

Dy janë fjalët, që përmbledhin gjithë mesazhin e propozuar nga liturgjia e sotme: “Për fat të keq…” dhe “ Me kusht që…”. Tema është falja - kujtoi Papa - që shpjegoi çfarë është e prej nga vjen.
Ti je i madh, o Zot, unë, mëkatar
Në Leximin e parë, shkëputur nga Libri i Danielit profet, flitet për Azarinë që, i flakur në furrën e ndezur pse nuk pranoi ta mohojë Zotin, nuk i ankohet Atij të Lumit për këtë trajtim aspak të këndshëm, e as nuk e qorton, se po ia shpërblen kësisoj besnikërinë. Vijon ta shpallë madhështinë e Tij e shkon deri në rrënjët e së keqes, duke pohuar: “Ti na ke shpëtuar gjithnjë, e ne, gjithnjë kemi vijuar të mëkatojmë”. Akuzon, kështu, vetveten e popullin e vet. E Françesku thekson: “Të paditësh vetveten, është hapi i parë drejt faljes”.
Ta akuzosh vetveten është pjesë e pandarë e urtisë së krishterë; jo të padisësh të tjerët, jo… Vetveten. Unë mëkatova! E kur, pastaj, shkojmë të rrëfehemi, duhet të kemi në mendje këto fjalë: “Zoti i madh na fali gjithçka, e unë prap se prap mëkatova, e fyeva Zotin e tani kërkoj shpëtim”.
Është Zoti, që na shfajëson
Papa tregoi një anekdotë, në të cilën flitej për një zonjë që, kur shkonte në rrëfyestore, rrëfente gjërë e gjatë mëkatet e së vjehrrës, duke kërkuar të shfajësohej, kështu, për të vetat. Derisa meshtari i tha: “kaq për tët vjehrrë, tashti rrëfena mëkatet tuaja!”.
E kjo i pëlqen Zotit, sepse Zoti pret një zemër të penduar, mbasi, si thotë Azaria: “Nuk do të zhgënjehen kurrë ata, që besojnë në Ty”. Nuk do të zhgënjehet zemra e penduar, që rrëfen të vërtetën para Zotit . “E bëra këtë, o Zot, mëkatova kundër Teje”. Zoti ia mbyll gojën, si ati i djalit plangprishës; nuk e lë të flasë më tej, dashuria e Tij mbulon gjithçka, gjithçka fal”.
Zoti na fal, me kusht që edhe ne të falim
Françesku ftoi për të mos u turpëruar, kur duhet t’i themi mëkatet tona, sepse është Zoti ai që na shfajson, duke na falur jo një herë, por gjithherë. Me një kusht, veç:
“Falja e Zotit vjen e fortë në shpirtin tonë, me kusht që edhe ne t’i falim të tjerët, E kjo nuk është aspak e lehtë, sepse mllefi bën fole në zemrën tonë e aty mbetet gjithnjë kujtimi i hidhur. Nganjëherë, madje, kemi në shpirt një listë fyerjesh, që na u bënë: “Epo, ai apo ajo më bëri këtë e këtë e këtë…”.
Djalli na lidh me zinxhirët e urrejtjes
Papa na porositi të mos biem në skllavërinë e urrejtjes dhe përfundoi:
“Këto janë dy gjërat, që na ndihmojnë ta kuptojmë udhën e faljes: ‘Ti je i madh, o Zot, por unë, për fat të keq, mëkatova’ dhe ‘Po, po të fal shtatëdhjetë herë shtatë, me kusht që edhe ti t’i falësh të tjerët!”.
| All the contents on this site are copyrighted ©. |