

Menjëherë pas Piana Romana, Papa Françesku shkoi me helikopter në San Giovanni Rotondo. Vizitoi spitalin “Shtëpia e lehtësimit të dhimbjes”, mrekulli tjetër e atë Piut, “bebja e syrit”, siç e quante frati i shenjtë kapuçin qendrën, ku janë shëruar edhe shumë shqiptarë. Ati i Shenjtë vizitoi onkologjinë pediatrike e, si gjithnjë, përqafoi e shkëmbeu fjalë plot dashuri me fëmijët e repartit në katin e tretë.
Pas spitalit, Ati i Shenjtë shkoi në shenjtëroren e Zojës së Hireve, përshëndeti bashkësinë e rregulltarëve kapuçinë dhe nderoi trupin e Shën Piut nga Pietrelçina, që ruhet në këtë shenjtërore, si edhe Kryqin e Krishtit, me të cilin atë Piu fliste shpesh. Më pas, aty afër, në tremen e kishës së shën Piut të Pietrelçinës, rreth orës 11.15, Papa Françesku kryesoi meshën në bashkëkremtim me klerin vendas, përshëndeti autoritetet dhe një përfaqësi të besimtarëve.
| All the contents on this site are copyrighted ©. |