Papa Françesku priti sot paradite në audiencë, në Pallatin Apostolik të Vatikanit, Presidencën kolegjiale të Bosnjës dhe Hercegovinës, të përbërë nga Dragan Čović, president i turnit; Mladen Ivanić dhe Bakir Izetbegović, të cilët, më pas, u takuan edhe me kardinalin Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, i shoqëruar nga kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.
"Gjatë bisedimeve - lexohet në një notë të Sallës vatikanase të Shtypit - zhvilluar në një atmosferë të përzemërt, u shpreh kënaqësia për marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Bosnjës e Hercegovinës e u përsërit edhe angazhimi i vijimit të udhës konstruktive të bashkëpunimit dypalësh, për të fuqizuar dialogun dhe mirëkuptimin ndërfetar”.
Në vijim të bisedimit, u fol edhe për rrethanat e brendshme aktuale, të ngarkuara me sfida të ndryshme të natyrës ekonomike e shoqërore si dhe për urgjencën e promovimit të nismave, që garantojnë ardhmërinë për breznitë e ardhshme.
U ripohua edhe kërkesa për të vijuar në mënyrë të harmonishme udhën e reformave, edhe në perspektivën e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe të garantimit të barazisë së vërtetë ndërmjet popujve, duke favorizuar bashkëjetesën paqësore dhe klimën e pajtimit në gjirin e të gjithë elementeve, që e përbëjnë shoqërinë. Së fundi, palët u ndaluan mbi disa tema politike, ndërmjet të cilave, rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet shteteve të Rajonit.
All the contents on this site are copyrighted ©. |