2018-03-26 13:46:00

Afërsi me Papën dhe dialog me botën: filloi Univ Forum 2018 i Opus Dei-t


Përshpirtëri e dialog me botën: ky është synimi i Takimit ndërkombëtar të universitarëve të Prelaturës Opus Dei, që filloi dje në Romë e do të vazhdojë deri më 1 prill. Javën e kaluar, Papa Françesku u dërgoi një mesazh të fuqishëm inkurajimi. Janë më se 2.500, studentët e ardhur nga 150 universitete të botës për të diskutuar e për t’u konfrontuar mbi problematika shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore, në kërkim të zgjidhjeve, që respektojnë vlerat katolike.

Gati për një shërbim plot gëzim në botë

 “Ta rimendojmë të ardhmen”: duke shpjeguar temën e këtij viti, sekretari i Forumit, Giancarlos Candanedo, tregon për dëshirën e të rinjve universitarë që t’i shërbejnë Kishës dhe Papës me entuziazëm, inteligjencë e guxim, në ndryshim nga ç’mund të mendojë bota. Candanedo nënvizon sa instrumentalizohet, ose sa keqkuptohet pasioni i të rinjve: “na trajtojnë si objekte marketingu e shpesh thonë për ne gjëra, që nuk i mendojmë”.

Zanafilla e Univ Forum 2018

 Në zanafillën e takimit, vijon më tej Giancarlos, janë dy dëshira të themeluesit, Shën Josemaria Escrivà: “t’i shprehim afërsi dhe dashuri Kishës e Papës” dhe, të diskutojmë jo vetëm për çështje shpirtërore, por edhe “për probleme aktuale, duke kërkuar zgjidhjet”. Kështu është edhe takimi i këtij viti, 50 vjet pas projektit fillestar. Ndër veprimtaritë e shumta, debate e paraqitja e projekteve të vullnetarizmit e të solidaritetit.

Puna e familja, përparësi për shumë të rinj

Por, çfarë i shqetëson më shumë të rinjtë? Puna, pa dyshim, shpjegon sekretari ekzekutiv i Forumit: “shpesh studiojmë me vite, por nuk arrijmë të gjejmë punë dinjitoze”. Në zemrën e të rinjve është edhe familja: “mendohet se ata s’kanë punë tjetër përveç argëtimit, ndërsa, në të vërtetë, për shumë të rinj ka rëndësi të madhe e ardhmja e të dashurve të tyre dhe mundësia për të pasur e për të rritur fëmijë”. Edhe për këtë flitet këto ditë në Romë, në Univ Forum 2018, përmes ekspozitave, tryezave të rrumbullakëta, konferencave, në praninë e të ftuarve ndërkombëtarë, ekspertëve, përfaqësuesve të ojq-ve dhe pedagogëve të universitetit.








All the contents on this site are copyrighted ©.