2018-03-11 16:39:00

Kisha është në zi: vdiq kardinali gjerman Karl Lehmann


Me kardinalin Karl Lehmann humbet një nga figurat më të larta të Kishës, e jo vetëm të asaj gjermane. Teolog e filozof, kontribuoi për ta formuar Kishën dhe shoqërinë. Si kardinal, mori pjesë në dy konklave.

Kardinali i ndjerë ndërroi jetë sot në agim, në Mainc, në moshën 81 vjeçare. Njoftimin e dha dioqeza gjermane. Në një letër, shkruar më 5 marsin e kaluar, pasardhësi i kardinalit Lehmann, në krye të dioqezës, imzot Peter Kohlgraf, i përgatiti besimtarët për këtë ditë, duke i njoftuar se Lehmann “ishte për udhë drejt cakut të fundit të shtegtimit të tij tokësor". Që nga shtatori i kaluar - njofton akoma dioqeza - kardinali i ndjerë vuante pasojat e një iktusi, shoqëruar me hemorragji cerebrale.

Kardinali Lehman lindi në Sigmaringen. E nisi udhën e meshtarisë më 1955. U diplomua në filozofi e teologji, për të punuar, më pas, pranë teologut jezuit Karl Rahner. Shërbeu si profesor dhe ipeshkëv e, gjatë këtij shërbimi, u vlerësua disa herë me diploma honoris causa.

Kryetar i Konferencës ipeshkvnore gjermane

Më 1983 u emërua ipeshkëv i Maincit, detyrë që vijoi ta kryejë deri në maj të vitit 2016. Ndërsa nga 1987, deri më 2008, ishte kryetar i Konferencës ipeshkvnore gjermane. Gjatë kësaj kohe, preku me aftësi disa tema shumë të mprehta, e gjithnjë aktuale, në gjirin e Kishës, si këshillimin me gratë, strehimin e emigrantëve dhe atë, të shumëdiskutuar akoma, të qëndrimit ndaj të divorcuarve të rimartuar lidhur me marrjen e Kungimit.

Zgjedhës i dy Papëve

Kush pati fatin të bisedojë me të, si në gjirin e Kishës, ashtu edhe në situata të ndryshme konflikti, e vlerësoi shumë stilin e Lehmann. Në Vatikan kardinali i ndjerë qe anëtar i Kongregatës për Fenë (1988-1998), i Dikasterit të Kishave lindore, i Këshillit për Bashkimin e të Krishterëve dhe i atij të Komunikimeve Shoqërore.

Në Koncistorin e shkurtit 2001, Karl Lehmann u lartua në dinjitetin kardinalor nga Papa Gjon Pali II, njëherësh me 41 burra të Kishës, ndërmjet të cilëve, Walter Kasper dhe Jorge Mario Bergoglio. Si kardinal zgjedhës, mori pjesë, më 2005, në zgjedhjen e Papës Benedikti XVI e, më 2013, të Papës Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.