2018-02-28 14:59:00

Papa mbi mjekimet qetësuese: të mjekohet gjithnjë, edhe kur nuk ka shërim


Thirrja më e thellë e mjekësisë është “të mjekojë gjithnjë”, edhe pse nuk është e mundur të shërosh gjithnjë.  Ky, mendimi kryesor i Letrës së Papës Françesku, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar pjesëmarrësve të Takimit, kushtuar mjekimeve qetësuese, organizuar nga Akademia Papnore për Jetën.

Kufiri: vendi i takimit, jo i vetmisë

Letra  ka në qendër të vëmendjes kuptimin e “kufirit”, që provohet në çastet e  fundit të jetës, çaste që, nganjëherë, shkaktojnë rebelim e ankth; e prandaj shoqëria e sotme shpesh kërkon t’i shmangë. Ndërsa mjekimet qetësuese vërtetojnë se “kufiri” mund edhe të pranohet, mund të mos bëhet më “çast ndarjeje e vetmie”, por rast takimi. Vetë vdekja “përfshihet në një horizont simbolik”, në të cilin mund të dalë në pah jo si fund, të cilit jeta i kundërvihet, por më shumë si përmbyllje e një ekzistence “të marrë falas e të ndarë  me shumë dashuri”.

Mjekimi i dhimbjes

Ndërmjet temave qëndrore  të Letrës, çështja e mjekimit të dhimbjes. Kujtohet se Papa Piu XII e pati dalluar nga eutanazia dhe ligjëruar qartë “përdorimin e ilaçeve të nevojshme për të lehtësuar dhimbjet e padurueshme e të pamjekueshme ndryshe, edhe atëherë kur, në fazën e vdekjes së shpejtë, mund t’i shkurtojnë ditët e fundit".  Letra sqaron se kriteri etik nuk ndryshon as tani, kur  përdoren ilaçe të reja, më të fuqishme, por natyrisht kërkon më shumë vëmendje e kujdes. Posaçërisht në mungesë të përmasës relacionale e komunikative, themelore në shoqërimin e mjekimeve qetësuese, që gjithsesi, duhen parë si ilaç i orës së fundit.








All the contents on this site are copyrighted ©.