2018-03-15 13:03:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Daljes


Në emisionin e sotëm bazuar mbi librin e meshtarit italian don Federico Tartaglia, me titull “Është ora e leximit të Biblës”, do t’ju flasim për Librin e Daljes.

        “Hyji e thirri Moisiun prej kaçube dhe i tha: “Moisi… Unë jam Hyji i atit tënd Abrahamit, Hyji i Izakut dhe Hyji i Jakobit… E pashë mjerimin e popullit tim.. Zbrita për ta çliruar”.

         Në këto pak fjalë të kapitullit të tretë të Librit të Daljes përmblidhet gjithë forca e këtij libri të Biblës: një kaçubë, që digjet e nuk shkrumbohet, një Zot që “ka familje”, që sheh prej Qiellit e që zbret, një Zot që e kupton jetën e njeriut, ndjen dhembshuri për të dhe e ia ndryshon historinë të shtypurit.

         Pa Librin e Daljes nuk do të ekzistonim si besimtarë; nuk do të kishim Pashkë, as Rrëshajë, as Ligj, asnjë Besëlidhje, por sidomos, nuk do të ekzistonte kjo histori, historia e Moisiut, që bëhet histori e një populli, histori e Zotit që vjen të çlirojë të skllavëruarit.

Libri i Daljes ndahet në tri pjesë të mëdha, që përkojnë me tre çaste të tregimit:

- E para (1,1- 15,21) përmbledh tregimin e shtypjes së hebrenjve në Egjipt, lindjen e Moisiut dhe edukimin e tij si princ i Egjiptit, ikjen e patriarkut në Madian dhe thirrjen e Zotit, kthimin e Moisiut në Egjipt, dhjetë plagët dhe daljen e hebrenjve nga vendi.
- Pjesa e dytë (15,22 – 18,27) pasqyron udhëtimin përgjatë bregut të Detit të Kuq, në shkretëtirën e Sinait.
- Pjesa, që e mbyll Librin e Daljes (19,1 – 40,38), përshkruan takimin e Zotit me popullin e zgjedhur, përmes etapave themelore të Dekalogut (20,2-17), pra, të 10 Urdhërimeve të Tënzot, si edhe të Kodit të Besëlidhjes (20,22 – 23,19). Më pas, episodi i Viçit të artë dhe ndërtimi i Tabernakullit, një lloj tempulli i lëvizshëm.

Në Bibël, ka emra, jetë, shtigje, takime; në Librin e Daljes, protagonist i padiskutueshëm është Moisiu, miku i Zotit, emri i të cilit lidhet me katër librat e tjerë, që përbëjnë pesëshen e Torah, siç e quajnë hebrenjtë. Arsyeja e parë për të marrë në dorë e për ta lexuar këtë libër është pikërisht historia e këtij njeriu.

Sepse kush e lexon Biblën duhet të ketë pasion, durim dhe të presë deri sa t’u zbulohet kuptimi historive e simboleve. Kaq të largëta e kaq të thella, sa mund të mbeten të padepërtueshme. Në Librin e Zanafillës gjejmë një gjarpër që flet, njeriun e bërë prej balte, Arkën e ylberin.

Në Librin e Daljes lexojmë për plagë pa fund, pastaj, për një det që ndahet më dysh, për një shtyllë zjarri e reje, për rrasat e gurta, për shkretëtirën, malin, për ngjarje të treguara nga një popull, që e provoi shpëtimin dhe kumton se Zoti është i aftë ta ndryshojë historinë, falë besimit të njerëzve si Moisiu. Në fund të fundit, janë gjithnjë njerëzit, njerëzit e fesë, pasioni nga i cili përvëlon teksti biblik. Secili prej nesh mund të përshkojë udhën e Moisiut, të njohë mëkatin, vetminë, madje edhe skllavërinë… e pastaj, të arrijë shëlbimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.