2018-03-08 14:30:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Zanafillës (pjesa II)


Javës që kaloi ju folëm për Librin e Zanafillës e për mënyrën si duhet lexuar ai. Arritëm deri në kapitullin e dymbëdhjetë, kur takojmë Abrahamin e, pikërisht prej këndej, po e fillojmë rubrikën e sotme.

Abrahami është patriarku i parë, ati i çdo besimtari, i çdo hebreu, i çdo të krishteri dhe i çdo myslimani. Në kapitullin e dymbëdhjetë gjejmë edhe fjalën e parë që Zoti i thotë njeriut shtegtar në këtë botë, fjalë, që përbën programin e Librit të Zanafillës: “Ik nga shtëpia e tyt eti”.

 Me Abrahamin, çdo njeri që lexon këtë Libër, mund të ndërmarrë udhëtimin që e çon jashtë vetvetes, jashtë tokës e historisë së tij, për të lidhur marrëdhënie të reja. Abrahami duhet të largohet nga toka e vet, të lërë familjen e fenë, por falë tij lindin marrëdhënie të reja, pavarësisht se do të jenë – edhe ato - viktima të mëkatit e të fajit, siç dëshmon historia e patriarkëve të mëvonshëm.

Kush lexon këto tekste takohet me humanitetin e Abrahamit e të Sarës, të cilët, me mënyrën e tyre, përpiqen t’i përgjigjen premtimit të madh për një djalë. Vonesa në realizimin e këtij premtimi, lindja e Ismaelit e pastaj, e Izakut, si edhe faqja tronditëse e flijimit të tij, të bëjnë të mbetesh pa frymë dhe të ndjesh si pulson dëshira për jetë, e cila duhet t’i bëjë llogaritë me misterin e Zotit dhe me marrëdhëniet e njeriut me Të. Kështu ndodh edhe me Jakobin.

Ky zë pjesën qendrore të Librit të Zanafillës, pasi është ati i popullit të Izraelit me 12 bijtë e vet dhe na lë edhe një imazh të jashtëzakonshëm dhe emblematik për ta kuptuar natyrën e tekstit biblik: luftën me engjëllin e Zotit mbi lumin Jabok. Është imazhi i marrëdhënieve me Hyun, marrëdhënie, që janë luftë gati vdekjeprurëse. Ndeshje nate, gjatë së cilës Jakobi matet me frikën, ankthin dhe brejtjen e ndërgjegjes për të vëllain, Ezaun e për Zotin, që dëshiron ta çojë drejt vdekjes.

Duhet të kesh jetuar shumë, të kesh një zemër të madhe e një mendje të hapur për t’i kuptuar këto tekste, që, në leximin e parë, duken të pakuptueshme. Por, ndërsa e lodhim trurin për t’i kuptuar, shohim se teksti na ndihmon të kuptojmë vetveten. Teksti na zbulon vetveten. E në këtë betejë të errët mësojmë t’i njohim e t’i kujtojmë çastet e jetës, që ndoshta i kishim harruar.

 Libri përfundon me historinë e 12 vëllezërve, bijve të Jakobit, dhe të një vëllai pak si ndryshe. Edhe këtu, marrëdhënie problematike: Jozefi, njeri i ëndrrave e, vëllezërit e tjerë, që fillimisht e hedhin në një pus nga zilia e pastaj, ia shesin tregtarëve të Madianit. Jozefi mbërrin në Egjipt, bëhet princ e aty, përgatitet për të filluar një histori, që do të na çojë drejt librit tjetër, Librit të Daljes. Jo para se të ketë përqafuar sërish të vëllezërit dhe babain e tij të moshuar, Jakobin, në një skenë, që gufon nga lotët dhe emocioni.

Pse ta lexojmë pra Librin e Zanafillës? Për t’u takuar me fjalët e para, shqiptuar nga zëri hyjnor, fjalë që kanë pushtet krejt të veçantë, pasi edhe sot, na flasin:

Zoti i flet njeriut të parë: Ku je? Adam, ku je? Njeri, ku je?
Zoti i flet vrasësit të parë: Kain, ku është vëllai yt?
Zoti i flet besimtarit të parë: Abraham, ik!

Na bëjnë të reflektojmë mbi psetë e kësaj bote, pse ekziston njeriu, pse ekziston dhimbja. E Libri i Zanafillës nuk na jep përgjigje të gatshme, nuk përvijon kufij, por hap horizonte, na mëson t’i ruajmë ato pyetje për t’u dhënë gjithnjë e më mirë përgjigje.








All the contents on this site are copyrighted ©.