2018-03-24 01:57:00

Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës,1911


Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës përbën një nga ngjarjet më të mëdha të historisë së re shqiptare. Ajo shpërtheu më 24 mars 1911 dhe zgjati deri në gusht të po atij viti. Shqiptarët malësorë arritën të detyrojnë Turqinë të nënshkruajë marrëveshjen me ta dhe t'u njohë atyre disa koncesione. 

Pjesë nga libri i Prof. Dr. Romeo Gurakuqi "Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911". 

Më 23 mars malësorët e Hotit, Grudës dhe të Kelmendit qenë në gatishmëri për fillimin e luftës kundër pushtuesit otoman. Ndërsa më datën 24 mars, nga mbrëmja, u dha shenja e kryengritjes së përgjithshme të "Lekëve të Hotit, të Grudës dhe të Kelmendit", të cilët filluan pushkën. Dedë Gjo' Luli, vojvoda i Hotit, Kolë Marash Vata, Zef Lani e Gjon Pëllumbi me 12 burra të Hotit e të Kelmendit, sulmuan dy kaushat e ushtarëve turq në Rapshë të Hotit duke vrarë dy ushtarë turq dhe duke vrarë dy të tjerë. Yzbashi turk, së bashku me 30 ushtarë, u dorëzua dhe pasi u çarmatosën u lanë të lirë për të shkuar në Shkodër. Gjatë këtyre luftimeve malësorët morën 33 mauzerre e 4000 fishekë. 

Më 25 mars malësorët e Hotit sulmuan dy kaushat e Traboinit. Në fillim të luftimeve u vranë dhe u çarmatosën ushtarë turq, derisa mbërriti ndihma turke nga Tuzi. Atëherë luftimi u bë më i rreptë, pasi shqiptarëve u erdhën ndihma prej Kelmendit dhe Grudës të armatosur me pushkë e thika, sëpata e kmesa dhe luftimet kështu zgjatën deri në të errun.

Si rezultat i luftimeve mbetën 16 ushtarë turq të vrarë dhe 3 të plagosur, kurse nga ana e shqiptarëve u vranë 9 burra nga Hoti (traboinas) dhe u plagosen 9 të tjerë. Ndër dëshmorët shqiptarë mund të përmendim traboinasit Kolë Marash Vata, Zef Lani e Gjon Pllumi. 
Po këtë ditë Gruda mori kaushen e Selishtit. Ndër luftime u vra një triepshian dhe një tjetër u plagos. 

Më datën 26 mars malësorët e Grudës dhe të Kelmendit, të ndihmuar edhe prej disa triepshianëve, morën kaushen e Pikalës dhe tri kausha të tjera në kufi të Malit të Zi. Për t'u shënuar është fakti se këtë ditë janë mbledhur të gjithë nënshtetasit otomanë në Shkodër, të cilët nën drejtimin e valiut të Shkodrës, aktivizuan fanatikët dhe më pas vendosën të nxjerrin tallallin në Shkodër, për t'u bërë thirrje përçarëse "të gjithë atyre që ndjeheshin turq, të shkonin për të vdekur në Malësi për Din". 

Më datën 27 mars nga mbrëmja, u bë në Shkodër, një mbledhje e dytë publike në lidhje me dërgimin e vullnetarëve kundër malësorëve, në një kohë që kryengritësit e Grudës dolën në Deçiq, ndërsa ata të Hotit në Krevenicë. Autoritetet u shpërndanë më se 4000 armë myslimanëve të qytetit dhe të rajonit të Lezhës dhe të Kthellës. Vetëm një pjesë e vogël e atyre që morën armë vepruan kundër malësorëve. 

Luftimet në veri të Shkodrës do t'i përcjellë me njoftimin e tij në qendër edhe konsulli Zambaur. "Situata, shkruan ai, mund të bëhet dramatike, në qoftë se agresorët do të marrin ndihma, sepse turqit kohët e fundit i transferuan trupat e tyre në Mirditë, kështu që ata nuk mund të kenë përforcime për momentin. 
Konsulli i Malit të Zi në Shkodër është thirrur në Cetinë dhe kjo mund të jetë një shenjë e ashpërsimit të situatës". Në njoftimin tjetër, po të datës 27 mars, Zambaur shprehest se "numri i kryengritësve, të cilët kanë ardhur nga Triepshi në Mal të Zi për t'u dhënë mbështetje të 70 kryengritësve të përmendur në njoftimin paraardhës, është 3000 - 4000. 

Më datën 27 garnizoni i Tuzit telegrafoi se të gjitha pikat kufitare qenë të bllokuara prej malësorëve dhe kërkoi mbështetjen e kajmekanit, pasi të nesërmen Tuzi do të sulmohej nga Kuçi dhe fiset e tjera në Mal të Zi. 

Shqiptarët brenda tre ditëve luftimi zunë 8 kulla, 90 mauzerë dhe municion. Turqit u zunë në befasi të plotë. Situata në Shkodër paraqitet e acaruar si rezultat i propagandës dezinformuese të autoriteteve, të cilat kërkonin që të frikësonin dhe të çorientonin popullsinë shqiptare të besimit musliman të qytetit dhe rrethinave. Popullsia nga rrethinat e Shkodrës, filloi të kërkonte strehim në Shkodër, sepse u frikësua nga paraqitja e kryengritjes si një sulm prej Malit të Zi. 

Më 27 mars ambasadori Giesl në Cetinë, rikonfirmoi fillimin e kryengritjes nga malësorët dhe sqaroi përfshirjen në të edhe të banorëve nga Kelmendi, të cilët filluan të sulmonin postat kufitare në veri të Tuzit, në kufi me Malin e Zi. Gjithashtu, në përkrahje të Hotit dhe Grudës, më 27 mars, rreth 3000 vetë banorë nga fshatrat e anës malazeze të kufirit, Triepshit, Fundinës, Orahovës etj. morën pjesë në luftime. 

Disa pika kufitare turke u morën, u çarmatosën dhe ushtarët u lanë të lirë. Në këto ditë të fillimit të kryengritjes raportimet janë të shpeshta, çka flet për rëndësinë e ngjarjeve që po zhvilloheshin në Shkodër e rrethinat e saj. 

Me datën 27 mars edhe konsulli Zembaur jepte detaje më të hollësishme. Fillimisht ai jep një pasqyrë të situatës gjatë fundit të muajit shkurt dhe marsit duke përshkruar si shqetësues vetëm fenomenin e mospranimit të rekrutimit të të rinjve në ushtrinë turke. Vetëm në Shkodër kishte pasur nja 100 vullnetarë të cilët shkuan për t'u regjistruar lirisht, por të tjerët, madje edhe myslimanët e fshatrave, vendosën të shkojnë në Mal të Zi, në vend që të rekrutoheshin, – shkruan ai. Përveç kësaj situate ishte disi e qetë, kështu që valiu i Shkodrës përqendroi trupat dhe planifikoi t'i bënte një ekspeditë Kelmendit (Selcës) në verën e ngrohtë. Zambaur vazhdonte duke u shprehur se "është një surprizë e madhe fillimi i luftimeve të përgjithshme". 

Atë Mati Prennushi, famullitari i Kastratit, sipas Zambaur-it, besonte se një kryengritje e përgjithshme do të fillonte në të ardhmen e afërt, pasi njerëzit nuk dëshironin të emigronin më në Mal të Zi, por synonin të merrnin armë prej turqve dhe më pas të zgjeronin numrin e tyre që të mundnin me ndërmarrë në vijim një sulm më të gjerë kundër tyre". Letra më pas vazhdonte me informacionet më dramatike që lidheshin me fillimin e sjelljes së trupave turke nga Mirdita në rajonin kufitar afër Tuzit dhe ato mbi fillimin e armatosjes së popullsisë civile myslimane me pushkë "Martini", (gjë kjo që përbënte përpjekjen më të rrezikshme antishqiptare dhe më të dënueshme të ndërmarrë nga pushtuesi turk). 

Për kryengritjen e Malësisë së Madhe të vitit 1911 kemi kështu edhe një moment kalimtar mjaft delikat, në të cilin populli ynë, përgjithësisht, tregoi një kompaktësi në ndërgjegjen e vet të përbashkët, në izolimin dhe braktisjen e shpejtë të së keqes. Është fjala për veprimtarinë përçarëse të pushtuesit osman, që u përpoq pa sukses ta ngjallë fanatizmin fetar, duke dëshiruar të fusë përçarje fetare për ta penguar bashkimin e kombit shqiptar, gjë që pati rezultat të kufizuar dhe të përkohshëm, vetëm në disa segmente të popullsisë (sipas të gjitha gjasave me prejardhje jo të drejtpërdrejtë shqiptare), të lidhur me shërbime të ndryshme ndaj Perandorisë Osmane. 

Studiues të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj kanë vënë në dukje shkaqet e këtij momenti delikat, duke ekspozuar autorësinë jashtëshqiptare. Ishte Bedri Pasha, valiu turk i Shkodrës, autori famëkeq i flluskës përçarëse në mes shqiptarëve. Bedri Pasha në kohën e fillimit të kryengritjes kishte në Shkodër më pak se 1000 ushtarë në dispozicion për mbrojtjen e qytetit. (Në fillim marsit garnizoni i Shkodrës kishte 600 ushtarë, kurse ai i Tuzit 500. Me dërgimin e disa forcave në Mirditë, ku kishin shpërthyer turbullira, në Tuz mbetën 200-250 ushtarë e në Shkodër 300).

Para rrezikut të një disfate ushtarake me malësorët, ai mendoi të kthente në përfitim të vetin, faktin e shpërthimit, si një aksion i vetmuar i kryengritjes nga fiset katolike të Malësisë të vendosura në kufirin me Malin e Zi. Mendimi për këtë taktikë, ishte në përkim të plotë me rezolutën e adoptuar në Kongresin e Komitetit "Bashkim dhe Përparim", nën kryesinë e Halil Beut, mbajtur vjeshtën e kaluar. Për këtë flet lloji i alarmit që ai krijoi ato ditë në Shkodër: "Malësorët janë të subvencionuar dhe janë një pararojë e ushtrisë malazeze, që synojnë të kapin qytetin dhe të masakrojnë popullsinë myslimane".

Ai shpalli kështu luftën e shenjtë dhe u bëri thirrje myslimanëve të sanxhakut. Një thirrje e tillë, natyrisht, nuk mund të mbetej kurrë pa përgjigje, kur edhe rrethanat e izolimit të plotë të informacionit dhe propagandës nacionaliste shqiptare prej xhonturqve në Shkodër, e favorizonin. Shkodra, fillimisht në shumicë, ngurroi të ndiqte këtë thirrje. "Ishte e lidhun tepër ngusht me Malci, si me miqsina e me kumari edhe ma tepër me tregti, - shkruan Dom Ndoc Nikaj. Rrënimi i disa familjeve malcore shkaktonte rrënimin e disa familjeve të Shkodrës, qi kishin lidhni marrëdhanieje me ta. Disa, edhe pse me ndryshim besimi ndërmjet, ishin të lidhun me gjak e fis prej se të damë nji shtepije e kështu u gjetne shumë të meçëm qi e patne në mëni at thirrje, por me gjith atë u gjetnë aso fanatikësh qi bane turpsin më të madhen me shtypë gjakun e vet për me e shtrue nën doren e të huejve". 


Më 6 prill, që do të thotë në fund të periudhës së parë dyjavore nga fillimi i Kryengritjes, në majë të Bratilës në Deçiq malësorët-kryengritsit ngulën flamurin shqiptar në zjarrin e një luftë të ashpër. Këtë lajm fillimisht e botoi gazeta e kolonisë shqiptare në Sofje "Liria e Shqipërisë" – Thuhet: "malësorët luftojnë nën flamurin e Skenderbeut". 

Në revistën "Hylli i Dritës" thuhet se Dedë Gjo' Luli, udhëheqës i levizjes, kishte dhënë urdhër që të ngrihej flamuri i Shqipërisë në majat e pushtuara. Po atë ditë, me 6 prill 1911, kur u mor maja e Deçiqit u ngrit flamuri në majë të Bratilës (një maje të cilën një qafë mali e ndan nga Deçiqi dhe quhet Bratila e Deçiqit). Sipas autorit, ai që ngriti flamurin ishte kushëriri i afërt i Dedë Gjo' Lulit, Nikë Gjelosh Luli, së bashku me Gjon Ujkë Miculin dhe Pjeter Zefin, të cilët morën përsipër për ta zbatuar urdhrin e Dedës. 

Përpjekjet përçarëse të xhonturqve 

Konsulli Zambaur e vlerëson këtë vendim si "shumë të dëmshëm". Turqit dërguan misionarët e tyre ndër fshatra për të thirrur popullsinë për të rrokur armët kundër Malësisë. "Kjo armatosje e popullsisë myslimane, e bërë nën aspektin e mbrojtjes së besimit islam, është në kundërshtim me marrëveshjen e arritur vitin e kaluar".  "Në këto rrethana, - vazhdon ai - katolikët ndjehen në një situatë të rrezikshme dhe kërkojnë mbrojtjen e konsullit të përgjithshëm austro-hungarez në Shkodër".  Për këtë problem, konsulli i kërkoi shpjegime valiut të Shkodrës, i cili iu përgjigj se njerëzit e armatosur do të dërgohen në Tuz dhe asnjë prej tyre nuk do të qëndrojë në Shkodër. Për këto lloj trupash u përdor termi mustahfiz (batalione me rekrutim në masë) për të shmangur fjalën bashibuzuk, e cila kishte një kuptim të keq. 

Më 28 mars nga Shkodra u nisën 800 mustahfizë kundra kryengritësve. Zambaur e cilësoi këtë, si "një përpjekje për të fanatizuar myslimanët në Shkodër dhe përreth saj dhe për të penguar një bashkim të mundshëm të shqiptarëve katolikë të qytetit, me shqiptarët katolikë të Malësisë". Në të vërtetë kjo ishte një përpjekje tipike xhonturke, për të penguar bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, pikërisht në agimin e epokës së madhe të lirisë për të gjithë shqiptarët. "Kjo ishte shkatërrimi i Shqipërisë, shkruan Durham -i. Katolikët i pritën ata në mënyrë paqësore duke u kujtuar atyre premtimet që kishin dhënë si edhe faktin se edhe ata, gjithashtu ishin shqiptarë".

Për të demaskuar këtë përpjekje përçarëse të autoriteteve turke, fiset e Malësisë iu drejtuan me lutje burrave të Postribës, duke iu kujtuar atyre se ata ishin të gjithë shqiptarë dhe se kishin pasë marrë një zotim së bashku, për të ngritur krye kundër turkut dhe se kjo kryengritje ishte e drejtuar vetëm kundra autoriteteve otomane, me objektivin për ta çliruar Shqipërinë nga zgjedha e huaj. Veprimtaria e mustahfizëve, në fakt, qe e shkurtër dhe u kufizua nga presioni i atdhetarëve më të dëgjuar shqiptarë. 1000 veta prej tyre, së bashku me 500 nizamë, nuk arritën të depërtonin pritën e vendosur në Prronin e Thatë (18 mars kalendari julian) nga Nikoll Mirash Luca, bajraktari i Kastratit Dod Prençi dhe disa shkrelas. Shumë prej tyre edhe reflektuan në këto momente, se kjo ishte një luftë vllaznish dhe 180 vetë së bashku, nën parinë e Myftisë u hodhën në Podgoricë duke dezertuar prej ushtrive të pushtuesit. Ky shembull ishte një tregues i parë se, turqit do ta kishin të pamundur këndej e tutje që të përçanin shqiptarët e besimeve të ndryshme fetare. 

Siç duket, këto rezultate të luftës së vullnetarëve kanë parasysh gazetat turke, kur çuditen nga bashkimi i shqiptarëve myslimanë e katolikë. Ndërsa konsulli serb në Prishtinë shkruante se, pohimet zyrtare të pushtetit turk se shqiptarët myslimanë janë hidhëruar kundër kryengritësve katolikë janë plotësisht të pabaza. 
Deklaratat telegrafike të shqiptarëve se janë të gatshëm të luftojnë kundër kryengritësve i ka bërë vetë pushteti dhe klubet e oficierëve turq në Ferizaj, Gjilan e në Mitrovicë. Ndërsa gazeta "Liri e Shqipërisë" shkruante se "Tejshkrimet për t'ia dërguar vezirit të madh ia kishin bërë gati dhe pastaj i nënshkruan disa njerëz të poshtër. 

Të gjitha këto qeveria turke i bëri pa fare turpi t'i rrejë njerëzit evropianë se shqiptarët nuk janë ngritur për kombëtari, por vetëm disa kusarë të krishterë". 
Lufta në Prronin e Thatë vazhdoi vetëm prej disa individëve vullnetarë, që i qëndruan besnikë turqve edhe të nesërmen, të kryesuar nga Sahit J., Man H., Bimbashi, Tyrqelija Nuhedin Begu. Si u organizuan, këta forca zbarkuan me lundra në Hanin e Hotit dhe në Samobor, por nuk paten sukses, pasi u pritën nga disa Kelmend, Hot e Grudë. Shumë nga këta vullnetarë ranë rob në duart e kryengritësve, të cilët i lëshuan mbasi ua morën armët. Njerëzit që mundën të mbledhin turqit kundër malësorëve ishin individë "të dejun nga fanatizmi". Ata së bashku me ushtarët turq plaçkitnin e digjnin katundet malësore, sikurse bënë kur hynë në Vuksanlekaj. Këtë e pohon vetë gazeta turke "Sabah". 

Masë tjetër e rëndësishme ushtarake e qeverisë turke ishte dërgimi i Xhavit Pashës me dy batalione dhe dy bateri artilerie nga Gucia në Selcë dhe dërgimi i Turgut Pashës me një mision të ri për në Shkodër. Njoftimi konfirmohet edhe nga korrespondenti i gazetës "The Times" nga Vjena, i cili raporton gjithashtu se "kryengritësit, të cilët numërojnë 2000-3000 vetë, qëndrojnë duke mbajtur të rrethuar qytetin kryesor të distriktit, Tuzin". 

Deri më datën 28 mars kryengritësit, nga raportimet që zotërojmë, kishin marrë karakollet e Omaboshit, Dinoshit, Pikalës, Selishtit, Traboinit, Humit, Rapshës, Deçiqit, dhe disa pozicione të tjera që nuk përmendën në raportin e Giesl-it. Ata gjithashtu arritën të vihen në zotërim të tre topave dhe rreth 300 pushkëve mauzer. Të gjithë turqit u lanë të lirë, me përjashtim të disave që luftuan ashpërsisht kundër malësorëve, të cilët u vranë. 
"Fortesa e Shipshanikut, sipas Giesl, mund të merrej shumë shpejt, atëherë sigurisht edhe Tuzi, gjë kjo e mundur madje, sipas gjykimit të tij, edhe më datën 28 mars". 

Në Tuz kishte një numër të konsiderueshëm armësh, topash e municion, dhe të gjitha këto rrezikoheshin të merreshin nga malësorët në orët vijuese. Në fakt ushtria turke, mbas përpjekjesh të gjata, me një pjesë të saj, mundi t'i afrohej Tuzit. U duk sikur kryengritja ra. Atëherë malësorët mblodhën forcat dhe me 2000 vetë i ranë Tuzit. 

Më 30 mars kryengritësit morën qytetin, shtinë në dorë kazermat, depot ushtarake, ndërtesat qeveritare, garnizonin dhe qeveritarët i detyruan të ndryhen në kalanë, që ndodhej në krye të qytetit dhe që quhej Shipshanik. Shumë ushtarë u vranë ose ranë rob të kryengritësve. Këta të fundit çliriuan edhe lokalitetin e Kastratit. Kundër tyre, sipas ambasadorit Giesl, luftuan edhe rreth 1000 mustahfizë. Malësorët nuk arritën që të marrin kështjellën e Shipshanikut në Tuz, e cila mbrohej prej 1000 mustahfizësh dhe një batalioni nga Shkodra. 

Arsyeja kryesore thuhej se kishte qenë mosuniteti në luftime në mes shqiptarëve në lidhje me problemin e shpërndarjes së armëve trofe. Kështu Kelmendi mblodhi malësorët së bashku me Selcën, dhe u kthye në shtëpi. Hoti, Gruda dhe Kastrati vetëm, qenë aq pak për të bërë një betejë efektive për marrjen e fortesës. 

A e kishte parashikuar Porta e Lartë një rrokullisje të tillë të situatës dhe a kishte bërë përgatitjet paraprake për këtë?
Duhet të ishte e natyrshme, që në kushtet e eksperiencës së vitit 1910, dhe vijimin e ngjarjeve në veriun e Shqipërisë pas ekspeditës së Turgut Pashës, Porta të parashikonte një rrokullisje të ngjashme të ngjarjeve. Për rrjedhim ajo duhet të kishte bërë një plan parandalues për këtë. 

Të dhëna të sigurta na informojnë se qeveria turke e kishte parashikuar për një kohë të gjatë afrimin e trazirave në Shqipëri ndaj dhe kishte bërë sistemin e plotë për shtypjen e lëvizjes kryengritëse. Pesëmbëdhjetë batalione të trupave aziatike ishin dërguar në Shkup, ndërsa në ditët që pasuan fillimin e kryengritjes, 50 batalione të redifëve u mobilizuan në Azi të Vogël. Gjashtë batalione të këtyre trupave kishin si destinacion Shkodrën, që ashtu sikurse Janina, ishte duke u fortifikuar shumë. 

Kryengritësit, Memorandum drejtuar Fuqive të Mëdha 

Më 27 mars, Ministria e Luftës e Perandorisë, i telegrafoi urgjentisht Shkodrës, se "Turgut Pasha, bashkë me 4 batalione po nisej sa më parë për në Shkodër". Ministria e Luftës autorizoi njëkohësisht korp-komandën në Shkup, që garnizoni i kufirit pranë Gucisë të përforcohej urgjentisht me dy batalione prej Peje. 

Më 29 mars Ministria e Luftës i bëri të ditur divizionit të Shkodrës se Turgut Pasha me 4 batalionet e njoftuar ishte nisur dhe se veç asaj nga krahina e Trapezunit dhe Samsunit ishin mobilizuar dhe 9 batalione redifësh, dërgimi i të cilëve do të bëhej pa humbur kohë, në qoftë se Turgut Pasha pas arritjes së tij në Shkodër do ta shikonte këtë të nevojshme. 

Më 30 mars, Mahmut Shefqet Pasha telegrafoi në Shkodër, se "brigada e redifëve të Kastamunit u mobilizua dhe ndodhej në udhë për në Konstantinopojë". Për dërgimin e tyre u mbajtën në gatishmëri vaporë të transportit, me qëllim që këto trupa të niseshin sa më shpejt për në Shkodër. Veç asaj, më 29 u njoftua korpus-komanda në Selanik për të mobilizuar divizionin e Strumicës. Ndërsa pritej arritja e Turgut Pashës në Shëngjin, situata sa vinte e acarohej më shumë.

Luftimet në mes forcave të parregullta nga Shkodra dhe malësorëve në territorin e Kastratit, vazhduan edhe në ditët në vijim, me humbje të rënda nga të dyja palët. Dy pika kufitare turke, kishin qenë kapur dhe shkatërruar prej shqiptarëve katolikë të Selishtës dhe shkëmbime zjarri ishin dëgjuar gjatë natës mes 1 dhe 2 prillit, në të gjithë kufirin në mes Malit të Zi dhe Turkisë. 

Më 30 mars në Cetinë u bë mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes e cila aprovoi një memorandum drejtuar Fuqive të Mëdha ku kërkohej: paprekshmëria e tokave shqiptare, gjuha shqipe si gjuhë zyrtare në të katër vilajetet në zyra e gjyqe dhe si gjuhë mësimi ndër shkolla, të gjithë nëpunësit në Shqipëri të ishin shqiptarë me kombësi dhe kjo kombësi të njihej zyrtarisht, të ardhurat buxhetore të shpenzoheshin për dobi të vendit, ushtarët shqiptarë të mos kalonin kufinjtë, me përjashtim të rasteve të luftës. 

Memorandumi ishte nënshkruar nga Muharrem Bushati, Isa Boletini, Sokol Baci, Dedë Gjo' Luli, Abdulla Aga, Preng Marka Kola dhe Mehmet Shpendi. Sipas këtij programi na rezulton se, megjithëse kryengritja zhvillohej në një krahinë katolike të Shqipërisë, kryengritësit dolën me kërkesa të rrafshit kombëtar. Nga ana tjetër ngjarjet në mallet e Mbishkodrës ndikuan mbi gjendjen në qytet, nga shkaku i armatimit të njëanshëm të një pjese të popullsisë. 
Situata u bë me të vërtetë kritike, kur mbas luftimeve të para me kryengritësit, u soll në Shkodër një numër prej 28 të vdekurish e të plagosurish. Kjo gjë rriti rrezikun e një hakmarrjeje të përgjithshme ndaj populates së pambrojtur të krishterë.

Në këto kushte, përfaqësitë konsullore në Shkodër, shfaqen mendimin për një veprim të mundshëm kolektiv. Veçanërisht dëshirë për këtë shfaqi konsulli malazez, i cili e ndjente të kërcënuar sigurimin e tij. Në të tilla rrethana, përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha të pranishme në qytetin e madh të veriut, d.m.th. Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Anglisë si dhe të Malit të Zi, e quajtën të nevojshme të këshilloheshin për të bërë një përçapje tek autoritetet lokale, për mbrojtjen e kolonive të tyre e të institucioneve e të krishterëve vendës që vareshin prej tyre. 

Konferenca u mbajt më datën 2 prill në konsullatën e përgjithshme italiane dhe aty u vendos hartimi i një note verbale dhe dorëzimi i saj me ndihmën e një delegacioni të të pesë përfaqësuesve (i cili përbëhej nga përfaqësuesi italian Konti Mancinelli-Scotti, dhe zëvendës konsulli i nderit anglez, më i riu nga mosha, Nikollë Suma), pranë guvernatorit të përgjithshëm, Bedri Pasha. Nota përmbante propozimet vijuese

1. Të mbahej në Shkodër një pjesë e trupave që priteshin të vinin sa më shpejt; 
2. Armatosje, me garancinë e myftarëve dhe të koçobashëve, e të të gjithë të krishterëve të aftë për luftë, por me kusht, që të mos dërgohen kundër kryengritësve dhe të mos u kërkohen pushkët dhe municionet, deri ditën kur edhe myslimanët do të ftohen për t'i dorëzuar ato. Duke paraqitur këtë propozim, trupi konsullor parashtronte dëshirat e shprehura nga gjithë popullsia e krishterë; 
3. Të mëshiroheshin gjatë operacioneve ushtarake: gratë, fëmijët dhe pleqtë, të cilët nuk do të jenë të bashkuar me kryengritësit; 
4. Të ndalohej djegia dhe rrënimi me goditje topi i shtëpive të fshatarëve, në të cilat ose rreth të cilave do të mund të ndodheshin përleshjet. 

Nota në fund ritheksonte vullnetin e këtyre përfaqësuesve, për sigurimin e popullsisë së krishterë, që ishte e alarmuar dhe ta mbronte atë nga pasojat e dënueshme të çdo reprezaljeje të mundshme. Valiu e mori njoftimin e dokumentit të sipërpërmendur dhe i deklaroi përfaqësisë, se ndaj propozimeve të paraqitura nuk ka kundërshtime, me përjashtim të atij të pajisjes së të krishterëve me armë, për të cilën gjë, ai më parë duhet të merrte autorizimin e qeverisë së tij. Por Bedri Pasha, pasi i armatosi njëherë, s'mund t'i çarmatoste me të shpejtë, kështu që me këtë politikë fatale të vënies së shqiptarëve kundër shqiptarëve, ai në fakt zhdrejtas shpejtoi rënien e pushtimit osman në Shqipëri, sepse thirri mendjet e kthjellta të patriotëve shqiptarë mbi qëndrimin që duhej mbajtur ndaj armikut pesëshekullor. 

Ndërkohë, më 1 dhe 2 prill, u zhvilluan luftime të ashpra në mes trupave turke të shoqëruara prej një reparti të mustahfizëve të armatosur, që po marshonin në drejtim të Tuzit dhe malësorëve. Luftimet u zhvilluan të përgjakshme dhe të gjata, dhe vetëm pasi tri batalione nizamësh shkuan në ndihmë të ushtarëve, mundën që pas një luftimi të ashpër prej 24 orësh, t'i detyronin malësorët të merrnin malet duke ikur prej Tuzit, ndërsa forcat e bashkuara të mustahfizëve dhe turqëve morën Deçiqin dhe Dinoshën. 

Në ditën e parë të luftimit, trupat turke patën 25 të vdekur dhe po aq të plagosur. 
Në ditën e dytë, 25 të vdekur. Ndërkohë që njoftimi i komandantit të trupave turke, se kryengritësit lanë në fushë afërsisht 200 të vdekur, na duket tejet i ekzagjeruar. Po me datën 2 prill, arritën në portin e Shëngjinit forcat e para të caktuara për Shefqet Turgut Pashën, me tri vaporre transporti. Pas datës 3 prill kemi një rënie të valës kryengritëse, lidhur kjo me suksesin e qeverisë në operacionin e fundit ushtarak. Por, siç duket, në këtë rënie vetëm të përkohshme kanë ndikuar edhe mungesa e mbështetjes nga ana e fisit të Kelmendit, i cili, pas pjesëmarrjes në ditët e para në shkatërrimin e karakolleve kufitare, u tërhoq, nga rreziku sepse Selca, qendra e saj kryesore, po kërcënohej nga marshimi i trupave nga Gucia. Gjithashtu Shala e Shoshi po përgatiteshin t'i rezistonin ushtrisë turke, që eventualisht do të mund të hynte në vendin e tyre.  Qëndrimi disi pasiv i Mirditës, e cila do të mund të mbante të gozhduara forca të mëdha ushtarake turke, ishte një shkak tjetër i kësaj rënie të intensitetit të lëvizjes kryengritëse. 

Pra mund të themi me të drejtë, se mungon një ndjenjë e solidaritetit në mes shqiptarëve në këtë moment. Megjithatë, raportuesit e kohës njoftojnë se, megjithë kthimin e përgjakshëm të ngjarjeve, pas betejës, me rimarrjen e Tuzit, kryengritësit shqiptarë nuk e kishin humbur shpirtin kryengritës. 
Shkëmbimet e zjarrit filluan në pasditen e së hënës 3 prill 1911, përgjatë gjithë vijës kufitare nga Tuzi në Kastrat dhe secila palë ruante pozicionet e veta. Përveç Tuzit, turqit raportohet të kishin rimarrë Hotin dhe Grudën, por qenë zmbrapsur afër Kastratit.

Në disa zona kryengritësit u përforcuan nga brendësia e prapavijave të tyre, por, nga ana tjetër, vazhdimi i mëtejshëm nga ana e trupave të parregullta me djegien e shtëpive dhe fshatrave shqiptare, do të zgjeronin më tej zemërimin e tyre. Ata ishin duke rigrupuar forcat dhe njoftimet më të para të datës 6 prill, e përcaktojnë qëndrimin e malësorëve, si më kryeneç dhe më të vendosur se sa në ditët fill pas rimarrjes së Tuzit. Një sulm më I fundit nga forcat kryengritëse malësore mbi Tuz, i bërë këto ditë, ishte zmbrapsur me një humbje në njerëz nga ana e turqve prej 15 të vrarësh dhe të plagosurish, e më pas malësorët kishin kaluar në Mal të Zi. 

Më datën 6 prill në agim, luftime të ashpra filluan afër Vranes në jug të Tuzit dhe në orën 8 të mëngjesit afër Dinoshës, në veri të Tuzit. Malësorët në këtë kohë ishin duke përcaktuar një lloj planifikimi, për një veprim të përbashkët të 6 apo 7 fiseve të Malësisë, të përfshira në kryengritje. 
Djegia e tre fshatrave të mëdha, disa fshatrave më të vegjël dhe djegia e kishës katolike në një nga këto fshatra, e ashpërsoi edhe më tepër zemërimin e malësorëve dhe njëkohësisht rriti fluksin e emigrantëve në Mal të Zi. 

Ngritja e flamurit shqiptar në Bratilë të Deçiqit 
Malësorët gjatë kryengritjes luftuan për një ideal, luftuan vetëm për pavarësinë e Shqipërisë. 
Momenti më kulmor, që simbolizon karakterin e saj dhe është tregues i shkallës nacionale të ndërgjegjësimit të malësorit, është ngritja për herë të parë pas 500 vjetëve robëri e Flamurit Kombëtar më 6 prill në Bratilë të Deçiqit. Paraprakisht, duhet të themi, se logjikën vërtetuese të ngjarjes, përkundrejt përpjekjeve joserioze dhe dashakeqe, që mundohen ta errësojnë, na e ka dhënë të plotë studiuesi Tefë Krroqi. Në këtë punim, duke ecur paralelisht me linjën logjike të ngjarjes së dhënë në studimin e tij, do të përpiqemi të veçojmë momente që lidhen me objektin e temës dhe që e përforcojnë atë. 

Pikësëpari duhet të thuhet se, për një popullsi me vetëdije të qartë dhe të përcaktuar patriotike, sikurse ishin shqiptarët e këtij rajoni, flamuri kombëtar, d.m.th. edhe zotërimi i tij, nuk përbënte një gjë jo të zakonshme, përkundrazi, ai flamur përbënte simbolin e domosdoshëm dhe normal të traditës së tyre, të të qenit shqiptar të pastër etnikisht, që kishin ditur në shekuj të ruanin karakteristikat e mirëfillta shekullore të racës arbnore. 

Nuk ishte e rastit prandaj, që në vitin 1906, Dedë Gjo' Luli, kërkon një flamur kombëtar, të cilin ia sjell Aladro Kastrioti me anë të Preloç Prenkës. Flamuri kishte qenë i gjatë dy metra dhe me shirita anash. Më tej, në vitin 1907, te Prajsi Brija Tuzit, me porosi të Dedës, Prelë Keri nguli flamurin shqiptar, ndërsa vetë Deda e nguli atë në Triepsh. Kur shpërtheu kryengritja e Malësisë shumë nga malësorët kishin flamuj të vegjël kombëtarë dhe meqë ata sulmonin nga toka e Malit të Zi, i mbanin të fshehur në brez, ose të palosur në gji. 

Rëndësi të posaçme dokumentare paraqet në këtë përcaktim ditari i françeskanit At Pal Dodaj, në gjuhën italiane, që e disponon redaksia e sotme e "Hyllit të Dritës". Në disa shënime të datës 2 prill 1911 të këtij ditari, lexohet: "Sot kemi dërgue dy kuaj për të marrë Provincialin, i cili do të vinte për vizitë kanonike, por në gjysëm të rrugës i kishte dalë përpara një korrier për ta lajmërue që të kthehej mbrapa, mbasi qyteti i Shkodrës asht në rrëmujë të madhe për shkak të luftimeve. Qysh në fillim të javës së kalueme malësorët e Mbishkodrës kishin pushtue Tuzin tue ngritun flamurin kombëtar...". 

Kjo dëshmi përbën një përforcim, që luftimet nën udhëheqjen e flamurit kombëtar, ishin tashmë në rendin e ditës dhe se ngritja në vijim e këtij flamuri në Bratilë të Deçiqit, ishte vetëm një akt simbolik i burrërisë shqiptare të malësorit dhe një kundërvënie sinjifikative ndaj pushtuesit dhe veglave të tij. 
Studiuesi shqiptar nga Podgorica, Gjergj Nikprelaj, ka botuar kohët e fundit një dokument me rëndësi të posaçme vërtetuese për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar në majen e Deçiqit, të marrë në arkivat e Malit të Zi. Dokumenti është një informacion i komandantit të batalionit të Kuçit për gjeneralin Janko Vukotiq, i cili ka qenë në atë kohë përfaqësues special i qeverisë malazeze në Podgoricë, për ruajtjen e qetësisë në kufirin turko-malazez. Detyra e tij kryesore ka qenë koordinimi dhe ndihma ushtarake kryengritjes, të cilën e ka kryer me sukses. 

Telegrami është dërguar në kohën e zaptimit të Deçiqit, nga Fundnat 3-5 km larg majës në fjalë. Në këtë dokument thuhet: "Ne prej këndej nuk shohim mirë, por kaçakët (kryengritësit - vërejtja jonë) e kanë pasë një flamur. Na mendojmë që ai është i tyre, pse në anën e sipërme të Deçiqit, në Shpije (duhet të jetë Spije - vërejtja jonë) nuk dëgjohet asnjë pushkë. Prandaj, unë nuk e di pse do të shtinin ata, kur Deçiqi është në duart e tyre. Unë shpresoj shumë se është në duart e kaçakëve". Por megjithatë le të ndjekim rrjedhën e ngjarjeve. 

Më 6 prill malësorët filluan në stil të gjerë luftimet me turqit. Ata sulmuan në shtatë vende, prej Vranes përmbi Kastrat e deri në Dinoshë, duke mos lejuar t'i shkonin ndihma nga Shkodra, Tuzit të rrethuar. Momenti më i rëndësishëm i këtyre luftimeve, ka qenë marrja e fortifikimit të Deçiqit (ose Suk Kokotit), ngritja e flamurit kombëtar shqiptar në majën e Bratilës dhe detyrimi i trupave turke të marrin strehim në fortesën e Shipshanikut. 
Ideja e ngritjes së flamurit lindi në kushtet e fitoreve të njëpasnjëshme të korrura nga kryengritësit, me qëllim që të mbahej lart morali i kryengritjes dhe të shpallej qartë karakteri i saj nacional. 

Pasi u kërkua gjithandej, u njoftua nga Cetina se Gjon Gjo' Kola, terzibashi i Krajl Nikollës me punëtorët e vet, Kolë Jozën, Rrok Pultin, dhe Gegë Gurakuqin, ishin duke qëndisur një flamur të tillë shumë të çmueshëm. Flamuri, pasi u ruajt për disa ditë në shtëpinë e Zef Jak Dajçit, duke u shpëtuar ndjekjeve të autoriteteve malazeze, kaloi në duart e anëtarëve të Komitetit të Podgoricës. 

Nik Gjelosh Luli, sipas urdhërit të marrë nga Dedë Gjo' Luli, ngriti flamurin shqiptar në majë të Bratilës, mbi shtizen ku më përpara valonte flamuri i Turkisë. Nën hijen e këtij flamuri, 70 malësorë luftuan heroikisht kundër 350 ushtarëve turq derisa i detyruan të tërhiqeshin, duke lënë 30 nizamë të vdekur. Për mbrojtjen e flamurit të ngritur ranë 7 dëshmorë shqiptarë.

Për krah Nish Gjelosh Lulit, që ngriti flamurin, luftoi me pushkë në krah i biri 14 vjeçar Luca. 
Pushkët e kryengritësve, që përshëndetën flamurin e çpalosun shqiptar, i shoqnuen edhe topat e kalasë së Shipshanikut që për 4 orë rresht bombarduan Deçiqin, si të donin të përshëndesnin flamurin shqiptar.  Në aksionin për marrjen e Deçiqit dhe ngritjen e flamurit kombëtar morën pjesë malësorët e Hotit, Grudës dhe të Kastratit. Pas 4 orësh bombardimi të rreptë, malësorët u detyruan të lëshojnë Deçiqin. 

Lajmi i parë mbi luftimet e malësorëve me flamurin e Skënderbeut është dhënë nga "Liridashësi" në Nr. 4, datë 13 prill të Gazetës "Liri e Shqipërisë", që botohej nga Kristo Luarasi në Sofje. Ja si e përshkruante ai një lajm të tillë: "Nji pun' e bukur shihet ndër kta burra qi leshi i kresë t'qohet përpjet prej gzimit qi kto fatoza luftojn me flamur t'kuq me shqiponjen e zezë me dy krena due me thanë me bajrakun e Skenderbeut". 

Kjo gazetë do të japë edhe në vijim të kryengritjes përshkrime të kryengritjes dhe të idealit nacional të malësorëve tanë. Në numrin e saj të datës 10 maj 1911, "Liri e Shqipërisë" tregon, se malësorët luftojnë "nën hijen e flamurit kombëtar". Më taj ajo shton se Turqit e Rinj, po mundeshin "përpara fuqisë së popullit shqiptar, përpara idealit të tij, të cilin puna po e tregon me hapjen (shpalosjen R.G.) e flamurit, që po valon ndër malet e Shqipërisë". 
Dëshmi materiale është vetë flamuri, i cili ka qenë i ruejtun në Muzeun e Kuvendit të Françeskanëve, më pas në Muzeun Historik në Shkodër dhe sot mjerisht nuk i dihet fundi, sepse kështu u interesonte forcave antishqiptare, pushtetplotë deri dje në Shkodër. 

Flamuri ka qenë i ruajtur në Muzeun e Shkodrës për më tepër se 20 vjet, deri në vitin 1968, derisa vdiqen të gjithë pjesëmarrësit e kryengritjes së vitit 1911. 
Mbi ekzistencën e flamurit që u ngrit në Deçiq në Muzeun e Kuvendit të Françeskanëve, dëshmuan dhe dëshmojnë edhe etërit françeskanë Leon Kabashi, Viktor Volaj, Daniel Gjeçaj dhe Zef Pllumbi, të cilët për një kohë të gjatë janë kujdesur për këtë institucion. 

Rreth flamurit dhe veprës madhore të ngritjes së tij, kanë lënë të shkruara kujtimet e tyre edhe veteranët: Zef Marash Doka, Martin Ujk Traboini, Nore Kola (bashkëshortja e djalit të Dedë Gjo' Lulit, Gjeto Luli) etj. Ata japin hollësi autentike, për shkak se disa nga ata kanë marrë pjesë në ngritjen e flamurit, ose kanë qenë afër udhëheqjes së kryengritjes.








All the contents on this site are copyrighted ©.