Pritet me padurim Papa, në Bashkësinë e Shën Egjidit, ku do të jetë për vizitë sot mbasdite, me rastin e 50-vjetorit të themelimit. Famullitari i Bazilikës së Shën Marisë në Trastevere, imzot Marco Gnavi, nënvizon se fjalët e Papës do ta orientojnë Bashkësinë. Takimi me Françeskun - shton - nuk është kremtim i së kaluarës, por çast bashkimi e bashkëveprimi i kësaj familjeje me origjinë të përvuajtur në Romë. Familje - vëren - që më pas u zgjerua në Evropë, Amerikë, Azi e Afrikë.
Të udhëhequr nga Fjala e Zotit
Për ne - nënvizon imzot Marco Gnavi - të presim Papën Françesku në Shën Marinë e Trasteverit, do të thotë ta bëjmë të shndrisë Fjalën e Zotit, që na priu. Jemi të shoqëruar nga kujdesi baritor i Tij e i atyre, që i paraprinë si Ipeshkëv i Romës. Është edhe rast për të reflektuar mbi çka kemi marrë, duke e ditur ç’na pret në të ardhmen: sfidat e së sotmes mund të jetohen si rast i komunikimit të Ungjillit, i dashurisë për të vegjlit, për të varfrit, si mundësi pajtimi në të katër anët e botës.
50 vjet ndërmjet periferive
Imzot Marco Gnavi bën, në përfundim, një bilanc të këtyre 50-vjetëve. Jemi në borxh me Zotin - kujton - që na ndihmoi të arrijmë në periferitë. 50-vjetët e para - shpjegon - na japin masën e bujarisë, që duhet të jetojmë në të ardhmen e edhe të urtisë, në predikimin e Fjalës së Zotit, për të jetuar brenda bashkimit të Kishës. Prej këndej - përfundoi - jemi shumë të gëzuar e edhe shumë mirënjohës!
All the contents on this site are copyrighted ©. |