2018-03-21 14:21:00

Papa pranon dorëheqjen e imzot Viganò, prefekt i Sekretarisë për Komunikimin


Papa Françesku pranoi sot dorëheqjen e prefektit të Sekretarisë për Komunikimin(Spc), imzot Dario Edoardo Viganò, nga i cili varet edhe radioja jonë. Mbetet në dikaster si Ndihmës. Deri në emërimin e prefektit të ri, Spc-ja do të udhëhiqet nga sekretari i saj, imzot Lucio Adriàn Ruiz.

Letra e Papës për imzot Dario Edoardo Viganò

         “Pas takimeve tona të fundit e pasi reflektova gjatë dhe i peshova me kujdes arsyet e kërkesës suaj për të bërë ‘një hap mbrapa’ në përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Dikasterit për komunikimet – i shkruan Papa, imzot Viganò-së – e respektoj vendimin dhe e pranoj, jo pa vështirësi, dorëheqjen tuaj nga detyra e prefektit.

         Ju kërkoj – vijon letra e Papës Françesku – të vijoni të qëndroni pranë Dikasterit, duke ju emëruar si Ndihmës për Dikasterin e komunikimit, në mënyrë që t’i jepni kontributin tuaj njerëzor e profesional Prefektit të ri në planin e reformës, dashur nga Këshilli i Kardinajve, miratuar prej meje dhe ndarë rregullisht me të gjithë. Reforma ka arritur tashmë në pjesën përfundimtare me hyrjen e afërt të ‘L’Osservatore Romano’ brenda sistemit të vetëm komunikativ të Selisë së Shenjtë dhe me bashkangjitjen e Tipografisë së Vatikanit.

         Impenjimi i madh i këtyre viteve në Dikasterin e ri, me stilin e konfrontimit plot gatishmëri e me butësinë, që keni ditur t’u tregoni bashkëpunëtorëve e organizmave të Kuries Romake – përfundon Papa Françesku – e ka bërë të qartë se reforma e Kishës nuk është, para së gjithash, problem organigramash, por sidomos impenjimi me frymën e shërbimit. Ndërsa ju falenderoj për përvujtërinë dhe ‘sensus ecclesiae” të thellë, me dëshirë ju bekoj dhe ju besoj në duart e Marisë. Papa Françesku”.

Letra e imzot Viganò-së për Papën

         Nga ana e tij, imzot Dario Edoardo Viganò shpjegon arsyet e dorëheqjes në një letër për Papën, ku vë në dukje se “gjatë ditëve të fundit janë hapur shumë polemika rreth veprimtarisë sime, të cilat, përtej ndjeteve të tyre, destabilizojnë punën e ndërlikuar e të madhe të reformës, që ju më keni besuar në qershor të vitit 2015 e që tani, falë kontributit të shumë njerëzve, duke filluar nga personeli, po mbërrin në cakun përfundimtar.

         Ju falenderoj – vijon imzot Viganò – për mbështetjen atërore e të vendosur, që më keni dhënë me bujari gjatë kësaj kohe e për vlerësimin e vazhdueshëm, që më shprehët edhe në takimin tonë të fundit. Por, për të respektuar ata, që kanë punuar me mua gjatë këtyre viteve dhe, për të shmangur faktin që, në një farë mënyre, për shkakun tim, të vonohet, dëmtohet, ose deri të bllokohet ç’është vendosur me Motu Proprio-n ‘Konteksti aktual komunikativ’ i 27 qershorit 2015 e, sidomos, për hir të dashurisë për Kishën e për Ju, Atë i Shenjtë, ju kërkoj ta pranoni dëshirën time për t’u mënjanuar, duke dhënë, nëse ju dëshironi, gatishmërinë për të bashkëpunuar me mënyra të tjera.

         Me rastin e urimeve të Krishtlindjes për Kurien, në vitin 2016, Ju kujtonit se “reforma do të jetë frytshme vetëm nëse zbatohet nga njerëz ‘të rinovuar’ e jo thjesht nga njerëz ‘të rinj’. Nuk mjafton të kënaqemi me ndryshimin e personelit, por duhet t’i nxisim anëtarët e Kuries të rinovohen nga pikpamja shpirtërore, njerëzore e profesionale. Reforma e Kuries nuk zbatohet në asnjë mënyrë me ndryshimin e njerëzve – që, pa dyshim, po bëhet e do të bëhet – por me kthimin e zemrave të tyre.

         Mendoj se ‘mënjanimi’ do të jetë për mua rast i frytshëm për rinovim, ose, duke kujtuar takimin e Jezusit me Nikodemin (Gjn 31,1), kohë për të mësuar si ‘të rilind nga lart’. Në fund të fundit, nuk është Kisha e roleve ajo, që ju na keni mësuar ta duam e ta jetojmë, por Kisha e shërbimit, stil, të cilin jam munduar ta jetoj gjithnjë.

         Atë i Shenjtë – përfundon imzot Viganò – faleminderit nëse do ta pranoni këtë ‘mënjanimin’ tim, që Kisha e rruga e saj të rinisin me vendosmëri, udhëhequr nga Shpirti i Zotit. Duke ju kërkuar bekimin, ju siguroj lutje për shërbimin tuaj dhe për rrugën e reformës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.