2018-03-02 13:43:00

Greg Burke: Papa do të vizitojë Këshillin Ekumenik të Kishave në qershor


Papa Françesku do të shkojë në Gjenevë për të vizituar Këshillin Ekumenik të Kishave, më 21 qershor 2018. Njoftimin e dha sot drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke, gjatë konferencës për shtyp mbi nismat për kremtimin e 70-vjetorit të këtij Këshilli. Programi i udhëtimit, nënvizoi Burke, do të jepet më vonë.

Në konferencën e sotme morën pjesë kryetari i Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, kardinali Kurt Koch dhe, Sekretari i përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave, pastori Olav Fykse Tveit.

Këshilli, i njohur edhe si Këshilli Botëror i Kishave, është “bashkësi vëllazërore e Kishave, që besojnë se Jezu Krishti është Zot e Shëlbues, sipas Shkrimit Shenjt, dhe përpiqen t’i përgjigjen së bashku thirrjes së tyre për lavdinë e një Zoti të vetëm – Atë, Bir e Shpirt Shenjt”. Kështu shkruhet në Kushtetutën e organizmit të themeluar në vitin 1948, me seli në Gjenevë. Në Këshillin Ekumenik bëjnë pjesë 349 Kisha protestante, ortodokse dhe anglikane. Kisha Katolike merr pjesë si “vëzhguese”, por është anëtare me të drejta të plotë në komisionin “Feja dhe kushtetuta”.








All the contents on this site are copyrighted ©.