2018-02-27 12:46:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 34


Në emisionin e 34-t të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra, do ta ndjekim Skënderbeun në rikthim nga Italia, drejt Krujës së tij të rrethuar...

Në emisionin e kaluar, përshkruam vizitën e Heroit në Romë. Pas Romës, ku u prit e u përcoll me zulmë, shkoi në Napoli tek Mbreti Ferrante i Aragonës, i cili e priti me të njëjtat nderime mbretërore dhe e strehoi denjësisht në Castel nuovo. Ndenji në Oborrin e Napolit deri në fund të marsit. Pastaj u nis, i ngarkuar me armë, mjete të ndryshme lufte, 1000 dukatë për pagesën  e garnizonit të  Krujës  dhe 500 të tjera për shpenzimet e udhëtimit.

Duhet t’i kishte dhënë shumë më tepër, Mbreti i Napolit, atij Burri të lavdishëm, që kish qenë mik i përzemërt i të atit dhe çlirues i fisëm i atij vetë! Por edhe Mbreti, ashtu si Papa, kërkoi falje, duke përdorur si pretekst rrezikun e luftës me Selinë e Shenjtë.

Pas këtyre ndalesave, Gjergji, i lodhur, e edhe i pakënaqur, mori rrugën drejt Atdheut në flakë, ku e prisnin prova të reja, tejet të vështira. Sapo arriti në Krujë, rimori në dorë komandën e ushtrisë dhe, me një sulm të befasishëm, arriti të zërë rob të vëllain e Ballaban Pashës, që sillte trupa të freskëta, në ndihmë të ushtrisë rrethuese.

Më pas, me aradhet e shqiptarëve dhe të venedikasve, përmes një aksioni gjenial, u sul papritur e pa kujtuar mbi rrethuesit. Të kapur nga paniku, turqit humbën kontrollin e u masakruan në masë. Ndërmjet atyre, që humbën jetën, ishte edhe vetë Ballaban Pasha. Ata pak, që mbetën gjallë, ua mbathën këmbëve nga mundën, për të shpëtuar kokën. Kruja, më në fund, ishte e lirë! E populli shqiptar, përplot me harenë e fitores. Hare ditëshkurtër. Pa mbaruar mirë gazi, ia behu përsëri një lajm i tmerrshëm, që e shndërroi festën në mort. Sulltan Mehmeti, personalisht, po zbriste për herë të dytë në Shqipëri, plot mllef, i vendosur të merrte hak për viktimat e masakrave të fundit! Ishte pranvera e vitit 1467. Si mori Elbasanin, sulltani  lëvizi drejt Durrësit. Po gjithë bregdeti i bëri ballë sulmit. Vijoi, atëhere, marshimin, në drejtim të Krujës, që u rrethua përsëri.

Në gusht, pastaj, sulmoi njëherësh Durrësin e Krujën, por qytetet heroike  rezistuan. Trembëdhjetë galera veneciane e mbronin ditë-natë Durrësin dhe e furnizonin nga deti. Edhe Kruja ia doli mbanë t’i mbante të hapura udhët prej nga hynin furnizimet. Prej këndej sulltani, duke e parë se sulmi ishte i kotë, zgjodhi rrethimin e gjatë dhe u kthye përsëri në Kostandinopojë, duke lënë në fortesat e rëna dhe në fshatrat e nënshtruara, garnizone të shumta.   

Kastrioti, atëherë, nuk pati më paqe: donte ta çlironte atdheun me çdo kusht. Prandaj u lëshoi kushtrimin popullsive heroike, të uritura. E ata pak burra, që kishin mbetur ende gjallë, iu përgjigjën me përkushtim mbinjerëzor zërit të Prijësit.

Më pas, në ditët e para të janarit 1468, në praninë e përfaqësuesit të Venedikut, Kastrioti thirri në Lezhë Besëlidhjen e Princave shqiptarë. Kjo mbledhje na sjell në mend takimin e 2 marsit 1444, kur Kryetrimi i lëshoi popullit të trojeve të veta kushtrimin e parë për  luftë. Po asokohe ishte fillimi… Tani ndjehej fort fundi!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.