2018-03-13 13:14:00

Evangelii Gaudium, teksti programatik i papnisë së Françeskut


Në përvjetorin e pestë të zgjedhjes së Papës Françesku, përshkojmë shkurtimisht Nxitjen e tij të parë Apostolike, me titull “Evangelii Gaudium” (Gëzimi i Ungjillit), tekst programatik i papnisë, publikuar më 26 nëntor 2013. Dokumenti, me mëse 220 faqe, ndarë në 5 kapituj e 288 paragrafë, flet për kumtimin e Ungjillit në botën aktuale, duke pasur parasysh edhe kontributin e punimeve të Sinodit mbi “ungjillëzimin e ri për transmetimin e fesë”, mbajtur në Vatikan, nga 7 deri më 28 tetor 2012.

Etapë e re ungjillëzimi, karakterizuar nga gëzimi

         “Gëzimi i Ungjillit ua mbush zemrën dhe krejt jetën atyre, që takohen me Jezusin. Ata, që e lënë veten të shëlbohen prej Tij, lirohen nga mëkati, nga trishtimi, nga boshllëku i brendshëm, nga izolimi. Me Jezu Krishtin, gjithnjë, lind e rilind gëzimi”. Kështu fillon “Evangelii Gaudium”, Nxitja apostolike e Papës Françesku. Dalëngadalë e, duke kaluar nga një temë në tjetrën, ajo bëhet thirrje e zjarrtë për të gjithë të pagëzuarit, të cilët, me hov e dinamizëm të ri, duhet t’u çojnë të tjerëve dashurinë e Jezu Krishtit, duke kapërcyer atë, që Ati i Shenjtë e quan “rreziku i madh i botës aktuale”: rënien në “një trishtim individualist”. Edhe besimtarët e kanë përpara këtë rrezik, vëren Papa, sepse ka të krishterë, që duket sikur jetojnë në një Krezhmë të përhershme, pa Pashkët e Ringjalljes. Ungjillëzuesi, nënvizon Papa e jo vetëm në “Evangelii Gaudium”, nuk duhet të ketë “fytyrë funerali”. Është e nevojshme të kalohet nga një baritori, që thjesht e ruan fenë, në një baritori vendosmërisht misionare: ky, programi i papnisë.

Temat e Evangelii Gaudium

         E për ta bërë këtë, Ati i Shenjtë përvijon një sërë tematikash, që përfshijnë krejt Kishën Katolike. Së pari, reformat e strukturave kishtare, gjetja e rrugëve dhe e mënyrave të reja për ta kumtuar Ungjillin, duke filluar nga famullitë e deri në Vatikan. Pastaj, ndryshimi i papatit, duke u dhënë më tepër rëndësi Kishave lokale; këshilla për të mos u atrofizuar në doktrinë, e cila ndikohet nga mendime të ndryshme teologjike dhe filozofike edhe brenda Kishës, por për ta lënë të shkëlqejë dashurinë e Zotit; hapja e dyerve të Kishës për mëkatarët e çdo lloji e mospërdorimi i saj si doganë, por si “spital fushor”. E më pas, denoncimi i sistemit aktual ekonomik, që shkatërron më të brishtët; kritika ndaj individualizmit postmodern, që shpërfytyron lidhjet familjare; shprehja, që ka hyrë tashmë në përdorim të përditshëm, “revolucioni i dhembshurisë”. Papa nuk e do Kishën “të kësaj bote” e i lutet Zotit ta shpëtojë nga korrupsioni; kërkon hapësirë për laikët, gratë e të rinjtë, si edhe dialog me kulturat; në homeli, thekson, duhen gjetur fjalë, që i përflakin zemrat e, në katekizëm, të shoqërohen fëmijët, që ta kuptojnë se Zoti i do dhe ka dhënë jetën për t’i shpëtuar. Françesku nuk i kursen politikanët, që nuk kujdesen për të brishtët; pohon se aborti nuk është progresist e kërkon vëmendje për jetën e fëmijëve të palindur akoma; dëshiron impenjim për dialog e paqe, por sidomos u thotë meshtarëve, rregulltarëve e besimtarëve të jenë misionarë të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, që Kisha Katolike të jetë “e varfër për të varfërit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.