2018-03-16 13:34:00

“Tre misteret e vdekjes së Atë Piut”: libër për çastet e fundit të jetës së Shenjtit


Njëqindvjetori i plagëve të atë Piut është një nga temat, në qendër të vizitës që do të bëjë Papa nesër ndër viset e Shenjtit. Për të do të flasim në intervistën tonë me drejtorin e Teleradios Padre Pio,  Stefano Campanella:

Në Shenjtëroren e Shën Marisë së Hireve, Papa do të nderojë trupin e atë Piut, që ndodhet këtu përkohësisht, si dhe Kryqin, para të cilit, njëqind vjet më parë, Kapuçini mori dhuratën e  plagëve të përhershme. Ky do të jetë një nga çastet më  prekëse të etapës në San Giovanni Rotondo - nënvizon në intervistë Stefano Campanella, drejtor i Teleradios Padre Piu dhe kryetar i Zyrës së Shtypit  të provincës rregulltare “Shën Engjëlli e Atë Piu” të Fretërve të Vegjël Kapuçinë,  që ka botuar kohët e fundit librin: “Tre misteret e vdekjes së atë Piut”, për edicionet  San Paolo e Padre Pio da Pietrelçina.

Kjo vizitë e Françeskut ka në qendër të vëmendjes plagët e Krishtit. Si i jetoi atë Piu?

Gjithçka fillon nga çasti kur Atë Piu u shugurua meshtar, më 10 gusht 1910. Me këtë rast përgatiti për kujtim një figure, mbi të cilën shkroi me dorë të vet se dëshironte të ishte si Jezusi: meshtar shenjt e viktimë e përkryer. Pastaj, nga letrat e tij zbulojmë se ia kishte dhuruar shumë herë vetveten Zotit, për të nxjerrë prej Tij hirin e kthimit të mëkatnorëve dhe pastrimin e shpirtrave të Purgatorit. Pak javë pas këtij dhurimi të vetvetes, Zoti iu përgjigj në Pietrelcina, e pikërisht në  lagjen Piana Romana, që do ta vizitojë Papa, ndërsa po lutej nën një vidh. I dhuroi çka kërkonte: varrët e veta! Pastaj, me që ai u turbullua shumë nga këto shenja të dukshme, iu lut Zotit t’ia zhdukte shenjat e t’i linte vetëm dhembjen. E kështu edhe ndodhi për disa vjet. Por më vonë, e pikërisht më 20 shtator të vitit 1918, plagët iu bënë përsëri të dukshme. E kështu edhe i mbetën gjithë jetën, për t’iu zhdukur dalngadalë muajt e fundit para vdekjes. Kur u kontrollua trupi i Atë Piut, menjëherë pas vdekjes, mjeku kurues, profesor Sala, vërejti se plagët ishin zhdukur krejtësisht, pa lënë asnjë gjurmë, asnjë shenjë. Kjo, sipas shkencës, u quajt absurd fiziopatologjik.

Lidhur me plagët e Atë Piut, mbi këtë aspekt kanë folur si Gjon Pali II, ashtu edhe Benedikti XVI, duke u ndaluar posaçërisht tek oferta, që pati bërë Atë Piu, për t’i përngjarë Krishtit. Por, në të kaluarën, ka pasur edhe zëra, që folën fjalë të ngarkuara me dyshime. Ju e keni studiuar me fund këtë çështje. Cili është mendimi juaj?

Duhet të them, me një farë keqardhjeje, se zërat që dyshuan për vërtetësinë e plagëve të Atë Piut, e gjykuan mendjeshkurtësisht çka bëri Kisha për vërtetimin e fenomenit. Në vitin 1919 tre mjekë e vizituan Atë Piun, me urdhër të eprorëve të Fratit të thjeshtë. E vizituan edhe përfaqësues të Sant’Uffizio-s e, në përfundim, u hartuan tre relacione. Relacioni i dytë, i datuar 1925, u bë nga njëri prej tre mjekëve. Në të gjitha këto relacione, nënvizohet vërtetësia e fenomenit. Dy, nga tre mjekët, e quajtën fenomen i pashpjegueshëm; i treti, profesor Amico Bignami i Universitetit la Sapienza të Romës, udhëroi të bëhej një eksperiment: të fashoheshin duart e Atë Piut për tetë ditë, duke e penguar kështu,  të përdorte  ndonjë substancë që mund t’i mbante të hapura plagët. Kur t'i kontrolloj, pas tetë ditësh - mendoi - do të jenë përtharë. Tre fretërit, që ia fashuan këmbët e duart e Atë Piut e, pasë tetë ditësh, panë se nga  plagët  rridhte gjak edhe më shumë se më parë.

Ju sapo keni botuar një libër: “Tre misteret e Atë Piut”, në të cilin  ndaleni mbi tri rrethana shumë të veçanta, të lidhura me vdekjen  e Shën Piut nga Pietrelçina…

Përmes një sërë dëshmish, disa krejt të panjohura, arrita të vërtetoj se Atë Piu  e dinte saktësisht çastin kur do të vdiste. Misteri i dytë, që nuk është as i ri e as i panjohur, ndonëse i botuar për herë të parë në librin kushtuar procesit të lumnimit, ka të bëjë me mundësinë që ai të ketë lejuar një nga bijat e tij shpirtërore  të ishte e pranishme në çastin e vdekjes së tij, pa qenë fizikisht në kuvend, sepse kur vdiq, Atë Piu ishte në klauzurë. Misteri i tretë ka të bëjë pikërisht me zhdukjen e plagëve, pa lënë asnjë gjurmë, mbasi çdo plagë - sipas mjekëve - në çastin kur mbyllet, lë pas një blanë. Ndërsa kur kufoma e Atë Piut, pas vdekjes, u kontrollua nga tre mjekë, u zbulua se plagët e tij qenë zhdukur, pa lënë asnjë gjurmë.








All the contents on this site are copyrighted ©.