2018-03-12 13:39:00

Papa Françesku, politikanëve të Provincës së Marsejës: “ndërtoni ura”


“Ndërtoni ura ndërmjet njerëzve, që jetojnë në kushte të ndryshme shoqërore, ekonomike, kulturore dhe fetare, si edhe ndërmjet brezave të ndryshëm”. Është njëra nga këshillat e Papës Françesku për parlamentarët dhe politikanët e provincës franceze të Marsejës, të cilët i priti sot në Vatikan. I shoqëronte kryeipeshkvi i qytetit, imzot Georges Pontier, dhe ipeshkvijtë e tjerë të provincës.

         “Ju inkurajoj – theksoi Papa – të krijoni lidhje ndërmjet qytetit dhe fshatit, ndërmjet botës së studimeve e asaj të profesioneve, që dinamizmi i territoreve tuaja të pasurohet gjithnjë me veçori të ndryshme. Së fundi, duhet të përpiqeni gjithnjë të bëheni të afërt për të tjerët, sidomos për njerëzit në vështirësi; të mos dorëzoheni kurrë para pabarazive shoqërore - rrënjët e të këqiave të shoqërisë – por të nxisni një kthesë ekologjike të gjithanshme në shërbim të mbrojtjes së shtëpisë sonë të përbashkët”.

        “Mendoj edhe për emigrantët dhe refugjatët, që ikin nga vendet e tyre, për shkak të luftës, të mjerimit, të dhunës – shtoi Papa Françesku. – Mendoj për gjithçka është bërë në ndihmë të tyre. Duhet vazhduar kërkimi i mjeteve të përshtatshme për të mirën e të gjithëve, për t’i pritur, për t’i mbrojtur, për të promovuar zhvillimin e tyre të gjithanshëm e për t’i integruar”. Kështu, përfundoi Ati i Shenjtë, “mund të kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më njerëzore e më vëllazërore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.