2018-03-27 12:34:00

Sindona, Njeriu i dhimbjeve në 3D


U paraqit këto ditë, në Padovë, modeli tredimensional(3D) i Njeriut të dhimbjeve. Rezultat, pas dy vjet pune, i grupit shumëdisiplinor të Universitetit dhe spitalit të qytetit, udhëhequr nga profesor Giulio Fanti. “Sindona - çarçafi i vdekjes - mbetet sfidë për shkencën”- shpjegon Paolo Di Lazzaro, zëvendës-drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Sindonologjisë.

 Shfletojmë Ungjillin…

“Jozefi, si e mori korpin e Jezusit, e mbështolli me një çarçaf të bardhë dhe e varrosi në një varr të ri,  të zgropuar në shkëmb: si rrotulloi, pastaj, një gur të rëndë mbi grykën e varrit, u nis e shkoi. Ishin aty, para varrit, Maria nga Magdala dhe Maria tjetër…”. Kështu, me dhimbje e delikatesë, e përshkruan Mateu varrosjen e Krishtit, që hap misterin e madh të Ngjalljes e, njëherësh, të pëlhurës së bardhë, ku mbeti i vulosur Njeriu i Kryqëzuar, me shenjat e dukshme të kurorës së ferrave mbi ballë e të gozhdave mbi këmbë e duar, përballë të cilit shkenca matet deri në atë pikë, sa të sfidojë vetveten.

Pyetje, pa përgjigje

Studime, analiza, polemika, kërkime shkencore nuk kanë mundur ende të japin shpjegime rreth këtij fakti të çuditshëm, shkencërisht të pashpjegueshëm: “Si  është e mundur që ky trup i martirizuar të nxirrej nga çarçafi i linjtë, pa lënë mbi të asnjë vragë gjaku? E akoma, pse mbetën të stampuara mbi të shenjat e plagëve, pasojë e kryqëzimit dhe martirizimit, por jo ato, që mjekësia do të priste disa orë pas vdekjes?

E, mbi të gjitha, si mbeti gjurma e gjithë trupit dhe e fytyrës, mbi Pëlhurën e Shenjtë, nëse akoma sot nuk ekzistojnë teknika, të afta për ta riprodhuar? Mister mbi mister! Sindona, e studiuar hollësisht nga shkencëtarë me famë botërore, të të gjitha disiplinave, vijon të heshtë. Shkencëtarët nuk janë ende në gjendje të japin një përgjigje të saktë. Misteri mbetet…Njeriu i dhimbjeve flet e nuk flet akoma…








All the contents on this site are copyrighted ©.