2018-02-26 13:40:00

“Shqipëria dhe Selia e Shenjtë: në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1444-1468)”, n. 33


Në emisionin e 33-të të rubrikës, mbështetur kryesisht mbi veprën me titull “Shqipëria e Skënderbeut dhe Papët, për mbrojtjen e perëndimit të krishterë (1444-1468)”, të arbëreshit Alessandro Serra: vijimi i rrethimit të Krujës, vizita e Skënderbeut në Romë dhe përpjekjet e Palit II për ta ndihmuar.

E lamë, në emisionin e kaluar, sulltanin duke u kthyer pa lavdi në Stamboll, Ballaban Pashën me ushtrinë turke rreth Krujës e Skënderbeun,  duke vazhduar heroikisht qëndresën, në rrethana tejet të vështira. Pasi u nis sulltani, gjendja e të rrethuarve u bë edhe më e vështirë, si për shkak të ndihmave, që nuk po vinin aq sa priteshin, ashtu edhe për vështirësitë, që kishte krijuar rrethimi tepër i zgjatur.

Atëhere Skënderbeu vendosi të shkonte përsëri, personalisht, në Itali. Doli nga Kruja në një natë të errët e, pa e pikasur askush, u drejtua kah deti, ku e priste një anije fare e vogël. Me të lundroi drejt brigjeve të huaja, për të vijuar më pas, udhëtimin drejt Romës. Kur mbërriti, ashtu i veshur si ushtar i thjeshtë, pa, i çuditur, një vargan të gjatë kardinajsh e ipeshkvijsh, që kishin dalë për ta pritur. Rruga tundej nga brohoritë entuziaste të turmës së madhe të romakëve, që dridheshin prej frikës së turqve e që në të, duartrokisnin Mbrojtësin. Prania e tij e preku thellë turmën, sepse pas petkut të tij të thjeshtë e modest, shihte figurën madhështore të një burri jo të zakonshëm. Burrit, që kishte thyer disa herë furinë e sulltanëve të pathyeshëm, që ishte kalitur nga një disiplinë e gjatë dhe e ashpër fizike e shpirtërore, nga flijimi i pacak, nga një fe, që i falte qetësi e që e mësonte t’i shikojë me indiferencë formalitetet diplomatike dhe salltanetin e banorëve të Romës së katërqindës. Një dëshmitar pamor, që s’kishte parë kurrë personalitete kaq të larta, veshur aq thjeshtë, si mbeti i mrekulluar nga hyrja historike e këtij njeriu zëmadh në Romë, na la këtë dëshmi të shkruar: “Skënderbeu arriti këtu (12 dhjetor 1466) e i dolën para familjet e kardinajve. Ishte burrë i pjekur, rreth të 60-tave. Erdhi me pak kuaj, veshur si i varfër. Dëgjova se vjen të kërkojë ndihma”.1

Pastaj, në Bazilikën e Shën Pjetrit, u mbajt një kremtim madhështor. Papa Pali i dha me dorën e vet një shpatë nderi e një përkrenare të bekuar. E, duke e dëgjuar rrëfimin e tij mbi situatën tejet të vështirë, më 7 janar 1467 mblodhi Koncistorin sekret, ku u shqyrtuan mundësitë për ta ndihmuar konkretisht Shqipërinë e rrethuar.

Me këtë rast, Papa i premtoi Skënderbeut një ndihmë prej pesë mijë dukatësh. Ndihma u konfirmua plotësisht në Koncistorin e dytë sekret të 12 janarit 1467. Burimi historik i këtij lajmi është një letër, që kardinali Gonzaga i shkruan babait të tij:

“Sot (12 janar 1467) u mblodh përsëri Koncistori sekret për të shqyrtuar kërkesën e Skënderbeut, të cilit do t’i japin pesë mijë dukatë”. 2

 Burim tjetër historik është libri i llogarive të Papës Pali II3 në të cilin rezulton se Skënderbeu herën e parë mori 250 dukatë, ndërsa të dytën, 200. Papa Pali II i premtoi se do të vijonte ta ndihmonte, kur të përmirësohej situata e Shtetit të Kishës, të cilin, në atë kohë, e kërcënonte rreziku i  pushtimit të mundshëm nga mbreti i Napolit. E, një t’u përmirësuar situata, Papa nuk e harroi Shqipërinë, gjendja e së cilës e shqetësonte vazhdimisht, duke pasur mirë parasysh se me të mund të binte në dorë të turkut e gjithë Evropa.  Më 9 prill 1467 nisi në Shqipëri 27 mijë dukatë e më 1 shtator  të të njëjtit vit, 1100 dukatë të tjerë.

Heroi shqiptar ndenji në Romë deri në fund të shkurtit 1467. Banoi në një shtëpi pranë Quirinale-s, në rrugicën, që më pas u quajt “Rrugica Skënderbeu”. E kështu quhet edhe sot e kësaj dite ajo rrugëz, që të çon në shtëpinë e Gjergj Kastriotit, ende në këmbë, me pragun e lashtë ku pati shkelur këmba e tij, mbi të cilin vizituesi “e takon” menjëherë “të Zotin e shtëpisë”, të pikturuar mbi qemer.

Kanë kaluar 550 vjet që kur shkeli këtu Gjergj Kastrioti. Por koha nuk ka mundur ta shlyejë gjurmën e këmbës së tij, që gojëdhënat thonë se mbeti edhe mbi shkëmb.

Mbi portretin e Gjergjit mund të lexojmë  epigrafin:

Georg. Castriota Scanderbeg princeps Epiri ad fidem iconis rest. Anno dom MDCCCXLIII(1843).

Si kreu misionin, Kryetrimi kaloi në Napoli, ku mbreti Ferrante i Aragonës e priti me nderime mbretërore. Pas Napolit, mori rrugën e kthimit drejt Krujës së rrethuar. Në këtë udhë do ta ndjekim në emisionin e 34-të.

1 Letra e I.P. Arrivabenus, (Arkivi Gonzaga), nga Roma, më 14 dhjetor 1466.

2 Ark. Gonzaga, Letër e kard. Gonzaga drejtuar babait të tij, më 7 janar 1467.

3 Libri i llogarive i Palit II, Ark, i Shtetit të Romës.

4 Millosovich, vep.cit, fq. 58   








All the contents on this site are copyrighted ©.