2018-03-07 14:01:00

Pali VI dhe imzot Romero, së shpejti shenjtorë: Papa autorizon dekretet


Pali VI dhe Oscar Arnolfo Romero Galdámez do të jenë së shpejti shenjtorë. Papa Françesku, duke pritur dje në audiencë kardinalin Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve e autorizoi dikasterin vatikanas të shpallë dekretet, që kanë të bëjnë me mrekullinë e ndodhur përmes ndërmjetësimit të Palit VI.

Papa Pali VI

Giovanni Battista Montini lindi në Concesio, në provincën e Breshias, më 26 shtator 1897. U zgjodh papë më 21 qershor 1963. Vdiq në Castel Gandolfo, më 6 gusht 1978.

Imzot Romero, martir i Salvadorit

Autorizohet edhe mrekullia atribuar ndërmjetësimit të të Lumit martir Oscar Arnolfo Romero Galdámez, kryeipeshkëv i San Salvador. I lindur në Ciudad Barrios, El Salvador, më 15 gusht 1917, u vra nga urrejtja për fenë më 24 mars 1980.

Shenjtorë, Spinelli, Romano, Kasper

Do të jetë shenjtor i Lumi Francesco Spinelli, meshtar dioqezan. Edhe për ndërmjetësimin e themeluesit të Institutit të Motrave Adhuruese të të Shenjtnueshmit Sakrament, lindur në Milano, më 14 prill 1853 e vdekur në Rivolta d’Adda, më 6 shkurt 1913, u njoh mrekullia. Ashtu si dhe për  të Lumin Vincenzo Romano, prift dioqezan, lindur në Torre del Greco, më 2 qershor 1751 e vdekur po aty, më 20 dhjetor 1831. Njihet edhe mrekullia e bërë me ndërmjetësimin e së Lumes Maria Caterina Kasper, themeluese e Institutit të Shërbëtoreve të Varfra të Jezu Krishtit, lindur më 26 maj 1820, në Dernbach (Gjermani), vdekur po aty, më 2 shkurt 1898. 

U miratuan edhe disa dekrete të tjera për mrekulli e virtyte heroike

Kanë të bëjnë me: mrekullinë atribuar Shërbëtores së nderuar të Zotit Maria Felicia di Gesù Sacramentato, në shekull Maria Felicia Guggiari Echeverría, murgeshë e  Urdhërit të Karmelitaneve të Zbathura, lindur në Villarica (Paraguaj) më12 janar 1925 e vdekur në Asunción, më  28 prill 1959; martirizimi i Shërbëtores së Zotit Anna Kolesárová, laike, lindur  në Vysoká nad Uhom (Sllovaki) më 14 korrik 1928 e në të njëjtin lokalitet, vrarë nga urrejtja për fenë, më  22 nëntor 1944;  virtytet heroike të Shërbëtorit të Zotit Bernardo Łubieński, meshtar i Kongregatës së Shën Shëlbuesit, lindur në Guzów (Poloni) më 9 dhjetor 1846 e vdekur në  Warszawa, më 10 shtator 1933; virtytet heroike të Shërbëtorit të Zotit, Cecilio Maria Cortinovis, në shekull Antonio Pietro, rregulltar i Urdhërit të Fretërve të Vegjël Kapuçinë, lindur në Nespello, më 7 nëntor 1885 e vdekur në Bergamo, më 10 prill 1984; virtytet heroike të Shërbëtores së Zotit Giustina Schiapparoli, themeluese e Kongregatës së Motrave Benediktine të Provanisë Hyjnore të Voghera-s, lindur në Castel San Giovanni, më 19 korrik 1819 e vdekur në Voghera, më  30 nëntor 1877;  virtytet heroike të Shërbëtores së Zotit Maria Schiapparoli, themeluese e së njëjtës Kongregatë të Voghera-s, lindur në Castel San Giovanni më 19 prill 1815 e vdekur në Vespolate, më 2 maj 1882; virtytet heroike të Shërbëtores së Zotit Maria Antonella Bordoni, laike e të Tretit Urdhër të Shën Dedës, themeluese e Vëllazërisë laike të Bijave të Vogla të Nënës së Zotit, lindur më 13 tetor 1916 në Arezzo e vdekur në  Castel Gandolfo, më  16 janar 1978; virtytet heroike të Shërbëtores së Zotit, Alessandra Sabattini, laike, lindur më 19 gusht 1961 në Riccione e vdekur në Bologna, më 2 maj 1984.








All the contents on this site are copyrighted ©.