2018-03-07 11:45:00

Naim Frashëri: “Istori e Skënderbeut”, Kënga V, fragment


Naim Frashëri: “Istori e Skënderbeut”, Kënga V 

Fragment

U ngrit fat' i Shqipërisë
Si i vdekuri nga varri,
Mori udhën' e Asisë,
Duke ikur si i marri,
Me një rrobëzë të çqyer,
Me fytyrë të tmerruar
Dhe me gjak lyer e ngjyer
E me sy të zgurdulluar;
Posi hije mori dhenë,
Duke ecur me vrap shumë,
Papo u hodh përtej denë
Si ajy q'ikën në gjumë.
U shëmbëllye me Gjonë,
Mori fytyrën e tija,
Shtanë dhe zën' e zakonë
Edhe u derth nga Syria.
Plaku me shkop duke shkuar,
Posi nata mori dhenë,
Pa vëndethit e uruar
Dh'erth e gjeti Skënderbenë
Pa iu qas edh'e fërkojti
Me mall shum' i mjeri atë,
Në mest të tendës qëndrojti,
I zi sterrë posi natë!

…  … …   …   …
Qysh bije në vjeshtë shiu,
Lumi qysh i vete detit,
Ashtu të thotë njeriu
I derdheshin lotët mbretit!
Posi rrëkeja i vinin
Dhe i mirrin krahërorë,
Nga mjekër' e bardh' i binin,
Që e kishte si dëborë!
"Fle? i tha, o jetëgjatë!
Nuk' e di se ç'është bërë,
Ç'e gjet të zinë tët atë
E Shqipërinë të tërë?
T'u shua fare shtëpia
Nga turqit' e mallëkuar,
Hyri ndë kurt Shqipëria,
Është shuar' e shkretuar!
Tyrqitë si egërsira,
Armikët' e njerëzisë,
Me mënyra të pështira,
Me dhelpërit të Azisë.
E muarrë Shqipërinë
Dhe shkoj e vate lirija!
Prunë dëmn' e babëzinë!
Po mbretëron ligësija.
Vëndet' e shumë i zunë,
I prishnë duke shkretuar,
Në zgjedhë të keq'e vunë
Shqipëtar' e varfëruar.
Ç'hoqi Shqipëriz' e gjorë,
Vashatë gjith' u përmblodhë,
Për të mos rënë në dorë,
Nga shkëmbi përposh u hodhë.
Tët vëllezërë të tërë
Egërsiratë i vranë,
S'tregonetë ç'kanë bërë,
Gjë të gjallë nukë lanë!
Fle ti, shpres' e Shqipërisë?
Mëmëdheu të ka shpresë,
T'i përzësh mbren' e Tyrqisë,
Që ia ka me të pabesë.

Ti përpiqesh si i marrë!
Jakë në mënt e mos vuaj,
Murati po të bën varrë,
Armiknë tënt mos e duaj!
Ati që të shoi shtëpinë
Dhe bëri rop shqipëtarë
E të shkretoi Shqipërinë,
Duke ndar' e duke vrarë,
Armikut të Shqipërisë
I bën të mirë në jetë?
Errësirës' së Asisë
Që të la kërcu të shkretë!

….   …  …   …   …
Ty ta la rradhënë moti,
Që ta nderonç Shqipërinë,
Fuqi më të dhëntë Zoti,
E bëfsh gjithë mbarësinë!
Të gjithë humburë venë,
Veç një munt emrë të lerë,
Që lëfton për mëmëdhenë,
S'mundohetë për të tjerë,
Mëmëdheu të ka shpresë
Që ta nxjerç pej robërie,
Nënë xgjedhë të mos mbesë,
T'i apç dritë si ka hije.
Qysh munt të lësh Shqipërinë
Në kurt e në të këqija
E të vuanç për Tyrqinë?
Ç'të mirë pe nga Tyrqia?
S'të vjen keq për shqipëtarët
E për Shqipërin' e mjerë
E s'të merr, biro, të qarët,
Që humbi lirin' e nderë?
Robërin' e Shqipërisë
Edhe gjëmën' e tyt eti
Dhe mynxyrën' e shtëpisë
Qysh munt ta shohç, që të gjeti?
Gjakn' e gjithë Shqipërisë
Tani ti je nënë barrë
T'ia nxjerrç nga hundët Tyrqisë,
Veç teje s'ka kush ta marrë.

 Burri trim e zot' i mirë.

…  …  … …   …
Fluturoj posi fajkua,
S'shkelte mbi dhe, po ndë erë,
E rrëfenin si pallua
Leshratë dhe bisht'i gjerë!
Dëgjoj q'erdhi Skënderbeu,
Rrodhi gjithë Shqipërija,
Ngriti krye mëmëdheu,
Pru lirinë Perëndija!
Zokn' e mjerë kur e vënë
Në kuvli, qysh varfërohet,
As ha as pi, as nxjerr zënë,
Po unj kokën' e mejtohet,
Si ajy q'e kanë vënë
Në burk e në të këqija,
Ndë hekura duke shtënë,
Pa i digjet mushkërija,
E kur shpëton nga kuvlija,
Qysh fluturon me gas shumë,
I bëhetë zëmër' e tija,
Q'e ka të butë si brumë,
Ashtu edhe Shqipërija
Anembanë u gëzua,
Dhe djalli e djallëzija
U përmbys e u mërgua.

…  …  …  …  …
Si shqerratë kur kërkojnë
Mëmatë me blegërimë,
Rreth e rrotullë vështrojnë,
Me një sy si vetëtimë,
Ashtu edhe Shqipërija
Po e kërkonte lirinë,
Pa ja fali Perëndija,
I dha gjithë mirësinë.

Marrë nga Antologji e letërsisë shqipe, Tiranë, 1960, fq 220-222








All the contents on this site are copyrighted ©.