2018-03-11 13:57:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: madhështia e Zotit shëron nga droga, bestytnitë, magjia


Zoti është pranë nesh edhe atëherë, kur ndjehemi krejtësisht vetëm! Sidomos kur tundohemi për t’u dorëzuar para vështirësive të jetës. Kur dëshpërohemi, deri në humbjen e shpresës. Na bind për këtë Papa, në lutjen e  Engjëllit të Tënzot të së Dielës IV të Kreshmëve. Kjo e diel njihet si e Diela “Laetare”, e Diela e Gëzimit, i cili ndjehet fort në këngën e hyrjes së liturgjisë eukaristike - vërejti Papa – ku buçet ftesa për gëzim! Duhet të gëzohemi, pra! Të gëzohemi, pse Zoti e do fort njerëzimin! E këtë na e provon ardhja e Krishtit mes nesh.

Përballë dëshpërimit, Zoti e gjallëron historinë e njerëzimit

Edhe atëherë kur njeriu pushtohet nga dëshpërimi, që duket i pashpresë - shpjegoi Françesku - Zoti  ndërhyn, duke i dhuruar njeriut shëlbimin e gëzimin! Zoti nuk rri kurrë mënjanë, hyn vrullshëm në jetën e secilit nga ne, hyn në historinë e njerëzimit, për ta mbajtur të gjallë me hirin e Tij e për ta shpëtuar. E kjo është tema themelore e kumtit të krishterë.

Droga, bestytnitë e magjia

Papa i ftoi besimtarët t’ia vënë mirë veshin këtij kumti, duke e mposhtur tundimin e sigurisë në vetvete, të prirjes për të jetuar edhe pa Zotin, të kërkimit të lirisë absolute prej Tij. E prej Fjalës së Tij. Sepse pastaj, kur marrim guximin ta pranojmë sa na vlen lëkura, atëherë kujtohemi për  brishtësinë tonë, për  kufizimet tona.

Mund të ndodhë që të kapërthehemi nga ankthi, nga shqetësimi për të nesërmen, nga frika e sëmundjes, nga tmerri i vdekjes. Kjo shpjegon pse shumë njerëz, duke kërkuar rrugëdalje, zgjedhin shtigje të shkurta, të shtrembëra, për të përfunduar, kështu, shpesh, në tunelin e drogës, të besëtytnive ose të riteve shkatrrimtare të magjisë. Gjë e mirë ta njohësh vetveten, t’i njohësh kufizimet tua, brishtësitë tua. T’i njohim, por jo për t’u dëshpëruar, jo për të na lëshuar fare zemra, por për të kërkuar ndihmën e Zotit. E ai nuk vonon të na ndihmojë. Na hap udhën e shërimit, na merr për dore, nuk na lë kurrë vetëm, kurrë! Zoti është me ne. E prandaj duhet të gëzohemi, e prandaj edhe gëzohemi sot!

Pavarësisht nga kufizimet tona, ta shtrëngojmë dorën e Zotit

Gëzimi ynë - shtoi Papa - bazohet mbi shpresën në Zotin, Atin e pasur me mëshirë, që na dhuroi Birin e vet, për të na shpëtuar.

Pushtohemi shpesh nga trishtimi, por kur jemi të krishterë të vërtetë, nuk na mungon kurrë ajo shpresë, nga e cila buron gëzimi i vogël, që pastaj rritet e rritet e të jep siguri. Nuk duhet të na lëshojë zemra, kur shikojmë kufizimet tona, mëkatet tona, ligështitë tona: Zoti është aty pranë! Jezusi është në Kryq, pikërisht për të na shpëtuar! Kjo është dashuria e Zotit. Kur të braktisin të gjitha shpresat, shiko Kryqin e thuaj në shpirtin tënd: “Zoti më do!”. Është e vërtetë, janë këto kufizime, këto ligështi, këto mëkate. Po nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë: “Zoti është më i madh se ligështitë tona, se pabesitë tona, se mëkatet tona”. E ta marrim Zotin për dore, ta shikojmë të Kryqëzuarin e të shkojmë përpara.








All the contents on this site are copyrighted ©.