2018-02-27 15:16:00

Kardinali Parolin e libri mbi shën Françeskun


“Njeri i thjeshtë, që e ka ndryshuar historinë”: Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, e përshkruan kështu shën Françeskun, në hyrjen e librit të ri të atë Enzo Fortunato-s, me titull “Françesku, rebeli”.

Thjeshtësia ungjillore e shën Françeskut ndryshoi botën

Thjeshtësia ungjillore e shën Françeskut ndryshoi botën, sepse u nis pikërisht nga “të vegjlit, të varfërit, të mënjanuarit”. Është koncepti kryesor në interpretimin e prelatit vatikanas, i cili përmend episode të ndryshme nga jeta e shenjtit, për të folur mbi aktualitetin e sotëm. Për shembull, duke cituar shndërrimin e zemrave të banditëve të Montecasale-s, kardinali Parolin nxjerr në dritë dashurinë e fratit të Asizit për vëllezërit, edhe për ata që konsideroheshin armiq, “sepse edhe armiku – shkruan ai – është njeri dhe e mira mund të fitojë mbi të keqen” edhe brenda tij. “Po përse të shkruajmë një tjetër profil biografik të Françeskut të Asizit?”, pyet kardinali. Kësaj radhe, përgjigjet, atë Enzo Fortunato e ka interpretuar françeskanin e madh nga këndvështrimi kishtar, duke arsyetuar si është matur Kisha me trashëgiminë e tij.

Një rebel, që bindej

 “Ndërsa Kisha përpiqet çdo ditë të bëjë atë rrugë në dalje, që i kërkon Papa Françesku – komenton kardinali Parolin – atë Fortunato e ka kuptuar se, në një farë mënyre, duhet shpjeguar sekreti i Françeskut, pra, arsyeja për të cilën një njeri i thjeshtë, që ka jetuar tetë shekuj më parë, është mishërimi më i mirë i krishterimit, ashtu siç po përvijohet në këtë fillim të Mijëvjeçarit të Tretë”. Vërtet, Varfanjaku i Asizit ishte rebel, por i bindej Kishës; mbetej i lirë gjithnjë, duke promovuar “një kulturë të frymëzuar nga Ungjilli, në gjendje të dialogojë me të gjithë”.

Në faqet e librit, projekti ungjillor i Papës Françesku

Duke kujtuar se Asizi është “shenjtërore e veçantë”, sepse aty shkohet për të takuar njeriun, që e ka jetuar Ungjillin, kardinali Parolin nënvizon se bukuria e shenjtit qëndron në faktin se është i butë e i përvujtë. “Mitet – shkruan – nuk e fitojnë me luftë botën, nuk e shtinë në dorë atë me dhunë apo me forcë, por thjesht, e marrin si trashëgim, si dhuratë”. Ky është sekreti, në të cilin “nuk mund të mos shohim – vë në dukje prelati – planin ungjillor të Papës Françesku për Kishën. Një Kishë, që nuk mbyllet në institucionet e veta, por që, e varfër dhe e hapur për takim, është e aftë të propozojë Ungjillin me fjalë e me jetë”. Pra, përfundon kardinali Parolin, libri ka meritën të na “bëjë të shohim fytyrën e krishterimit të brezave të ardhshëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.