2018-03-22 12:49:00

Papa në Shën Martë: Zoti na do si mëmë e si atë


Zoti është besnik, nuk na harron: kjo na nxit të galdojmë në shpresë. Në portat e Javës së Madhe, Kisha reflekton mbi dashurinë besnike të Zotit, kujtoi Papa sot paradite, gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shën Martë. Zoti nuk e harron kurrë besën e lidhur me njeriun - na kujton Psalmi - ashtu si edhe Leximi  i Parë, shkëputur nga Libri i Zanafillës (Zan 17,3-9), që na përshkruan besëlidhjen e Zotit me Abrahamin. Besë, që u lidh e nuk do të zgjidhet kurrë më në historinë e popullit, pavarësisht nga mëkatet, nga idhujtaria.

Dashuria e Zotit është si dashuria e mëmës dhe e atit

Zoti do me dashuri të pafundme, me atë dashuri, që ka nëna për fëmijët e saj. Zoti nuk na harron kurrë. Nuk mundet! E ka lidhur një herë besën e nuk e zgjidh kurrë më. Për ta bërë më të kuptueshme këtë besë, Papa kujtoi se në Argjentinë për festën e nënës, nënave u dhurojnë një lule me emër simbolik: “Lulemosmëharro”. Me dy ngjyra: njëra, e kaltër si qielli i kthjelltë, për nënat e gjalla; tjera, ngjyrë vjollce, për nënat, që kanë ndërruar jetë.

Kështu është dashuria e Zotit; si dashuria e nënës! Zoti nuk mund të mos kujtohet për ne! Kurrë. Nuk mundet. Nuk mund ta shkelë besën e dhënë. Kjo na jep siguri. Për vete mund të themi: “Po, jeta ime është tepër e keqe…. Jam në mes të kurtheve, jam mëkatar, mëkatar…”. Po ai të do edhe kështu si je! Nuk të harron, sepse të do deri në përmbrendca, të do me dashuri mëme e ati.

Sakramenti i Rrëfimit nuk është si të shkosh në dyqanin e pastërtisë

Është fjala, pra, për besnikëri, që sjell gëzim - vërejti Françesku - Si për Abrahamin, gëzimi ynë është të galdojmë në shpresë… Secili nesh e di se nuk është besnik, por e di edhe se Zoti është - theksoi Papa – Mjafton të kujtojmë përvojën e Hajdutit të Mirë:

“Zoti besnik nuk mund ta mohojë vetveten, nuk mund të na mohojë as ne, nuk mund ta mohojë dashurinë e tij, nuk mund ta mohojë popullin e tij. Nuk mundet! Sepse na do! Kjo është dashuria besnike e Zotit. Kur shkojmë për të marrë Sakramentin e Pendesës, ju lutem, mos mendoni se jemi duke shkuar në dyqanin e pastërtisë, për t’i lënë aty zdralët. Jo! Shkojmë të marrim përqafimin  e dashurisë së këtij  Zoti besnik, i cili na pret, na pret gjithmonë.

Gëzimi ynë është galdim në shpresë

Papa kujtoi, më pas, faqen e sotme ungjillore (Gjn 8,51-59), në të cilën thuhet se doktorët e Ligjit mblodhën gurë, për t’i flakur kundër Jezusit. Gurë, për ta mbytur Zotin, “për ta errësuar të vërtetën e Ngjalljes”. E, në përfundim, Papa u rikthye tek nxitja fillestare e homelisë:

“Zoti është besnik! Ai më njeh. Më do. Nuk do të më lerë vetëm. Do të më marrë gjithnjë për dore. E ç’mund të dëshiroj? Më shumë se kaq? Ç’duhet të bëj? Të galdoj në shpresë! Galdo, pra, në shpresë, sepse Zoti të do si atë e si nënë!








All the contents on this site are copyrighted ©.