2018-03-12 13:48:00

Papa Françesku: nuk duhet të jeni të krishterë të parkuar


“Kur nuk shikoni shenja e mrekulli, ju nuk besoni!”. Është qortim, ky, që Jezusi ia bën funksionarit të mbretit, i cili i vihet mbrapa në Galile, duke i kërkuar t’ia shërojë të birin e sëmurë. Njerëzit e dinin se Jezusi bënte mrekulli. Kishte bërë shumë. Ndaj e ndiqnin pas, duke i kërkuar gjithnjë mrekulli të reja. E Zoti duket se e kish humbur durimin, sepse mrekullia ishte gjëja e vetme, që vlente për ta. Besonin në mrekullinë, jo në Zotin. Ndaj në homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku komentoi:

“Ku është feja juaj? Ju mjafton të shikoni një mrekulli e të thoni: ‘Ti ke vërtet pushtet. Ti je Zot?’. Ky po, është akt feje, por i vogël, i vogël. Sepse dukej qartë që ky njeri kishte pushtet të fuqishëm, po feja vetëm sa fillon aty. Duhet të shkojë përpara. Ku është dëshira jote për Zotin? Sepse kjo është feja: të kesh etje për Zotin, dëshirë të pashuar ta takosh, që të ndjehesh i lum me Të”.

Zoti na fton për gëzimin e vërtetë

Cila është mrekullia e vërtetë, që bën Jezusi? - pyeti përsëri Papa - për të vijuar komentin  e Leximit I, shkëputur nga Libri i Isaisë. “Ja, unë po krijoj qiej të rinj e tokë të re. Do të gurrojë gëzim përherë, nga kjo, që po krijoj”. Zoti e tërheq dëshirën tonë drejt gëzimit, që buron nga prania e Tij. Gëzim kur je pranë Zotit, me Zotin! Gëzim, kur Zoti kalon në jetën tonë e bën mrekulli në secilin nesh, e secili e di ç’ka bërë Zoti në jetën e tij. Po nuk përfundon gjithçka aty! Kjo është vetëm ftesë për të shkuar përpara, për të vijuar udhën, “për ta kërkuar fytyrën e Zotit”, thotë Psalmi, për ta kërkuar me gëzim.

Shumë, të krishterët e parkuar

Mrekullia, pra, është vetëm fillimi. Ndaj Papa pyeti: “Ç’mendon Jezusi për gjithë ata të krishterë, të cilët ndalohen tek hiri i parë e nuk vijojnë të ecin  e sillen si njeriu që, kur shkon në gjelltore, ngopet me antipastën e kthehet në shtëpi pa e shijuar fare atë që vjen pas?”:

“Sepse ka shumë të krishterë që rrinë si të ngrirë, që nuk ecin; të krishterë të kredhur deri në fyt në rërën e telasheve të përditshme - të mirë, të mirë! Por gjithnjë foshnjarakë, të parritur kurrë. Të krishterë kafazi, që nuk dinë ç’është fluturimi, me ëndrrën për t’u ngjitur lart e më lart, atje ku gjindet bukuria, për të cilën na thërret Zoti”.

I krishteri i vërtetë rrezikon

Është një pyetje, që mund e duhet ta bëjë gjithkush - vijoi Françesku - “ Si është dëshira ime? A e kërkoj Zotin kështu? Apo kam frikë, jam njeri fare i rëndomtë? Cila është masa e dëshirës sime? Dua të shijoj vetëm antipastën, apo të gjitha gjellët, që shtrohen para meje në gosti?”.

E, në përfundim, porosia: “Ta ruajmë dëshirën, duke mos shikuar tepër rehatin, të shkojmë përpara, duke rrezikuar!” I krishteri i vërtetë rrezikon, del nga siguria e hyn në rrezik. Ndryshe nuk mund të jetë i krishterë i vërtetë!








All the contents on this site are copyrighted ©.