2018-03-19 13:38:00

Papa të rinjve: rrezikoni e dilni nga logjika e “është bërë gjithnjë kështu”


Sot paradite Papa hapi Takimin para-sinodal, në të cilin marrin pjesë të rinj të ardhur nga vende të ndryshme të botës, lidhur me Asamblenë XV të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, me temë “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes”, parashikuar për muajin tetor 2018. Ky takim organizohet nga Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit të Ipeshkvijve, në bashkëpunim me dikasterin për Laikët, Familjen e Jetën.

“Guxoni të ecni në shtigje të reja, dilni nga logjika ‘kështu është bërë gjithnjë’,  ecni në mënyrë krijuese në hullinë e traditës së njëmendtë të krishterë”. Kjo, thirrja e fuqishme, që Papa Françesku u drejtoi rreth 300 të rinjve, të mbledhur deri të shtunën e ardhshme pranë Kolegjit Papnor Ndërkombëtar “Maria, Nëna e Kishës”, në Romë. Të rinj nga vise të ndryshme të botës, jo vetëm katolikë, por edhe të konfesioneve të ndryshme të krishtera e të feve të ndryshme. Në fjalimin, me shtesa të gjata jashtë teksti, Papa  dëshmoi se e njeh mirë botën e të rinjve  dhe problemet e tyre, posaçërisht atë të papunësisë, për të cilën fajtore është vetë shoqëria. U kërkoi disa herë të flasin haptazi, pa u turpëruar, në këtë takim para-sinodal, lidhur me Sinodin kushtuar të rinjve. Përshëndeti edhe  të gjithë ata, që e ndiqnin, të lidhur përmes internetit.

 Zoti shpesh i flet botës përmes të rinjve

Duke u drejtuar fjalën të rinjve, ardhur nga të katër anët e botës, Papa u uroi së pari mirëseardhjen. E ndiqnin djem e vajza, përfaqësues popujsh, kulturash e edhe fesh të ndryshme, mbledhur …. me dëshirën për të dhënë ç’kanë më të mirë nga vetja, si përfaqësues të të rinjve të botës.

“Kemi nevojë për ju, që të përgatisim sinodin, mbledhjen e ipeshkvijve,  tetorin e ardhshëm, për të diskutuar rreth temës “Të rinjtë, feja dhe shqyrtimi i thirrjes” - u tha Papa - e u kujtoi, më pas, se në shumë çaste të historisë së Kishës, Zoti deshi të fliste pikërisht përmes të rinjve. Përmes Samuelit, për shembull, Davidit, Danielit….

Të rinjtë duhet të jenë protagonistë

Tepër shpesh flitet për të rinjtë, pa i pyetur fare ç’mendojnë. Të rinjtë duhen marrë seriozisht - nënvizoi Papa - e shtoi: “Më duket se rrethohemi nga një kulturë që, nëse nga njëra anë e adhuron rininë, duke bërë çmos të mos kalojë kurrë, nga ana tjetër i përjashton shumë të rinj nga mundësia për të qenë protagonistë. Shpesh të rinjtë përjashtohen nga jeta publike dhe lypin punë, të cilat nuk u sigurojnë të nesërmen. E tepër shpesh lihen vetëm.

Në Kishë nuk duhet të jetë kështu - nënvizoi - na e kërkon Ungjilli: mesazhi i tij i afërsisë na fton të takohemi, të ballafaqohemi, të mikpritemi e të duhemi, të ecim së bashku, pa frikë. Takimi parasinodal synon të jetë shenjë e diçkaje të madhe: dëshirës së Kishës t’i dëgjojë gjithë të rinjtë, pa asnjë përjashtim.

Të rinjtë të shoqërohen në shqyrtimin e thirrjes

Sinodi i ardhshëm - kujtoi Papa - ka në qendër të vëmendjes krijimin e kushteve që të rinjtë të shoqërohen me pasion e kompetencë në shqyrtimin e thirrjes, domethënë, ta dallojnë e ta mikpresin thirrjen për dashuri e jetë  në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Siguria kryesore është kjo: “Zoti e do secilin e secilin e thërret personalisht”. Është dhuratë që, kur zbulohet, të mbush me gëzim - u tha Papa të rinjve - dhe në vijim i siguroi se Zoti ka besim tek të rinjtë, i do, i fton e u drejton pyetjen, që ua pati bërë dishepujve të parë: “Çka kërkoni?”. I fton ta ndajnë me të kërkimin e jetës, të ecin së bashku. E këtë dëshiron të bëjë edhe Kisha, të ndajë me secilin  entuziazmin e kërkimit të gëzimit të vërtetë. Nuk mund ta mbajmë vetëm për vete, atë që na e shndërroi jetën: Jezusin. Bashkëmoshatarët tuaj e miqtë tuaj - u kujtoi Papa të rinjve  - edhe pa e ditur, e presin Zotin e kumtin e Tij të shëlbimit.

Sinodi i ardhshëm do të jetë edhe thirrje drejtuar Kishës   

Sinodi i ardhshëm do të jetë edhe thirrje drejtuar Kishës, që të rizbulojë dinamizmin rinor - tha Papa - e në vijim kujtoi disa nga email-et lidhur me pyetësorin, vendosur në rrjet nga Sekretaria e Sinodit. Përmes tyre shumë të rinj bëjnë thirrje të ndihmohen, kur është fjala për vendime të rëndësishme. Në një kohë plot kërcënime e rreziqe. E Françesku kujtoi, ndërmjet tjerash, alkoolin, drogën, seksualitetin e jetuar në mënyrë konsumistike. Kujtoi edhe britmën, që larton një e re nga rrjeti: “Ndihmojeni botën tonë rinore, që po rrokulliset gjithnjë më në teposhte”. E tregimin e një të riu që, pas disa takimeve, shkruan, plot entuziazëm: “Gjëja më e rëndësishme ishte prania mes të rinjve e rregulltarëve, si miq, që na dëgjojnë, na njohin, na këshillojnë”.

Mesazhi drejtuar të rinjve nga Koncili II i Vatikanit

Papa kujtoi, në vijim, Mesazhin e shkëlqyer drejtuar të rinjve nga Koncili II i Vatikanit, duke nënvizuar se vijon të jetë nxitje për të luftuar kundër çdo egoizmi e për të ndërtuar me guxim një botë më të mirë. Është ftesë për të kërkuar shtigje të reja e për t’i përshkuar me guxim e besim, duke i mbajtur sytë ngulur tek Krishti e duke ia hapur zemrën Shpirtit Shenjt, për ta rinuar edhe vetë fytyrën e Kishës. Sepse pikërisht në Jezusin e në Shpirtin Shenjt Kisha gjen forcën për t’u rinuar vazhdimisht, duke e  rishikuar jetën, duke kërkuar ndjesë për ligështitë e veta e duke i vënë pa kursim energjitë në shërbim të të gjithëve. Me një qëllim të vetëm: të jetë besnike ndaj misionit, që ia ka besuar Zoti: “Ta jetojë e ta kumtojë Ungjillin”.

Zemra e Kishës është e re

Zemra e Kishës është e re pikërisht sepse Ungjilli është si limfë jetike, që e përtërin vazhdimisht. Na takon ne të jemi të gatshëm për të bashkëpunuar me këtë fekonditet. E këtë do ta bëjmë edhe në udhën sinodale, duke menduar për realitetin e të rinjve të mbarë botës. Kemi nevojë të ripërvetësojmë entuziazmin e fesë dhe shijen e kërkimit. Kemi nevojë ta rigjejmë në Zotin forcën për t’u ringritur në këmbë, pas dështimeve,  për të ecur e për ta forcuar besimin në të ardhmen. E kemi nevojë edhe të marrim guximin për të ecur në shtigje të reja, ndonëse mund të rrezikojmë. Duhet të rrezikojmë, sepse dashuria di të rrezikojë; nëse nuk rrezikon, i riu plaket, e plaket edhe Kisha.

Ëndrrat e të moshuarve do t’ju ndihmojnë të ecni përpara

Duhet ndërtuar një kulturë e re, por - kujtoi Papa - jo pa rrënjë! E rrënjët janë pleqtë, gjyshat. Kemi nevojë për profetë të rinj, por nuk do të jeni kurrë profetë, nëse nuk do të shkoni e ta bëni të ëndërrojë një plak të mërzitur për vdekje në një kënd, sepse askush nuk e dëgjon. “Bëjini pleqtë të ëndërrojnë e këto ëndrra do t’ju ndihmojnë të ecni përpara”.

Kisha ka nevojë për të rinjtë

Kemi nevojë për ju, të rinj, gurë të gjallë të një Kishe me fytyrë të re, por jo të trukuar: jo të rinuar artificialisht, por të përtërirë nga shpirti. E ju na provokoni të dalim nga logjika e “kështu është bërë gjithmonë”, për të mbetur në mënyrë krijuese në hullinë e Traditës së vërtetë.

Po për t’u sintonizuar me gjatësinë e kësaj vale të breznive të reja, duhet dialog i dendur - kujtoi Papa – e, në përfundim, i ftoi  të rinjtë të shprehen  me sinqeritet e krejt lirisht:

“Jeni protagonistë, e ka shumë rëndësi të flisni hapur. Ju siguroj se kontributi juaj do të merret shumë seriozisht", u tha Papa të rinjve të pranishëm të cilët, në përfundim, i falënderoi dhe u kërkoi të luten për të.

Të diel, dorëzimi i Dokumentit përfundimtar të takimit

Para se të fliste Papa, kardinali Lorenzo Baldisseri, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve e falënderoi Françeskun sepse deshi që Sinodi kushtuar të rinjve të ishte, në një farë mënyre, edhe sinod “me të rinjtë”, në të cilin ata të mund të ishin protagonistë. Të dielën e ardhshme, e Diela e Larit dhe Dita XXXIII Botërore e Rinisë - kujtoi Hirësia e Tij - do t’i dorëzohet Papës Dokumenti, që do të dalë nga ky takim. Sot paradite Françesku dëgjoi edhe dëshmitë e disa të rinjve, ardhur nga të pesë kontinentet.








All the contents on this site are copyrighted ©.