2018-02-26 13:20:00

Papa: të lypim hirin e turpërimit e të mos i gjykojmë të tjerët


Një ftesë e fortë për të mos i gjykuar të tjerët erdhi nga Papa sot në mëngjes, në homelinë e Meshës, kremtuar në Shën Martë. Françesku na fton ta falim të afërmin e të lypim hirin e turpërimit për mëkatet tona.

Mos gjykoni, e nuk do të gjykoheni! Gjatë homelisë së Meshës  kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku na fton të përtërihemi. Askush nuk mund t’i shpëtojë gjyqit të Zotit, atij personal e edhe atij universal: të gjithë, pa asnjë përjashtim, do të gjykohemi. Në këtë optikë, Kisha na nxit të reflektojmë pikërisht për sjelljen ndaj të afërmit e ndaj Zotit.

Shpesh i gjykojmë të tjerët

Papa na fton të mos e gjykojmë të afërmin, madje, ta falim. Secili nga ne mund të mendojë: “Po unë nuk gjykoj, nuk jam gjykatës” - vërejti Françesku - që e vijoi ftesën duke kujtuar se duhet t’i shqyrtojmë mirë sjelljet tona. Sa herë - vërejti -  argumenti i bisedave tona  është ai i gjykimit të të tjerëve, duke përfunduar me një “kjo nuk shkon”. “Po kush, kështu, të bëri ty gjykatës? - qortoi Papa. - T’i gjykosh të tjerët është gjë e shëmtuar, sepse i vetmi Gjykatës është Zoti, që e njeh mirë edhe këtë prirje të njeriut për të gjykuar.

Në takimet që kemi, në një drekë, në  çfarëdo pikëpjekjeje, që mund të zgjasë edhe dy orë, të mendojmë sa minuta ia kushtuam gjykimit të të tjerëve? Ky s’bën fare? Ky bën! E kush bën? Jini të mëshirshëm. Të mëshirshëm, si i mëshirshëm është Ati juaj. E edhe bujarë. Mos gjykoni, e nuk do të gjykoheni; mos dënoni, e nuk do të dënoheni; falni, e do të faleni. Jepni, e do t`ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t`ju derdhet në prehër, sepse me atë masë që do të matni, do t`ju matet edhe juve, kur të  jeni  përplot me mëshirën e njeriut, që nuk gjykon.

Ftesa, pra, është të jemi të mëshirshëm me të tjerët, ashtu si Zoti do të jetë i mëshirshëm me ne.

Përvujtëri para Zotit, duke e pranuar se jemi mëkatarë

Pjesa e dytë e mesazhit të Kishës, sot, është ftesa për t’u sjellë përvujtërisht para Zotit, për ta pranuar se jemi mëkatarë.

E ne e dimë se drejtësia e Zotit është mëshira. Por duhet t’i themi: “Ty të përket drejtësia, ne, turpi!”. E ku takohen drejtësia e Zotit e turpi ynë, atje është edhe falja! Unë besoj se mëkatova kundër Zotit? Besoj se Zoti është i drejtë? Besoj se është i mëshirshëm? Turpërohem para Zotit, se jam mëkatar? Eshtë krejt e thjeshtë. Thuaj: “Ty të përket drejtësia, mua turpi”. E kërko hirin e turpërimit.

Hiri i turpit

Françesku kujtoi, në përfundim, se në gjuhën e tij amtare, njerëzit që bëjnë keq  quhen “të pacipë”, “të paturp”. Dhe përsëriti ftesën për të kërkuar hirin “që të mos na mungojë kurrë turpi para Zotit”.

Është hir i madh, turpi! Të kujtojmë, prandaj: sjelljen ndaj të afërmit, të kujtojmë se me atë masë që gjykoj, edhe do të gjykohem: gjë që do të thotë se nuk duhet të gjykoj. E edhe nëse them ndonjë gjë kundër tjetrit, t’i lutem të jetë bujar ndaj meje, e me shumë mëshirë. Themelor para Zotit, ky dialog: “Ty të përket drejtësia, mua, turpi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.