2018-03-07 13:24:00

Papa Françesku lutet për viktimat e tërmetit në Papua Guinea e Re


Papa Françesku mori vesh, me trishtim të madh, lajmin e humbjes tragjike të jetëve njerëzore, për shkak të tërmetit në Papua Guinea e Re. Ati i Shenjtë ia beson shpirtrat e viktimave Mëshirës së Zotit dhe u jep ngushëllimet e tij më të ndjera familjarëve. Atyre, që janë prekur nga kjo fatkeqësi, u siguron afërsi në lutje. Papa i kërkon Zotit të dikojë bekime dhe forcë mbi të gjithë ata, që vajtojnë në këtë kohë sprove, si edhe mbi të gjithë personat e impenjuar në ndihmën për popullsinë.

Më se 100, të vdekurit, sipas një bilanci të përkohshëm

Tërmeti prej 7.5 ballësh shkatërroi fshatra të tëra, si edhe infrastrukturat e rajonit të rrafshnaltave, duke shkaktuar qindra rrëshqitje dheu, që bllokuan rrugët e terrenit malor. Kryqi i Kuq ndërkombëtar njofton se të shpërngulurit janë me mijëra e kanë mbetur pa ushqime e pa ujë. Një bilanc i përkohshëm flet për më se 100 viktima, por mund të jetë shumë më i lartë. Qindra, të plagosurit. Kriza rëndohet më tej, sepse duhet çaktivizuar projekti më i madh për zhvillimin e vendit, ai i nxjerrjes së gazit të lëngshëm nga kolosi amerikan ExxonMobil, dëmtuar nga tërmeti. Nevojiten dy muaj për riparimet e kjo do të jetë goditje e rëndë për ekonominë. Gjithsesi, ndihma po vijnë nga e gjithë bota, sidomos nga Australia, Zelanda e Re dhe nga Kina. Por rindërtimi i rrugëve, urave, shkollave e spitaleve mund të kërkojë vite. Fatkeqësisht, tërmetet janë të zakonshme në Papua Guinenë e Re, e cila ndodhet pikërisht në “unazën e zjarrit” të Oqeanit Paqësor, ku fërkohen e ndeshen vazhdimisht pllakat tektonike.








All the contents on this site are copyrighted ©.