2018-02-28 16:18:00

CCEE në Tiranë: Kisha reflekton mbi thirrjet në Evropë


Çasti është solemn. Në Tiranë, Kishat e Evropës (CCEE) diskutojnë në ç’pikë ka arritur zbatimi i “Në Fjalën tënde”, dokument programatik e busull mbi thirrjet meshtarake në kontinentin e vjetër, miratuar më 1997. Në mëse 20 vjet, Evropa e ka ndryshuar fytyrën, pas ndikimit jo gjithnjë pozitiv të globalizimit, pakësimit të lindjeve, sidomos në vendet veriore dhe krizave ekonomike, që ndjekin njëra-tjetrën me ritëm frenetik. Pa llogaritur pakësimin e thirrjeve për t’ia kushtuar jetën Zotit. Pra, nevojitet një verifikim urgjent i rrugës së deritanishme, gjë, që e dinë mirë ipeshkvijtë dhe përgjegjësit baritorë të thirrjeve në Konferencat Ipeshkvnore të Evropës, të cilët janë mbledhur në Tiranë, që sot e deri më 3 mars.

Të rinjtë evropianë: mënyra të reja për t’i afruar me Kishën

         E në 20-vjeçarin pas miratimit të dokumentit “Në Fjalën tënde”, edhe të rinjtë kanë ndryshuar rrënjësisht. Janë pjesë e një bote tjetër. Edhe për këtë arsye, ai dokument duhet rivlerësuar e përditësuar. Për t’u akorduar në të njëjtat valë me të ashtuquajturit “millenial” e për t’i ndihmuar ata të zbulojnë thirrjen e Zotit, duhen përshkuar rrugë të reja. “Sepse Kisha beson se Hyu thërret akoma shumë vetë për t’ia kushtuar jetën Atij dhe shërbimit të besimtarëve”, siç thotë kryetari i Komisionit për Thirrjet në Këshillin e Konferencave Ipeshkvnore Evropiane(CCEE), imzot Oscar Cantoni, ipeshkëv i Komos. E nuk ka dyshime për këtë:

         “Është e vërtetë që të rinjtë janë goditur nga një valë shekullarizmi, por po aq e vërtetë është se zemrat e tyre digjen nga dëshira për të kërkuar pafundësinë, jetën e plotë, gëzimin e pastër. Duhet t’i ndihmojmë, duke formuar edukatorë, në gjendje t’i dëgjojnë e t’u japin në dorë mjetet për të kuptuar ç’u kërkon Zoti e madje, edhe për t’iu përgjigjur asaj thirrjeje. Pa përjashtuar thirrjen për meshtari e për jetën rregulltare”.

Përshpirtëria duhet të jetë pjesë e çdo nisme konkrete

         Përmasa shpirtërore do të përbëjë “magna charta”-n, me të cilën duhet të ndryshohen, të korrigjohen, të përmirësohen, nismat ekzistuese dhe ato të reja në çdo konferencë ipeshkvnore.  

         “I duhet dhënë shpirt çdo propozimi – shpjegon imzot Cantoni. – Duhet t’u japim mundësi të rinjve - të themi - ta “fiksojnë” Fjalën e Zotit, që ajo të konkretizohet më pas, në shërbimin e solidaritetit, të bashkimit, të impenjimit. E përsëris: Zoti thërret gjithmonë. Gjithmonë!”

Takimi shqiptar e hedh vështrimin drejt sinodit të të rinjve

         Në Tiranë, delegatët e Kishave evropiane do të kenë parasysh sinodin e ardhshëm të të rinjve, që do të mbahet në Vatikan, në muajin e tetorit. E s’mund të jetë ndryshe, pohon imzot Cantoni:

         “Gjithçka është akt përgatitor për sinodin. Sigurisht, nga kjo mbledhje do të vijnë propozime për gjuhë e mënyra të reja, që të komunikojmë më mirë me botën e të rinjve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.