2018-03-13 16:28:00

Pesë fjalë të Papës Françesku në “L’Osservatore Romano"


Botojmë më poshtë faqen e gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano", kushtuar pesë fjalëve të Françeskut: mëshirë, dalje, të varfërit, periferitë dhe djalli.

Mëshira

(me autor Jean-Marie Guénois)

         Kush e kujton Mizerikordinën? Ato kutizat e vogla, që dukeshin ilaçe, por që kishin brenda rruzaren dhe një fugure, ilaç shpirtëror për të mjekuar e shëruar në thellësi zemrën e shpirtin? Bënë bujë në fillim të papnisë, sepse ajo farmaci e zemrës ishte simbol i përsosur i trajtimit të parashikuar nga Papa për Kishën Katolike. Në fletën shoqëruese lexoheshin dy fjalë të përsëritura shpesh nga Françesku: “Revolucioni i dhembshurisë”.

         Këshillonin një terapi, por edhe, e sidomos, një diagnozë. Ajo për një Kishë Katolike, që nuk arrinte ta përçonte mesazhin e saj themelor, dhembshurinë dhe mëshirën e Krishtit për të gjitha mjerimet e jetës. Shëlbuesi nuk refuzon asgjë, sidomos ato më të fshehurat, më të parrëfyeshmet, pjesë e atij indi qelizor të padukshëm, ku vlon acidi i vërtetë i ndërgjegjes njerëzore, ai virus vdekjeprurës, që e bind njeriun për dy gjëra: se nuk mund të dalë më kurrë nga basifondet dhe, se Zoti nuk do ta falë kurrë më. Element i përsosur – sepse i heshtur e sekret – i dëshpërimit më të thellë.

         E megjithatë, mesazhi i mëshirës vinte nga larg e nga shumë kohë më parë. Sa për të mbetur tek ‘900-a, motër Faustina Kowalska, shenjte polake e Mëshirës Hyjnore, pati ndikim vendimtar tek Karol Wojtyla, i cili ia kushtoi mëshirës enciklikën e tij të dytë. E pikërisht, në shenjën e mëshirës, zemër e Ungjillit, u hap e u mbyll Koncili II i Vatikanit.

         Me një vështrim retrospektiv, mund të thuhet se ai mesazh i çmuar i Mëshirës Hyjnore u vu re shumë, por nuk arriti të fitojë favorin e opinionit publik, besimtar a jo besimtar, i krishterë e madje edhe katolik. Opinioni publik vijonte ta shihte Kishën Katolike si ndonjë xhandar të paepur të moralit. Në të vërtetë, pas shekujsh moralizmi të përpiktë, ishte e vështirë ta zhdukje atë imazh negativ, duke shpjeguar se tashmë mbretëronte “mëshira e papërfytyrueshme”, siç thoshte motër Faustina, e jo më llogaria e trishtë e mëkateve.

         Ja ndoshta, një nga ndryshimet më të mëdha të këtyre pesë vjetëve të para të papnisë së Françeskut. Ky Papë, duke ngulur këmbë tek rrëfimi, duke kremtuar një Vit Shenjt të jashtëzakonshëm kushtuar mëshirës, arriti ta fitojë publikun e gjerë dhe ta komunikojë këtë mesazh shpirtëror të Dashurisë Hyjnore pa kushte, mesazhin e mëshirës. Ajo që mbollën paraardhësit e tij, duket tani e kultivuar në shkallë të gjerë nga Françesku. Në formën e ushqimit shpirtëror për të gjithë.

Dalja

(me autore Silvina Pérez)

         Dalje. Fjalë, që përmbledh një nga risitë e papnisë së Françeskut, fjalë rreth së cilës është përqendruar programi baritor, përshkruar në Nxitjen Apostolike “Evangelii gaudium”. Pa dyshim, është shprehje me të cilën Papa dëshiron të shpjegojë si duhet ungjillëzuar njerëzimi i vuajtur nga plagë të çdo lloji, pra, si duhet çuar Ungjilli deri në periferitë ekzistenciale.

         “Dilni nëpër rrugë e shkoni në udhëkryqe: këdo që të gjeni, thirreni, pa përjashtuar askënd” (shih Mt 22,9). Sidomos shoqëroni ata, që kanë mbetur në anë të rrugës, “të shqeptit, dorëcungët, të vërbërit, të shurdhërit” (shih Mt 15,30). “Kudo të ndodheni, mos ndërtoni kurrë mure, as kufij, por sheshe dhe spitale fushore”. Me këto fjalë për ipeshkvijtë italianë, më 10 nëntor 2015, në katedralen e Firences, Papa tregon cili duhet të jetë stili i Kishës “në dalje”, e aftë të ngushëllojë, të ndihmojë, të mjekojë e sidomos, ta bëjë të dukshme mëshirën e Zotit.

         Të jesh Kishë në dalje presupozon të kërkosh të humburin dhe të presësh nevojtarin. Kisha pra, është në “dinamizmin e ‘daljes’”, sepse frymëzohet nga “forca çliruese dhe rinovuese” e Fjalës së Hyut. Por për Françeskun, dalja presupozon një hap të mëparshëm: atë të kthimit, sepse nuk jemi gati nëse më parë, nuk dalim nga vetvetja drejt Zotit e të tjerëve.

         Gatishmëria për të dëgjuar është një nga çelësat interpretues për të kuptuar veprimtarinë e Françeskut, është mënyra me të cilën Papa sheh në magjisterin e tij, shenjat e natyrës misionare të Kishës. Bergoglio pati intuitën kishtare e baritore të dalë, të shkojë në periferi e ta ndryshojë këndvështrimin, duke rifilluar pikërisht nga periferitë, aty ku kremtimi i Eukaristisë gjen imazhin e Kishës së shprehur nga Koncili II i Vatikanit, në Kushtetutën “Lumen gentium”, si “popull i shenjtë e besnik i Zotit”.

         Pra, “sentire cum ecclesia”, për Papën Françesku, do të thotë të jemi Kishë “në gjendje të vazhdueshme misioni”. Kishë “në dalje” edhe nga vetëreferimi, nga mbyllja në “kapelën e vogël, që mund të mbajë vetëm një grup njerëzish të zgjedhur”. Një Kishë misionare e projektuar drejt një bote, ku mbizotëron “globalizimi i indiferencës”. Indiferenca, që sjell “kulturën e hedhurinave”, bazuar mbi dominimin e interesit individual, të cilit, sipas Françeskut, duhet t’i kundërvihet Ungjilli i mëshirës.

Të varfërit

(me autor José Beltràn)

         Brenda Sikstinës. Ovacion. Numërimi i votave mbaroi. Nuk ka më kthim mbrapa. Plan i parë. Fytyra e qetë e Bergoglio-s, meditative. Pranë tij, Hummes. Një përqafim. I thotë diçka në vesh. Zoom fare afër. “Mos i harro të varfërit”. Pëshpëritja e brazilianit. Zoti, me zë të ulët. Puhizë e Shpirtit, që bëhet jehonë në kokën e argjentinasit, “të varfërit, të varfërit”. Menjëherë, një fjalë tjetër lind nga zemra. Lind Françesku. Një “varfanjak” tjetër. Ata që nuk i llogarit shoqëria, të dënuarit për të jetuar pa emër, i vënë emrin papnisë së re. E, edhe kuptimin. Minuti zero. “Ëndërroj një Kishë të varfër për të varfërit”. Programi i ipeshkvit të Romës për gjithë katolikët. Ëndërr, jo fantazi e kotë. Tabelë marrshimi, që ai vetë e cakton me hapin e tij, me sandalet e konsumuara të peshkatarit, që e çojnë në Lampeduzë, si destinacion i parë. Refugjatët, që i gëlltiti deti, hedhur në humnerë nga shkelmi i të pushtetshmëve. Të varfër ndër të varfërit. Valixhja papnore, që atëherë, udhëton ndër basifondet e botës. Nga një vajzë, viktimë e trafikut në Filipine, tek nënat e burgosura në Kolombi. Për t’i larë këmbët një emigranti mysliman e për t’i dhënë dorën të përbuzurve rohingya. “Duke marrë hopa një fëmijë, e vuri në mes dhe e përqafoi”. Nga periferia në qendër. Françesku përqafon varfërinë si stil jete. Provokim! Sepse varfëria e ka erën e keqe, nuk del mirë në fotografi e sjell veç probleme. E di mirë bariu, që u ka rënë gjerë e gjatë “villas” të Buenos Ajresit, që deshi ta ndërlikonte jetën me “cartoneros”, me fëmijët që varen nga pakoja me ushqime e me nënat e vetmuara. E sa herë Papa ia ka ndërlikuar jetën më se një personi, që preferonte ta shihte nga larg atë realitet. Ose, maksimumi, ta prekte me doreza të sterilizuara.

         Françesku e bëri Kishën të zbresë nga automobili zyrtar i dhembshurisë fallco, për t’u përlyer me baltë. Nuk humbi kohë me fjalime sallonesh, por çdo ditë, në Shën Martë, shqipton homelinë e asketizmit, të përvujtërisë e të thjeshtësisë, që lind nga Shpella e Betlehemit. Sepse të përqafosh varfërinë për të nuk është postulat etik e as asistencializëm i thjeshtë. Është Ungjilli, është zbulimi i fytyrës së Jezusit, në vështrimin e nevojtarit, që depërton thellë në shpirt. Do të thotë të mallëngjehesh deri në fund të fundit, si ati për djalin plangprishës, për t’u rebeluar kundër gjendjeve të padrejtësisë, që krijuan geto në gjithë popujt.

         Premisa bergogliane: jam unë, i privilegjuari, në borxh me të varfërin e jo e kundërta. Prandaj, kjo është papni e parehatshme. Për Papën e parë latinoamerikan, të përqafosh varfërinë do të thotë të denoncosh shkaqet e t’i luftosh ato. Të indinjohesh para pabarazisë. Ta ngresh zërin për t’i dhënë fund ekonomisë, që mënjanon e vret nga uria, ta ngresh zërin kundër luftës me episode, që krijon mjerim të ri, kundër një opinioni publik, që i bën të padukshëm ata që flenë para një banke, ose kërkojnë lëmoshë në hyrje të supermarketeve. Të varfërit në plan të parë, për Françeskun. Që nga minuti zero. E deri më sot.

Periferitë

(me autore Lucetta Scaraffia)

         Papa i ardhur nga fundi i botës solli menjëherë në Romë, në Vatikan, periferinë, siç e shihnin sytë e tij. Këndvështrimi nga i cili e pa rolin, që duhej të merrte përsipër, mënyrën e jetesës së parashikuar për një Papë, ishte kaq i ri sa menjëherë e kuptoi rrezikun e shkëputjes nga jeta e vërtetë, nga marrëdhëniet me njerëzit e tjerë, sidomos nga ato marrëdhënie të paparashikuara, nga të cilat – e ai e dinte mirë – mund të vinin frymëzim e forcë.

         Ta shohësh botën nga këndvështrimi i periferive: kjo e ka frymëzuar çdo gjest e çdo vendim të papnisë së tij, që nga udhëtimi i parë në Lampeduzë, ishull i humbur në Mesdhe, interesant në sytë e Papës vetëm sepse është pikëmbërritje për mijëra emigrantë; periferi që pret ata, të cilët ikin nga periferitë e shkatërruara të botës. Pastaj, erdhën udhëtimet në kufirin ndërmjet Meksikës dhe SHBA-ve, tjetër vend në të cilin kosumohet tragjedia e emigracionit e, pastaj, në zonat më të dëshpëruara të planetit – si bidonvilet e qyteteve latinoamerikane, ku përgatitet e shpërndahet droga, që u shitet vendeve të pasura – gjithnjë në kërkim të fjalëve të përshtatshme për ta shkundur botën e pasur, që nuk dëshiron të dëgjojë të flitet për të varfërit.

         Papa Françesku e di mirë se nga periferitë vjen e keqja e, prandaj, mund të vijë edhe e mira për botën. Në këtë këndvështrim, duke revolucionarizuar traditat kuriale, krijoi shumë kardinaj, që veprojnë në vendet periferike, të cilat nuk i llogarit kush, për të sqaruar edhe një herë se të shohësh drejt periferive do të thotë ta përmbysësh tryezën e të rinovosh seriozisht.

         Dy, janë aktet më të fuqishme të tij: enciklika “Laudato si’”, që përmbysi krejtësisht optikën me të cilin shihej ndotja, duke tundur para syve të botës – mësuar me ankime për smogun e qyteteve të mëdha – çmimin e jashtëzakonshëm e të padrejtë, që paguajnë ata, të cilët jetojnë në vendet e varfëra, për një zhvillim, që nuk pyet për kërkesat e njerëzve e të natyrës, por vetëm për fitimet.

         E pastaj, hapja e Jubileut të Mëshirës në Bangui: kur Françesku hapi dyert e asaj katedraleje të varfër, në mesin e një popullsie bërë copë-copë nga lufta, e gjithë bota e kuptoi se epoka e Kishës triumfale, që tregon bukurinë dhe pasurinë e saj nga Shën Pjetri, kishte kaluar. Ishte vetë Kisha, që kërkonte mëshirë për periferitë, shpesh të harruara.

         Por ka edhe një periferi tjetër, që duhet shpëtuar akoma, pikërisht në zemër të Kishës: gratë, rregulltare e laike, të cilat kanë shumë për të thënë, shumë për të dhënë e, nuk dëgjohen.

Djalli

(me autor Enzo Bianchi-n)

         “Djalli ekziston edhe në shekullin XXI e ne duhet të mësojmë nga Ungjilli si të luftojmë me të”. Në këtë frazë të homelisë, në Shën Martë, më 11 prill 2014, kondensohet mendimi i Papës Françesku, jo aq mbi ekzistencën e djallit, se sa – shumë më thellë – në mënyrën, me të cilën i krishteri duhet ta përballojë këtë prani, që, edhe e privuar nga imazhe e personifikime stereotipe, nuk mungon të ndikojë mbi jetën e përditshme të secilit.

         Françeskut nuk i intereson aq ta përshkruajnë demonin, “përçarësin”, që përpiqet pa fund për të na ndarë nga Zoti e për të na vënë njëri kundër tjetrit. Papa e ka për zemër që i krishteri të dijë të luftojë ditë për ditë kundër demonëve, duke përdorur si armë Ungjillin, Lajmin e Mirë se Zoti është bërë njeri për të mjekuar të sëmurët, për të shpëtuar të humburit, për të pajtuar me Të çdo krijesë.

         E armët e Ungjillit, që është Jezu Krishti, mprehen me anë të shoshitjes – së mendimeve, të fjalëve, të veprave dhe të mungesave – që na bën ta njohim çka vjen prej Zotit e çka vjen prej të Keqit. Shqyrtim, që di të kapë si rritet brenda nesh (si individë dhe si bashkësi kishtare) tundimi i djallit, që “ka tre tipare: rritet, infekton dhe justifikohet”, saktëson Papa. Po, tunduesi, si virusi, hyn me dinakëri, fillimisht, duke e nxjerrë pak kokën, pastaj, infekton gjithçka rreth vetes, deri sa të duket si gjendje, që pak a shumë, mund të justifikohet.

         Atëherë, lufta duhet bërë me shpatën e Fjalës së Zotit (shih Heb 4,12), që depërton e realizon një “çarje” të kundërt me atë të demonit, duke frymëzuar një qëndrim që e vendos sërish të krishterin pas gjurmëve të Krishtit, ia drejton rrugën, e udhëheq drejt kthimit. Këmbëngulja në Fjalën e Zotit e pengon çdo tundim të rritet e të zërë rrënjë, e ndalon infektimin dhe i asgjëson justifikimet. Njëkohësisht, Shpirti Shenjt lufton brenda nesh e përkrah nesh, duke na ngushëlluar, duke na nxjerrë nga dëshpërimi, duke na kumtuar Lajmin e Mirë të Zotit, që na i fal mëkatet.

         Kjo fytyrë e mëshirshme e Hyut është ilaçi, që Françesku e kujton vazhdimisht, për t’i përforcuar të krishterët në luftën e tyre kundër idhujve e për ta ngushëlluar atë, që tundohet dhe u lëshon pe joshjeve të djallit. Është Zoti ynë Jezu Krishti – i treguar e i predikuar në Ungjill, Ai që e shembi murin e ndarjes, që krijoi bashkimin e popujve (shih Ef 2,14) e që çdo ditë, krijon bashkim ndërmjet dishepujve të vet – i vetmi, që mund ta mposhtë përçarësin e ta unifikojë zemrën tonë. Papa e tha këtë që në ditën e parë, pas zgjedhjes, duke cituar Léon Bloy: “Kur nuk besojmë në Jezu Krishtin, besojmë në mondanitetin e djallit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.