtë, është dhurata e madhe e Krishtit: përmes flijimit të vetvetes, themelon Eukaristinë. Duke e pas dashur Kishën e vet, Jezusi e deshi deri në fund të fundit. Natën para se të mundohej e të vdiste, u dha apostujve të vet e, përmes tyre edhe mbarë Kishës, Eukaristinë shenjte. E filloi duke ua larë këmbët. Ky gjest qe provë e madhe dashurie e përvujtërie. Kështu Jezusi u mësonte apostujve ta donin atë dhe njëri tjetrin. Gjatë Darkës, me fjalë solemne që nënkuptonin flijimin e tij të afërt mbi Kryq, Jezusi e shndërroi bukën në korp të vetin e verën, në gjak të vetin e ua dha apostujve ta hanin e ta pinin. E shtoi: "Bëjeni këtë në kujtimin tim!". Dhuronte kështu Sakramenti e Urdhrit të Shenjtë, atë të meshtarisë. Jezusi i shuguroi meshtarë apostujt e vet, sepse u dha atyre pushtetin për të shuguruar bukën e verën, duke i shndërruar në korpin e gjakun e Tij, për t'ia ofruar pastaj këtë flijim Atit të Amshuar. Prej këndej mund të themi se sonte Kisha adhuron dhe falënderon Jezusin për flijimin dhe për Sakramentin e Eukaristisë Shenjte!

Edhe Kisha në kremtimet e rastit, duke i ftuar të gjithë besimtarët të ulen rreth sofrës hyjnore, së bashku me Krishtin, rikujtoi çastet kulmore të Darkës së Fundit të Zotit dhe shpjegon simbolet kryesore: larjen e këmbëve, simbol i shërbimit dhe i dashurisë vëllazërore e themelimin e Eukaristisë, misterit më të madh e më të pashqyrtueshëm për arsyen njerëzore, që na bën një me Krishtin dhe me vëllezërit, përmes simboleve të thjeshta Eukaristike: do të thotë bukës e verës që shndërrohen në Korpin e në Gjakun e Krishtit.

Është e Enjtja e Madhe, o Zot, e ti më vë para bukën e jetës

Është e Enjtja e Madhe, o Zot,
e ti më vë përpara
bukën e verën
që unë të ha e të pi
e të marr pjesë kështu në jetën tënde të ndërprerë,
ofruar për shpëtimin e botës.

Asgjë më shumë se ajo bukë
nuk mund të flasë për Ty,
për gjithçka ke dhuruar:
fjalët, gjestet,
energjitë e kohën,
dashurinë dhe mëshirën tënde.

Asgjë më shumë se ajo verë
s’më kujton se ke derdhur
gjakun për ne në kryq
si një përrua që rigjallëron
njerëzimin mbarë
dhe tokën shndërron.

Është e Enjtja e Madhe, o Zot
E ti më vë përpara
Mjetet e shërbimit:
ibrikun dhe legenin
përparësen dhe peshqirin.


Asgjë më shumë se këto objekte,
të thjeshta e të përvuajtura,
s’më kujtojnë detyrën
që ti i dorëzon çdo dishepulli.


Ti nuk i ofron lavdi,
pushtet, famë, privilegje.
Ti u përule aq
sa u bëre shërbëtor i të gjithëve.


Kush të do me të vërtetë
pranon të ndjekë shembullin tënd,
të përulet para vëllezërve
në detyrat më të përvuajtura.

                                                       E ENJTJA E MADHE DARKA E ZOTIT

Lexim prej librit të Daljes 12, 1-8.11-14

Zoti i tha Moisiut e Aronit në dheun e Egjiptit: “Ky muaj do të jetë për ju fillimi i muajve, më i pari ndër muajt e vitit. Flisni me tërë bashkësinë e bijve të Izraelit e thojuni: Të dhjetën ditë të këtij muaji, le ta marrë secili për shtëpi një qengj për familjen e vet. Por, po qe se numri i anëtarëve është më i vogël sesa do të mund të mjaftonte për ta ngrënë qengjin, le të marrë të afërmin e vet, që është më afër shtëpisë së tij, sipas numrit të frymëve që mjafton për të ngrënë qengjin. Qengji le të jetë i patëmetë, mashkull, i një viti. Mund të merrni qengj ose edh. Ruajeni deri të katërmbëdhjetën ditë të këtij muaji: atëherë, në muzg le ta flijojë e tërë bashkësia e bijve të Izraelit. Le të marrin prej gjakut të tij dhe le t‟i lyejnë të dy shtalkat dhe ballzinat e dyerve të shtëpive, në të cilat do ta hanë qengjin. Mishin e pjekur në zjarr le ta hanë atë natë me të pabrume dhe me barishte të hidhura. Dhe hajeni kështu: me ijë të ngjeshura, me sandale në këmbë dhe shkop në dorë: hajeni me shpejti, sepse, janë Pashkët /d. m. th. kalimi i/ e Zotit! Atë natë do të kaloj nëpër dheun e Egjiptit dhe do të vras çdo të parëlindur në dheun e Egjiptit që nga njeriu e deri në bagëti dhe do t‟i ndëshkoj të gjitha hyjnitë e Egjiptit; unë Zoti ! Gjaku do t‟ju shërbejë si shenjë se në të cilën shtëpi jeni: unë do ta shoh gjakun dhe ju do t‟ju kaloj. Kështu ndër ju nuk do të ketë shuplakë farosjeje, kur unë do t‟i sulem dheut të Egjiptit. Kijeni këtë ditë përkujtim dhe kremtojeni festë në nder të Zotit brez pas brezi me sjellje fetare të përhershme. Fjala e Zotit

Psalmi 116 (115)

Ref. KELKU YT, O ZOT, ËSHTË DHURATË E SHËLBIMIT.

Si do t‟ia shpërblej Zotit

për të gjitha të mirat që m‟i ka dhënë?

Do të ngre gotën e shëlbimit

e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

E çmueshme është para Zotit

vdekja e shenjtërve të tij.

O Zot, unë jam shërbëtori yt,

shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.

Ti i këpute hekurat e mia.

Ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,

me nderim do të thërras Emrin e Zotit.

Do t‟i kryej kushtet e mia bërë Zotit

në praninë e mbarë popullit të tij.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintianëve 11, 23-26

Vëllezër, atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve jua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, falënderoi, e theu dhe tha: “Ky është Trupi im – për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim!” Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëjeni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e ta pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, derisa Ai të vijë. Fjala e Zotit

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti:

duani njëri-tjetrin, sikurse unë ju desha ju .

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Leximi i ungjillit shenjt sipas Gjonit 13, 1-15
Ishte para festës së Pashkëve. Jezusi, duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët – ata që ishin në botë – i deshi deri në pikën e fundit. Dhe, gjatë darkës – pasi djalli ia kishte mbushur mendjen Judës, birit të Simon Iskariotit, ta tradhtonte – Jezusi, që e dinte se Ati i la gjithçka në dorë, se erdhi prej Hyjit dhe se tek Hyji po kthente – u ngrit nga darka, hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh. Qiti ujë në legen dhe filloi t‟ua lajë këmbët nxënësve dhe t’ua fshijë me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.

Arriti kështu te Simon Pjetri. Ai i tha: “Zotëri, ti të m’i lash këmbët?” “Ç’po bëj unë – iu përgjigj Jezusi – ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë.” Pjetri iu përgjigj: “Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!” “Nëse nuk do të laj – i tha Jezusi – nuk do të kesh pjesë me mua.” Simon Pjetri iu përgjigj: “Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kokën!” Jezusi i tha: “Kush është i larë, nuk i duhet të lajë tjetër përveç këmbët – dhe është krejtësisht i pastër. Edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.” Ngase e dinte se kush do ta tradhtojë, këndej edhe tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.” Pasi ua lau këmbët, mori petkun e sipërm të vetin, u ul prapë në tryezë dhe u tha: “A e kuptoni çka ju bëra? Ju më quani: Mësues e Zotëri. Mirë thoni, sepse unë jam. Nëse, pra, unë – Zotëria dhe Mësuesi – ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’ia lani këmbët njëri-tjetrit. Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju. Fjala e Zotit








All the contents on this site are copyrighted ©.