

Në Ditën botërore kushtuar arit blu, në plan të parë, mungesa e së drejtës për të pasur ujë të pijshëm për një pjesë të madhe të popullsisë së Planetit. E kjo pjesë, në vitin 2050, mund të arrijë në 5 miliard vetë. Shkaqet e kësaj mungese, që ka të bëjë me jetën a vdekjen e popullsisë së Planetit, janë thatësira, konfliktet e armatosura, lakmitë e shfrenuara ekonomike.
I njohur nga OKB-ja si e drejtë njerëzore universale, uji mbetet pasuri, që gjindet gjithnjë më rrallë në nivel planetar. Aktualisht rreth 2 miliard njerëz në botë nuk mund t’i plotësojnë nevojat e tyre për ujë të pijshëm. Ndryshimet klimaterike, por edhe shkapërderdhjet, që nuk mungojnë, kanë krijuar një situatë dramatike e cila, në vitin 2050, mund të rrezikojë 5 miliard jetë njerëzore. E ari blu vijon të jetë edhe sot e kësaj dite në qendër të konflikteve të armatosura dhe atyre ekonomike, për kontrollin e burimeve. Situatë, që mund të ndryshojë - sipas Mariaroza Iannellit, kryetare e Vëzhguesit për sigurimin e ujit - me strategji efikase në luftën kundër ndryshimeve klimaterike, por edhe me përpjekje për ta sanksionuar konkretisht të drejtën njerëzore për të pasur ujë të pijshëm, domethënë, jetë!
| All the contents on this site are copyrighted ©. |