2018-03-20 14:54:00

Selia e Shenjtë dhe Ekspozitat Ndërkombëtare


Të ecësh gjithnjë pranë njeriut, “me porta të hapura”, pa frikë nga ballafaqimi me progresin e me kulturat e tjera. Kjo bindje e ka frymëzuar gjithnjë pjesëmarrjen e  e Selisë së Shenjtë në Ekspozitat ndërkombëtare, që nga viti 1851, Vit i Ekspozitës së famshme, e para universale e Londrës, deri tek Bienalja e ardhshme e Arkitekturës, Venedik, 2018.

Është shenjë e pjesëmarrjes së përhershme të Kishës në ngjarjet njerëzore, e dëshirës së saj për t’u ballafaquar me kulturat e fetë “e tjera”, prania e Selisë së Shenjtë në Ekspozitat Ndërkombëtare. Që nga viti 1851, vit i Ekspozitës së parë universale të Londrës, organizuar në të famshmin Crystal Palace. Në Pallatin-serrë, realizuar me hekur e qelq nga arkitekti Joseph Paxton, Vatikani ka pavijonin e vet, përmes së cilit i dëshmon botës se dëshiron ta shoqërojë e ta mbështesë progresin teknologjik të Revolucionit industrial.

Prani e përhershme e domethënëse

Ndërmjet ngjarjeve më domethënëse, kujtojmë Expo Centennial, realizuar në Philadelphia, në vitin 1876, për të kremtuar shekullin e parë të pavarësisë amerikane: ishte ekspozita e parë ndërkombëtare, që njihej në territorin veriamerikan. Të denja për t’u kujtuar, edhe Chicago 1892, me rastin e 400-vjetorit të zbulimit të Amerikës; Paris 1931, nën shenjën e misionaritetit; Torino 1961 në qindvjetorin e bashkimit të Italisë; Montreal 1967, me lindjen e  pavijoneve ekumenike.

1964,  Zoja e Dhimbshme e Mikelaxhelos, në New York

E paharrueshme qe pjesëmarrja në panairin e New York-ut, në vitin 1964, kur, nën papninë e Palit VI, Selia e Shenjtë mori pjesë me “Pietà”-në e Mikelaxhelos, që u sigurua me 26 milionë dollarë.

Të larmishme, ekspozitat ndërkombëtare në Vatikan

Janë të larmishme rastet, në të cilat  ekspozitat ndërkombëtare kanë qenë të ftuara në Vatikan. Mund të kujtojmë Ekspozitën  botërore  të Shtypit Katolik të 1936-tës, ose Ekspozitën Ndërkombëtare të artit kishtar, organizuar me rastin e Jubileut të vitit 1950.

Selia e  Shenjtë në Bienalen e Venedikut

Për  herë të parë, në vitin 2015, Selia e Shenjtë mori pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit të Bienales së Venedikut. Prani, që vijoi edhe në edicionin e mëpasëm të 2017-tës, të dyja me temë të shkëputur nga Libri i Zanafillës. “Në fillim ishte…”. Sivjet e ka radhën Bienalja e Arkitekturës, ku do vendoset pavijoni i titulluar “Vatican Chapels”.

Në vijim, një kronologji e shkurtër e pjesëmarrjeve të Selisë së Shenjtë në Ekspozitat Ndërkombëtare:

- Londër 1851. Great Exhibition of the Works of Industry of all Nations. Në Crystal Palace të Joseph Paxton, Shtetet e Kishës, nën Piun IX Mastai Ferretti, ekspozojnë mozaikë dhe skulptura, prodhuar nga artizanati e industria

- Paris, 1855. Kisha është e pranishme, edhe pse kalon çaste të vështira në klimën e ashpër të politikës italiane.   

- Londër, 1862. Shteti Papnor, edhe pse në dramaticitetin e çastit pas bashkimit të Italisë, pati një stendë pikërisht me objekte, që i përkisnin Arteve të Bukura, Industrisë dhe Arteve mekanike.

- Paris, 1867. Me dëshirën e Piut IX u realizua në shkallë reale, një rindërtim i idealizuar i katakombave romake. Papa deshi ta shikonte vetë projektin para nisjes për në Francë. Pavijoni qe një nga më të vizituarit.

- Romë 1870. Selia e Shenjtë organizoi në Romë, një ekspozitë me vepra arti të krijuara për kultin katolik. Virginio Vespignani projektoi strukturat ekspozitive në kiostrin e Bazilikës Santa Maria degli Angeli.

- Philadelphia (SHBA) 1876. Expo Centennial me rastin e shekullit të parë të pavarësisë. Ekspozita e parë, që njihet në territorin amerikan. Para saj, më 1853, në New York, njëkohësisht me Expo-në ndërkombëtare të Dublinit, qe organizuar Exhibition of the Industry of All Nations. Në Philadelphia, Selia e Shenjtë ishte e pranishme me ndonjë mozaik e një sixhade, prodhim i  manifakturave tradicionale  romake.

- Vatikan 1888. Hapet një ekspozitë në Galeritë dhe në Kopshtet e Vatikanit: një sërë fotografish të shkëlqyera historike, kujton shijen neogotike, asokohe shumë në modë. 

- Chicago, 1892. Në 400-vjetorin e Zbulimit të Amerikës, Vatikani, nën Leonin XIII Pecci, ekspozon mozaikë, letra origjinale e në kopje, të Kristofor Kolombit, përveçse kontribuon në rindërtimin e kuvendit françeskan të Palos, ku u përbujt lundërtari gjenovez.

- Saint Louis, 1904. Selia e Shenjtë është e pranishme me objekte të çmuara, ardhur nga Biblioteka e Vatikanit, me gjigandografi të kapelës Sikstine e të Dhomave të Rafaelos, piktura të katakombave e kopje të Guido Renit.

-  Romë, 1904. Në 500-vjetorin e dogmës të Zojës së Zënë pa Mëkat, në Pallatin e Lateranit u vendos ekspozita ndërkombëtare mariane. 

- Qyteti i Vatikanit, 1925. Espozita Universale Misionare, me dëshirën e  Piut XII, me rastin e Jubileut, Vitit Shenjt, të cilit Papa deshi t’i jepte frymë të veçantë misionare. Njëzet e katër pavijone të ngritura për këtë rast në Kopshtet e Vatikanit. Ekspozita pati sukses ndërkombëtar e prej saj lindi Muzeu Misionar Etnologjik, sot Muzeu Anima Mundi (Shpirti i Botës) në Vatikan. Një fotografi dokumenton Piun XI, që asiston personalisht në organizimin e pavijoneve brenda Kopshteve të Vatikanit. 

- Barcelonë, 1929: si në ekspozitat e mëpasme të Parisit (1931) e  Brukselit (1935), Selia e Shenjtë merr pjesë me një rol domethënës dhe dëshmon ndjeshmërinë për gjuhën e re të artit kishtar dhe ndryshimet e mëdha shoqërore të bashkësive katolike, në sektorin e familjes, të shkencave e të debateve kulturore. 

- Paris 1931. Expo u kushtohet vendeve koloniale e i lihet hapësirë rolit të misioneve në programin e qytetërimit kolonialistik: ndërtohen, me këtë rast, dy kisha: një katolike e një protestante.   

- Romë, 1936. Espozita Botërore e Shtypit Katolik me dëshirën e Piut XI Ratti që, për organizimin, fton arkitektin e famshëm Giò Ponti.

- Paris, 1937.  Ekspozita Ndërkombëtare e “Arts et des Techniques appliqués à la Vie Moderne”. Pavijoni katolik  (pas të cilit janë kardinali –kryeipeshkëv i Parisit, Jean Verdier, prifti i ri atë Alain Couturier e më në përgjithësi, kultura moderniste e «L’Art Sacré», është i përkorë, esencial, me synimin për të vënë në pah rolin e jetës së organizuar mbi bazën e sakramenteve në vetminë e kiostrit e në meditim murgar. E vetmja gjë, që të kujtonte tragjeditë politike bashkëkohore, dukej në kapelën e quajtur  “Santuario", ku piktori José Maria Sert kishte realizuar, per Spanjën frankiste, Shën Terezën e Avilës, duke ia ofruar Krishtit të Kryqëzuar martirët e Spanjës. 

- Qytet i Vatikanit, 1950: Ekspozitë Ndërkombëtare e Artit Kishtar për Jubileun. 

- Bruksel, 1958. Expo e parë, pas ndërprerjes, për shkak të Luftës.

- Torino, 1961. Espozita Ndërkombëtare e Punës, në njëqind vjetorin e bashkimit të Italisë. Në hapësirën rezervuar për Kishën katolike, ekspozohen, ndërmjet veprave të tjera, shtatorja “Kardinali” e Giacomo Manzù dhe një  Kryq bizantin.

- New York 1964-5. Panairi Botëror. Selia e Shenjtë, nën papninë e  Palit VI Montini, paraqitet me Pietà-në e Michelangelo-s, siguruar për 26 milionë dollarë (shifër marramendëse për epokën), që vizitohet nga 17 milionë vetë. Ekspozimi i besohet Jo Mielziner, një nga skenografët më të famshëm teatralë të Broadway. Pavijoni skicon, me këtë rast, historinë e krishterimit nga Krishti - në Koncilin II të Vatikanit. Asokohe u paraqit edhe rindërtimi i  Varrit të Shën Pjetrit, poshtë Bazilikës së Vatikanit.

- Montreal, 1967 e Osaka 1970. Lindin “pavijonet ekumenike”. Në pavijonin kristian paraqiten shtatë bashkësi rregulltare, ndërmjet të cilave, edhe ajo katolike. Pavijoni synon të pohojë nevojën e vlerave dhe të parimeve të përbashkëta.

- New Orleans 1984 (Lousiana World Exposition): Selia e Shenjtë  merr pjesë me dy vepra të famshme: Zbritjen e Krishti nga Kryqi të Caravaggio e me sixhadetë e Raffaello-s

- Sevilla, 1992. Vatikani ekspozon  Tabernakullin e Sikstit IV dhe tregon interes për thellimin e temave të propozuara nga Ekspozita, në vijë me thellimin e vëmendjes së Selisë së Shenjtë për temat ambientale, propozuar nga Ekspozita  dhe me idenë për ta mbrojtur jetën e njeriut e të Planetit.

- Venezia 2013. Nga  1/6 deri më 24/11/13 Selia e Shenjtë merr pjesë për herë të parë në edicionin e 55-të të Biennales së Venedikut. Tema u zgjodh nga Libri i Zanafillës.  

- Milano 2015. Expo “Të ushqehet Planeti. Energjia për jetën”. Selia e Shenjtë paraqitet me pavijonin me temë: “Jo vetëm me bukë” e “Bukën tonë të përditshme jepnae neve sot”.  Pavijoni përqendrohet tek ruajtja e tokës, edukimi, ushqimi faktor jete e shujta eukaristike, faktor i jetës së pasosur.

- Venedik, 2015. Nga 9/05 deri më 22/11 Selia e Shenjtë mori pjesë në Ekspozitën e 56-të Ndërkombëtare të Artit, të Bienales së Venedikut.  Tema e Pavijonit,  “Në Fillim… Fjala u bë njeri”.

- Astana 2017. Në Kazakistan organizohet  Expo me temë “Energjia e së ardhmes”. Selia e Shenjtë merr pjesë ndërmjet 115 vendeve të pranishme me një fokus kushtuar zhvillimit të gjithanshëm të njeriut. Tema e pavijonit është : “Energjia për të mirën e përbashkët; kujdesi për shtëpinë e përbashkët”. Të kujton dukshëm enciklikën “Lëvduar qofsh” të Papës Françesku.

- Venedik 2018. Selia e Shenjtë merr pjesë në Bienalen e Arkitekturës, me   Pavijonin “Vatican Chapels”.








All the contents on this site are copyrighted ©.